2015-03-15 16:49:00

Sulme kundër kishave në Pakistan. Papa: bota i fsheh persekutimet kundër të krishterëve


Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, të dielën më 15 mars,  Papa Françesku shprehu, me forcë e emocion të thellë, dhimbjen për sulmet e sotme në Lahore të Pakistanit, kundër dy kishave të krishtera: njëra katolike, tjera protestante. Të shumta viktimat: të paktën 154 deri tani. Ndërmjet tyre, edhe fëmijë. Një mori të plagosurish, pastaj, në gjendje të rëndë. Autorët e sulmit njihen tashmë: janë milicët e Jamaat-ul-Ahrar, grup fraksionist i talebanëve. Por, të dëgjojmë fjalët e Papës:

“Me dhimbje, me shumë dhimbje, mora lajmin e atentateve të sotme  terroriste kundër dy kishave në qytetin e Lahores, në Pakistan, që shkaktuan shumë të vdekur e të plagosur. Janë kisha të krishtera. Të krishterët janë të persekutuar. Vëllezërit tanë po derdhin gjak vetëm e vetëm pse janë të krishterë! Ndërsa siguroj se lutem për viktimat e familjet e tyre, i lypi Zotit, gurrë e gjitha të mirave, dhuratën e paqes e të harmonisë për këtë vend. E i lutem me gjithë zemër edhe që ky persekutim kundër të krishterëve, të cilin bota përpiqet ta fshehë, të përfundojë e të vendoset paqja”.

Për lajmet, që vijnë nga Pakistani, të dëgjojmë atin Bernardo Cervellera, drejtor i AsiaNews, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Lajmet janë të tmerrshme: me sa duket, shkaktarë ishin dy talebanë. Donin të hynin në dy kishat, përplot me besimtarë, që luteshin: së paku, një mijë vetë. Natyrisht: e dielë, sot. U përpoqën të qëllojnë me armë, për të hyrë. Por për fat të mirë, rojet e sigurimit i ndaluan. Po të kishin hyrë, do të ishte bërë një kërdi e tmerrshme. Lajmi tjetër, që kemi, është se katolikë e protestantë po manifestojnë për të kritikuar mungesën e sigurimit nga ana e qeverisë së Punjab-it, që duhet të luftojë çdo ditë kundër sulmeve mbi kishat e mbi xhamitë, me autorë, gjithnjë, talebanët.Thuhet, pastaj, se dy policët e ngarkuar për t’i ruajtur kishat, në ato çaste ishin në bar, duke ndjekur një ndeshje kriketi.

Pyetje: - Pse këto atentate pikërisht tani?

Përgjigje: - Qeveria pakistaneze mban gjithnjë qëndrim të dyshimtë ndaj talebanëve: nga njëra anë i mbron e i strehon, nga ana tjetër lidhet me bashkësinë ndërkombëtare për të luftuar kundër terrorizmit. E kjo lojë vijon, ndërsa talebanët përhapen në mbarë vendin, duke themeluar 20-25 mijë shkolla kuranike, ku  mësohet islami fundamentalist, që sulet si kundër të krishterëve, ashtu edhe kundër shiitëve. Prej këndej sulmohen vazhdimisht edhe xhamitë shiite. Praktikisht, çdo javë. Duket se talebanët pakistanezë po mbështesin aksionet e Shtetit të vetëshpallur Islamik, me rrezikun që ky Shtet të shtrihet akoma e të krijojë aleanca të reja. Paratë nuk i mungojnë, sepse financohet nga vendet e Gjirit. Prej këndej, nis kasnecët e terrorit në të katër anët, për të krijuar lidhje të reja e për të mbledhur fonde, armë e gjithçka i nevojitet për të ushqyer krimin dhe mizorinë.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.