2015-03-14 14:07:00

Siria: delegacioni i Vatikani viziton popullsinë dhe komunitetin e krishterë


Sekretari i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Kishat Lindore imzot Cyril Vasil’, shoqëruar nga atë Max Cappabianca, i ngarkuari i Sekretarisë së ROACO-s gjendet për vizitë në Siri deri më 18 mars. Një udhëtim që përkon me katër vjetorin e fillimit të luftës civile siriane , që ka shkaktuar mase 200mijë viktima e 3,8 milion refugjatë.

“T’i shprehim në mënyrë të qartë e publike vëmendjen e vazhdueshme me të cilën Selia e Shenjtë përcjell situatën dramatike të popullit e të Kishës në Siri, dhe mbështetjen që Kongregata për Kisha Lindore, në emër të Papës, u siguron barinjve e besimtarëve të Vendit”. Me këtë qëllim nisi para dy ditësh e deri më 18 mars, vizita në Siri e delegacionit të Vatikanit udhëhequr nga sekretari i Kongregatës për Kishat Lindore imzot Vasil’. Gjatë qëndrimit, prelati merr pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Hierarkëve Katolikë e në takimin e përgjegjësve të Karitasit sirian.

Dje imzot Vasil’ pati një takim me të rinjtë e krishterë në Damask. Kongregata tregon kështu afërsinë ndaj një komuniteti të shumëvuajtur  e të goditur rëndë gjatë këtyre katër viteve të luftës civile, me një situatë humanitare që dita ditës keqësohet përherë më shumë, ndërsa ndaj fshatrave të krishtera në Veri të Sirisë kanoset ofensiva e Shtetit Islamik. Ndërkohë në Irakun e afërt, rritet presioni i milicëve shiitë të trupave kurde Peshmergë, përforcuar edhe nga rekrutë të krishterë, kundër fortesave të jihadistëve. Po në zona të ripushtuara të Tikritit, shqetëson fenomeni i hakmarrjes ndaj popullsisë sunite. Së fundi sinjalizojmë  edhe atentatin e rëndë kundër bazës ushtarake irakiane në Anbar, ku janë vrarë disa ushtarë.








All the contents on this site are copyrighted ©.