2015-03-18 15:33:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të të Kreshmëve “B”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë hyjnore të së dielës, kësaj herët meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 5-të e të fundit të kohës së Kreshmëve të ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar. Pashkët tashmë janë afër, por pyesim: çka do të thotë të kremtosh Pashkët? Çka do të thotë të përkujtosh Pashkën e Jezusit? Në këtë na përgjigjet leximi i parë i kësaj së diele nga Jeremia profet: Do ta shkruaj ligjin në zemrën tuaj” “ (Jer 31,33). Pashkët vinë e ndodhin në zemër! Atëherë nëse nuk ndryshon zemra, nuk ka kremtim  Pashkësh. Nëse nuk rritet dashuria, mirëkuptimi, solidariteti në jetë e brenda shtëpive tona, nuk ka Pashkë. Nëse nuk bëjmë gjeste pajtimi e vëllazërimi me ata që na kanë bërë të vuajmë, nuk ka Pashkë. Sidomos nëse në jetën tonë nuk e pranojmë Jezu Krishtin duke u bërë një gjë e vetme me zgjedhjet e Tij, me përcaktimet e Tij, me udhën e Tij, nuk ka Pashkë.
Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele nga Gjoni,  e takojmë Jezusin në javën e mbramë të jetës së Tij tokësore. Jezusi gjendet në Jerusalem, në mesin e njerëzve: Zoti ndër njerëz! Fragmenti i Ungjillit të Gjoni (Gjn 12,20-33), nuk na ofron ndonjë skenë apo ndonjë ngjarje të veçantë e të saktë, por një antologji me thënie përmes të cilave ungjilltari na udhëheq e shtie në momentin kulmor të ‘Orës’ së Jezusit, që përkon me glorifikimin e tij mbi kryq. Në qendër të këtij skenari propozohet imazhi i kokrrës së grurit, që vdes e shuhet për të sjell shumë fryte. Ajo bëhet kriter për të shqyrtuar ndërmjet fesë së vërtetë e hipokrizisë. 

Ora e mundimeve të Jezusit tashmë është afër, e kështu ai ngjitet në Jerusalem për të kremtuar Pashkën që do të jetë Pashka e tij, eksodi tij nga kjo botë për tek Ati (krh Gj 13m1). Pasi hyri në qytetin e shenjtë i pritur me brohoritje mesianike, Jezusi dukej në kulmin e suksesit, deri në atë pik sa kundërshtarët e tij klithin: “Mbarë bota po shkon pas tij!” (krh Gj 12,19). E ja se ndodh diçka që duket se konfirmon atë sukses e konsensus popullor të jashtëzakonshëm. Ungjilltari shënon se “ndër ata që kishin shkuar për kultin e festës, ishin edhe disa grekë”, do të thotë disa jo-judenjë, disa paganë të ardhur nga popuj të ndryshëm. Këta dëshironin ta shihnin rabbi-n e profetin Jezus, të cilin e përmendin të gjithë njerëzit me shumë entuziazëm. Por duket se kishin një lloj frike ta takonin personalisht e prandaj i drejtohen Filipit, një dishepulli me emër grek, me prejardhje nga Betsaida e Galilesë, një fshat i banuar nga jo-hebrenjtë....Edhe vet Filipi heziton ta favorizoj këtë takim, e i drejtohet Andreut; pastaj së bashku, shkojnë te Jezusi. 

Kështu pra, disa njerëz u kërkojnë apostujve: Duam ta shohim Jezusin! Duam ta njohim! Është kjo një pyetje e ligjshme, një kërkesë që përsëritet me të drejtë, një pyetje që lexohet në sytë e shumë njerëzve. E sikur sot dikush do të kërkonte prej nesh: ‘Më ndihmo ta njoh Jezusin!’, ne çka do t’i përgjigjeshim? Vështrimi jonë i fesë na mundëson ta shohim Jezusin dhe ta takojmë në Fjalën e tij e në Bukën e tij, në Dashurinë dhe Mirësinë e çdo njeriu. Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele të 5-të të Kreshmëve, na fton të depërtojmë thellë në misterin e Jezusit, që dëftohet në vdekjen dhe ngjallen e tij e, të kuptojmë domethënien shpëtimprurëse që ka ky mister për jetën e njeriut. Për të na rivendosur në Besëlidhje me Atin Qiellor, Jezusi ka vdekur porsi kokrra e grurit që zhduket në tokë, që të mbin në një jetë të re. 

