2015-03-13 09:41:00

Kisha feston dy vjetorin e papnisë së Françeskut


Shenjë e stinës së re, që po jetojmë. Epokë e ngarkuar me kundërshti, me shpresa për të jetuar një pranverë të re, por edhe kohë e kërcënuar nga stuhi të papritura e tronditëse.

Në jetën e Kishës, pasardhësit e Shën Pjetrit, që ulen njëri pas tjetrit në fronin e Kryeapostullit, kanë gjithnjë pamjen e dyfishtë të vazhdimësisë e të risisë. Ndryshimet ngjallin gjithnjë frikë e shpresë, pasiguri e besim, sepse hapin rrugë të reja, pa e zbehur dëshirën për ta ruajtur gjithçka të mirë, që lamë pas shpine. Vetëdija e kësaj vlere të dyfishtë mund të na ndihmojë ta vlerësojmë në mënyrë më të drejtpeshuar, atë që po e jetojmë.

Papa Françesku është njeri tejet energjik. Mbart mbi shpatulla barrën e një jete të shkrirë pa kursim, në emër të Krishtit, ndërmjet njerëzve, posaçërisht të varfërve e besimtarëve, që në Argjentinë, ashtu si në të gjithë Amerikën Latine, përbëjnë shumicën. Papritmas jeta e tij bëri një kthesë rrënjësore, të cilën ai e pranoi si vullnetin e Zotit. Prandaj u lëshua plotësisht, me besim të thellë, në dorë të Atij, që e thirri për t’i prirë popullit të vet. Kjo, pa dyshim, mund të thuhet për çdo papë, duke përfytyruar ndjenjat më të pashprehura. E pra, çka e bën reale në figurën e Françeskut, është transparenca: kushdo e takon nga afër, ose përmes mediave, është në gjendje ta perceptojë menjëherë kthjelltësinë e ndjenjave të tij.

Mund të flitet për stil komunikativ, për vetvetishmëri, për thjeshtësi zemre. Në të gjitha rastet, vërejmë menjëherë se kemi përpara një njeri të çarmatosur, që nuk di as nuk do të fshihet pas a brenda vetes. Është ai që është. Gjithsa thamë mund të konfirmojë të vërtetën e përhershme, që shënon jetën e çdo pape: vetminë. Ndërsa, paradoksalisht, njeriu, që na paraqitet pa kurrfarë mbrojtjeje, duket më i afërti për gjithkënd. E kësaj duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje, nëse duam të kuptojmë diçka jo vetëm lidhur me Papën Bergoglio, por edhe, e sidomos, me qeverisjen aktuale të Kishës.

Ç’të habit më shumë në figurën e Françeskut? Vëmendja planetare për çdo gjest të tij, për çdo shprehje, tregon se bota mbarë ka nevojë të dëgjojë se Papa sillet normalisht, çdo ditë. Si të gjithë. E nëse Papa sillet si unë, domethënë se edhe unë mund të sillem si ai. E nuk ka gjë më befasuese e më të frytshme, për ta nxitur çdo njeri të bëhet më i mirë. Kur fjalët përkojnë me gjestet, nuk ndjehemi më përballë veprimeve, që bëhen për të kaluar radhën; as fjalëve, që thuhen në rrethana kalimtare, por para autoritetit të një njeriu, që të inkurajon të  bësh pikërisht atë, që duhet bërë. Me një fjalë, jemi përballë shembullit të mirë. E kjo nuk është e paktë.

Të ngopur, siç jemi, me fjalë, kemi nevojë pikërisht për shembuj. Kemi nevojë të shikojmë se Ungjilli është i praktikueshëm, i gatuar me fe të thjeshtë. Me shpresë të përditshme. Me dashuri të përhershme. Këtë Papa Françesku e bën të mundshme, të prekshme e është pikërisht kjo që shkakton trazim, në Kishë e në shoqërinë civile, sepse shkalla përmbyset. Ai, që është më lart, e shkurton distancën me atë, që është më poshtë, jo me ankime njerëzish që, për të ndryshuar veten, presin të ndryshojë më parë bota, por duke bërë mirë, për ditë: gjë, që mund ta bëjnë të gjithë.

Dy vjet Papë nuk janë vetëm prolog i një papnie, por edhe  koncentrat i një jete e distilim i një dashurie të dikuar në zemër të kësaj Kishe e cila, duke zgjedhur një pasardhës të Pjetrit, që deshi të quhej Françesk, po ecën me çapin e lehtë të mikpritjes, të shoqërisë, të mëshirës. Në udhën e Jezu Krishtit, miserando atquez eligendo (duke e parë me mëshirë dhe duke e zgjedhur).1

1 “E pa me mëshirë dhe e zgjodhi” – shprehje latine, marrë nga shën Beda i Nderuar, i cili e përshkuarn kështu mënyrën si e trajtoi Jezusi publikanin  Mate, të cilën Papa e zgjodhi për stemën episkopale.








All the contents on this site are copyrighted ©.