2015-03-16 16:55:00

Thirrje e ipeshkvijve amerikanë: jo persekutimeve fetare


Ftesë për t’u lutur për viktimat e të gjitha persekutimeve fetare e për fundin e kësaj dhune mizore: kjo është përmbajtja e deklaratës së Komitetit administrativ të Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve. Udhëhequr nga kryeipeshkvi i Luisvilit, Joseph Kurtz, organizmi mbledh ipeshkvijtë e 15 rajoneve gjeografike të vendit, së bashku me kryetarin e Catholic Releif Service, enti bamirës i Kishës së vendit.

Të lutemi për martirët e fesë

        “I ftojmë besimtarët e të gjitha feve – lexohet në deklaratë – të bashkohen në lutje për ata, që po përballojnë realitetin dramatik të persekutimeve në Lindjen e Mesme e në anë të tjera të botës”. Duke kujtuar veçanërisht 21 të krishterët koptë, vrarë nga Isis muajin e kaluar, prelatët nënvizojnë se “dëshmia e martirizimit të tyre të guximshëm nuk është e vetme, por bashkohet me atë të mijëra familjeve të krishtera e të feve të tjera, që ikin nga dhuna e tmerrshme”.

Të mbrojmë të drejtat e pakicave fetare

         Ipeshkvijtë amerikanë u bëjnë thirrje të gjithë njerëzve vullnetmirë të punojnë për mbrojtjen e të mënjanuarve dhe të të persekutuarve, duke bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare, për të siguruar të drejtat fetare dhe civile, si edhe të drejtën humanitare. Me shpresën që të gjithë të ndajnë së bashku gëzimin dhe paqen e Ringjalljes së Krishtit, Kisha amerikane i fton besimtarët të luten, duke u bashkuar me Jezusin në vuajtje, në këtë Kohë Kreshmësh.








All the contents on this site are copyrighted ©.