                                                             Liturgjia e Fjalës Hyjnore
Leximi i parë Jer 31, 31-34

Pabesnikëria e hebrenjve ndaj besëlidhjes me Hyjin e ka çuar popullin në skllavëri. Por Hyji qëndron besnik, nuk e mohon popullin e tij. Por kur hebrenjtë provojnë përsëri përvojën e internimit, profeti paralajmëron një marrëveshje të re të Hyjit me popullin e vet. Ligji nuk do të jetë më i shtypur mbi tavolinën prej guri, por në zemrën e njeriut. 

Lexim prej Librit të Jeremisë profet
Ja, po vijnë ditët - është fjala e Zotit – kur do të lidh me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës një Besëlidhje të re. Jo si Besëlidhja që e pata bërë me etërit e tyre, atë ditë kur i mora për dore, për t’i nxjerrë nga toka e Egjiptit. Këtë Besëlidhje ata e thyen. Atëherë unë u dëftova se jam zotëria i tyre - është fjala e Zotit. Por ja Besëlidhja që unë do ta lidh pas këtyre ditëve me shtëpinë e Izraelit - është fjala e Zotit: Në shpirtin e tyre do ta fus Ligjin tim, do ta shkruaj në zemrën e tyre. Atëherë do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im. Dhe atëherë s’do të kenë nevojë ta mësojë njëri-tjetrin e vëllai vëllain: ‘Njihe Zotin!’, sepse të gjithë do të më njohin, prej më të voglit e deri në më të madhin – thotë Zoti – sepse do ta fal fajësinë e tyre e s’do ta kujtoj më mëkatin e tyre.”  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.


Psalmi 51
Krijoje në mua, o Hyj, një zemër të pastër

Ki mëshirë për mua, o Hyj, 
sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim.

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.

Leximi i dytë Heb 5,7-9
E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit, e fajtorët do të kthehen tek ti.
Pali na përshkruan agoninë e Jezusit në Gjetseman dhe na shfaq Jezusin, njeriun e vuajtur që i lutet Atit. Në atë natë ankthi, Krishti është bërë kryetar dhe meshtar i një njerëzimi të ripërtërirë. Hyji fton të gjithë të krishterët të marrin mbi vete peshën e dhimbjes njerëzore, për të qenë si Krishti njerëz që u dhurohen të tjerëve.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Pali na përshkruan agoninë e Jezusit në Gjetseman dhe na shfaq Jezusin, njeriun e vuajtur që i lutet Atit. Në atë natë ankthi, Krishti është bërë kryetar dhe meshtar i një njerëzimi të ripërtërirë. Hyji fton të gjithë të krishterët të marrin mbi vete peshën e dhimbjes njerëzore, për të qenë si Krishti njerëz që u dhurohen të tjerëve.
Krishti, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshame të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet. Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Kush do të më shërbejë, le të vijë mbas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Gjn 12, 20-33
Në këtë pjesë është përshkruar paradoksi i Ungjillit: për të fituar mbi vdekjen është e nevojshme të lejojmë që të shtypemi nga vdekja; për të arritur fitoren është e nevojshme të jetojmë momentin e mundimeve; për të jetuar është e nevojshme të vdesësh. Jezusi nuk vdes për tu dekompozuar, por për të rikrijuar një shumicë personash. Zgjedhjet e dhimbshme të tanishme nuk janë vetëm humbje, por i japin jetë një të ardhmeje më të bukur.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, ndër ata që kishin ardhur në festë për të adhuruar, ishin edhe disa grekë. Ata iu afruan Filipit, që ishte prej Betsaidës së Galilesë, dhe iu lutën: “Zotëri, dëshirojmë ta shohim Jezusin.” Filipi shkoi dhe i tha Andreut; Andreu e Filipi shkuan e i treguan Jezusit. 
Jezusi u përgjigji: “Arriti ora të lavdërohet Biri i njeriut. Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, jet e vetme; po nëse vdes,
jep shumë fryt! Kush e do jetën e vet, do ta humbë. Ai që e urren jetën e vet në këtë botë, ai do ta ruajë për jetën e pasosur. Kush do të më shërbejë, le të vijë mbas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Atë që do të më shërbejë, do ta nderojë Ati im. Tani shpirtin e kam të tronditur, e ç’të them? O Atë, më shpëto nga kjo orë? Porse, fill për këtë erdha në këtë orë! O Atë, jepi lavdi Emrit tënd!”
Ndërkaq jehoi një zë prej qiellit: “E lavdërova dhe prapë do ta lavdëroj!” Tashti, populli që ishte pranë dhe po dëgjonte, thoshte: “Bubulloi!” Tjerë thoshin: “Engjëlli foli me të!” Jezusi u përgjigji: “Ky zë nuk jehoi për mua, por për ju! Tani erdhi dita të gjykohet kjo botë, tani princi i kësaj bote do të hidhet jashtë! E unë, kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit.” Foli kështu për të shënuar se me ç’vdekje do të vdiste. 
Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.