2015-03-15 16:42:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: dashuria Hyjit është pa interes e pa kufi


Dashuria e Hyjit është falas e pa kufi e nuk duhet ta harrojmë kurrë se Zoti është pambarimisht i pasur me mëshirë. Këtë pohoi Papa në katekizmin e lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës, duke iu drejtuar një turme pa fund shtegtarësh, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, pavarësisht nga shiu, që të kujtonte më shumë fillimin e dimrit, sesa afrimin e ditës së parë të pranverës.

Hyji na do me të vërtetë shumë

Në qendër të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ungjilli i kësaj së diele, që propozon fjalët e Jezusit drejtuar Nikodemit: “Hyji aq fort e deshi botën, sa dha një të vetmin Birin e vet”(Gjn 3,16).

“Duke dëgjuar këto fjalë, i sjellim sytë e zemrës kah Krishti i kryqëzuar e ndjejmë brenda nesh se Hyji na do, na do vërtet, e na do shumë, tepër shumë! E ja shprehja më e thjeshtë, që e përmbledh mbarë Ungjillin, gjithë fenë, tërë teologjinë: Hyji na do me dashuri pa kurrfarë interesi e pa kurrfarë kufiri”.

Hyji e zgjedh popullin e vet jo pse e meriton

Këtë dashuri, pohoi Papa, Hyji e dëshmon sidomos në krijim. Dashuri falas, që duket në gjithë historinë e shëlbimit:

“Zoti e zgjedh popullin e vet jo pse e meriton, e i thotë kështu: ‘Të zgjodha pikërisht sepse je më i vogli ndërmjet gjithë popujve’. E kur erdhi ‘përmbushja e kohës’ pavarësisht se njerëzit e thyen shumë herë besën e dhënë, Hyji, në vend që t’i braktiste, krijoi me ta një lidhje të re, në gjakun e Jezusit, lidhjen e besës së re e të amshuar, lidhje që askush nuk do të mundet më ta këpusë”.

Jezusi na deshi deri në cakun e fundmë të dashurisë

Kryqi i Krishtit, vijoi Papa, është prova më e lartë e dashurisë së Hyjit për ne; Jezusi na deshi “deri në fund të fundit” (Gjn 13,1), domethënë jo vetëm deri në çastin e fundit të jetës së tij tokësore, por edhe e sidomos, deri në cakun e fundit të dashurisë:

“Nëse në krijim na dha provën e dashurisë së Tij të pamasë, duke na dhuruar jetën, në mundimet e në vdekjen e të Birit na dha provën e provave: erdhi të vuante e të vdiste për ne. E këtë, për dashuri, kaq e madhe është mëshira e Hyjit! Sepse na do, na fal. Me mëshirën e tij Hyji fal gjithçka, fal gjithnjë”.

Maria na i mbushtë zemrat me sigurinë se Zoti na do

Maria, që është Nënë e mëshirës, u lut Papa, na i mbushtë zemrat me sigurinë se Zoti na do. Qoftë pranë nesh në çastet e vështira e na dhëntë ndjenjat e të Birit, që udha jonë kreshmore të jetë përvojë e faljes, e mirëpritjes, e dashurisë së krishterë.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa i drejtoi një përshëndetje te posaçme grupeve të ndryshme të vullnetariatit që, të bashkuar në angazhimin e solidaritetit, marrin pjesë në manifestimin “Një trup i vetëm,  për të mirën e përbashkët”.








All the contents on this site are copyrighted ©.