2015-03-16 14:56:00

Protesta në Pakistan për atentatet kundër të krishterëve


Përfunduan në dhunë protestat e disa anëtarëve të komuniteteve të krishtera të Pakistanit, që zbriten në rrugët e Lahore-s, Faisalabadit e Gujranwala-s pas atentateve të së dielës kundër dy Kishave të krishtera në Lahore, ku gjeten vdekjen 15 persona dhe mase 10 të tjerë mbetën të plagosur. Sipas faqes së internetit të Dawn, në zonën e Youhanabadit, në Lahore, manifestuesit u ndeshën me dhjetëra policë të armatosur: shtatë prej tyre mbetën të lënduar gjatë ndeshjeve, gjatë të cilave policët u detyruan të mbroheshin nga gjuajtja e gurëve. Policia kishte marrë urdhër nga autoriteti Punjabit të përdorte gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës së manifestuesve. Autoritetet u kanë kërkuar të gjitha shkollave të krishtera të jenë të mbyllura në ditën e zisë kombëtare e kur mbahet varrimi i viktimave.

 Ndërkohë njëri prek leaderëve të krishterë, Kamran Michael, u kërkoi të krishterëve të vendit të ruajnë qetësinë. Me qindra njerëz kanë manifestuar edhe në rrugët e qytetin e dytë më të rëndësishëm të provincës së Punjabit pas Lahore-s, Faisalabad . Konferenca e Ipeshkvijve të Pakistanit ka deklaruar se mbrojtja e të krishterëve që u dha nga autoritetet ka qenë “minimale”, megjithë alarmin e kërcënimeve që Kishat kishin marrë nga ekstremistët, për çka autoritetet qenë informuar me kohë nga përgjegjësit e komuniteteve të krishtera, që kërkonin marrjen e masave të përshtatshme të sigurisë. Po zëri i krishterëve nuk u dëgjua. “Policët e pranishëm në momentin e sulmit qenë zënë duke shikuar në tv një ndeshje cricketi, në vend që të ushtronin detyrën e tyre më mbrojtje të Kishave. Si pasojë e këtij pakujdesi shumë të krishterë humbën jetën e tyre”: kështu pohon një deklaratë shtypi Konferenca Ipeshkëvnore e Pakistanit, pas atentatit të dyfishtë kundër Kishave në Lahore.

Sipas përfaqësuesve të bashkësive të Krishtera të Paskistanit, atë Emmanuel Yousaf Mani e Cecil Chaudhry Shane, duhet të “ ndalet urgjentisht përdorimi i fesë si pretekst për t’i vrarë pakicat fetare.Prandaj kërkojmë nga qeveria provinciale e ajo federale t'i marrin masat serioze për mbrojtjen e pakicave në Vend”. Sipas Komisionit të Konferencës Ipeshkëvnore të Pakistanit, lypet një “vullnet politik” urgjentisht për “zbatimin e “rekomandimeve që ka shpreh gjykatësi kryetar i Gjyqit Suprem mbi mbrojtjen e pakicave fetare dhe mbi eliminimin e terrorizimit nga shoqëria””.








All the contents on this site are copyrighted ©.