2015-03-15 17:05:00

2 vjet me Papën Françesku: intervistë me atë Lombardin


Të premten, më 13 mars, mbarë Kisha Katolike kremtoi dyvjetorin e papnisë së Horhe Mario Bergolios. Për herë të parë në histori, një Papë i ardhur nga Argjentina, mori emrin e Françeskut, sipas atij të shenjtit të madh të Asizit. Papa Françesku na ka mësuar ta ndjekim përmes gjesteve e imazheve, të cilat, pavarësisht se nuk kanë kaluar shumë kohë nga zgjedhja në fronin e shën Pjetrit, janë të destinuara të mbeten në histori. Për të na vënë në dukje ato më të spikaturat, ia drejtuam mikrofonin drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:

         Në një fluks pa fund imazhesh është e vështirë të zgjedhësh një. Por, unë dua të kujtoj tre prej tyre. I pari është përqafimi i treshes para Murit të Lotëve në Jeruzalem, së bashku me rabinin dhe me kreun mysliman. Çast simbolik themelor për dialogun dhe paqen, në kuadrin e udhëtimit të Papës në Tokën Shenjte, në një pikë absolutisht të rëndësishme për paqen në botë. Imazhi i dytë, të cilin e kanë fiksuar të gjithë, është kur Papa Françesku, në fund të ceremonisë së madhe në katedralen ortodokse në Stamboll, në Kostandinopojë, kërkon, në një farë kuptimi, bekimin e patriarkut e përkulet para tij. Pra, një çast vëllazërimi e dialogu ekumenik, dëshirë e madhe për bashkimin e të krishterëve. Pastaj, një imazh i tretë, që nuk është i vetëm por duhet parë në seri, të cilin vetë Papa e ka përmendur disa herë e, që ka të bëjë me udhëtimin në Filipine: turmat e stërmëdha plot dashuri e dëshirë për ta parë Papën, për t’i shprehur dashurinë, për t’i treguar entuziazmin, për t’i paraqitur fëmijët. Pra, kjo ndjenjë gëzimi e shprese para Papës, e një populli që e sheh të ardhmen me shpresë, duke i paraqitur bijtë e vet e brezat e rinj të Azisë e të njerëzimit.

         E shqiptarët nuk mund të mos kujtojnë imazhet e mrekullueshme të udhëtimit të Papës Françesku në Tiranë, porositë e tij në sheshin Nënë Tereza, përqafimin e mallëngjimin e tij në takimin me martirët e gjallë të Kishës Katolike në katedralen e Shën Palit, ngushëllimin e tij për fëmijët e varfër në qendrën Betania pranë Fushë-Krujës e shtrëngimin e dorës me liderët e tjerë fetarë shqiptarë e me profesorët e Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku vuri në dukje tolerancën shumëshekullore ndërmjet feve në Shqipëri. Edhe Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë i bëri urimet Atit të Shenjtë e Nunciatura Apostolike organizoi një pritje. Të dëgjojmë ipeshkvin e Sapës, imzot Lucian Avgustini….








All the contents on this site are copyrighted ©.