2015-03-18 15:00:00

Françesku: fëmijët e bëjnë botën të gjallë e të kulluar


Fëmijët janë “dhuratë e madhe për njerëzimin”, edhe pse shpesh viktima të një bote, që i përjashton. E pohoi Françesku gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, me të cilën përfundoi serinë e reflektimeve kushtuar figurave, që përbëjnë familjen. Prania e dëlirë, besimplote e fëmijëve, pohoi Papa, ngjall shpresë në jetën e të rriturve, ku bashkëjetojnë çiltërsi, ligësi e njerëz me dy faqe.

Do të ishte e humbur një shoqëri, ku ka vetëm buzëqeshje prej kartoni, të shtira ose të komanduara. Nuk do të ndriçohej kurrë nga buzagazi transparent e i kulluar i fëmijës. E pikërisht duke ia kushtuar audiencën figurës së fëmijës, Papa Françesku arriti në fund të katekizmave, gjatë të cilave foli për nënat, baballarët, bijtë, vëllezërit, gjyshërit. Për t’u ndaluar sot tek më të vegjlit e familjes, por më të mëdhenjtë e njerëzimit, sepse për të, shtoi Papa, janë “dhuratë e madhe” e tepër shpesh, edhe të përjashtuar të mëdhenj, ngaqë arrihet deri atje, sa të mos lejohen as të shikojnë dritën e kësaj bote:

“Më vijnë në mendje shumë fëmijë, të cilët i takova gjatë shtegtimit tim të fundit në Azi: plot jetë, gjithë entuziazëm, e, nga ana tjetër, shikoj se në botë shumë prej tyre jetojnë në kushte të padenja... në të vërtetë pikërisht nga mënyra si trajtohen fëmijët, mund të gjykohet edhe shoqëria, nëse është e lirë apo skllave e interesave ndërkombëtare, e jo vetëm moralisht, por edhe sociologjikisht”.

Të gjithë jemi bij

Rrëfimi papnor i kësaj së mërkureje vuri theksin edhe mbi pasurinë, që sjellin me vete fëmijët. Së pari, pohoi Françesku, pikërisht sepse të vegjël e nevojtarë për kujdes, na kujtojnë vazhdimisht kushtin për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit: kurrë përplot me vetveten, gjithnjë nevojtarë për ndihmë, për dashuri, për falje. Së dyti, fëmijët na kujtojnë se jemi gjithnjë bij:

“Të gjithë jemi bij. E kjo na sjell përherë në mendje faktin se nuk jemi ne, që japim jetë: jetën nuk e japim, por e marrim. Dhurata e madhe e jetës është dhantia e parë, që morëm. Nganjëherë rrezikohemi të jetojmë duke e harruar këtë, si ta kishim ne vetë në dorë jetën tonë. Po ne nuk jemi zotër të jetës. Jemi thellësisht nën vartësi”.

Thonë, atë që shikojnë

Një dhuratë tjetër, që sjell fëmija në botën e të mëdhenjve, është shikimi besimplotë, i dëlirë, i drejtpërdrejtë, pa kurrfarë ligësie. Fytyra e fëmijës nuk është kurrë mësallë me dy faqe, nuk fshihet asnjëherë pas maskave, që e thajnë zemrën, e bëjnë gur:

“Fëmijët nuk janë diplomatë; e thonë haptazi, atë që ndjejnë, atë që e shikojnë me sytë e tyre. E me dëlirësinë e moshës, u krijojnë shpesh vështirësi prindërve: ‘Ky nuk më pëlqen fare, sepse është i keq!’, u thonë në sy disa njerëzve. Thonë kështu, sepse e kanë zakon të flasin haptazi, ta thonë pa mëdyshje, atë që mendojnë. Nuk e kanë mësuar akoma ‘shkencën e dyzimit”, dijen për të menduar ndryshe e për të folur ndryshe, që ne, të rriturit e kemi nxënë mirë”.

Kanë aftësi të qeshin e të qajnë

E pastaj fëmija, vijoi Françesku, është sinonim i “butësisë”. Të shikon me dy sy përplot me poezi për jetën, sepse zemra e butë i ndjen gjërat, nuk kufizohet t’i trajtojë sendet e ngjarjet thjesht si objekte pa jetë. Fëmija e ka ende atë aftësi, që të mëdhenjtë shpesh e humbasin përgjithmonë: të qeshë e të qajë:

“Disa, kur i marr ngrykë, qeshin. Të tjerë, duke më parë me të bardha, besojnë se jam mjek, që dua t’u bëj vaksinën, e qajnë... Vetvetiu! Kështu janë fëmijët! Qeshin e qajnë: dy gjëra që nganjëherë ne të mëdhenjtë nuk jemi më në gjendje t’i bëjmë. Shpesh buzëqeshja jonë është prej kartoni, pa jetë, pa pikë gjallërie, arficiale, buzagaz palaçosh. Fëmijët qeshin me  gaz të dëlirë, që u gurron nga zemra e po ashtu edhe qajnë”.

Më mirë me fëmijë e me “sherre” se pa ta e pa gëzim

Nuk është vështirë ta kuptosh Jezusin, kur thotë se Mbretëria e Hyjit u përket fëmijëve, kujtoi në përfundim Françesku. Fëmija është jetë, është gazmend, është shpresë. Nganjëherë është edhe “sherr”, po sherr i bekuar:

“Natyrisht fëmijët sjellin edhe shqetësime e nganjëherë edhe probleme; po është më e mirë një shoqëri me këto shqetësime e me këto probleme, se një shoqëri e trishtë, ngjyrë hiri, pa gazin e vajin e djepave. E kur shikojmë se niveli i lindjeve të një shoqërie mezi arrin në 1%, mund të themi se kjo shoqëri është e zymtë, ngjyrë hiri, sepse e mbetur shkret, pa ferishte”.

Jozefi, Shenjti i të gjithëve

Në përfundim të audiencës, Françesku kujtoi solemnitetin e Shën Jozefit, Pajtor i Kishës Universale, që do të kremtohet nesër.

“Të dashur të rinj - u tha posaçërisht vajzave e djelmoshave të pranishëm, me shumicë në audiencë - shikojeni Shenjtin si shembull i një jete të përvuajtur e të urtë”.

“Të dashur të sëmurë - vijoi duke iu drejtuar njerëzve të shumtë me aftësi të kufizuara shëndetësore, në radhët e para, në audiencë - mbarteni kryqin në heshtje e në lutje, si ati i kujtuar i Jezusit”.

“E ju, të dashur bashkëshortë të rij - ishte përshëndetja e fundit e Papës, për çiftet e reja - ndërtojeni familjen me të njëjtën dashuri që e lidhi Jozefin me Virgjërën Mari".








All the contents on this site are copyrighted ©.