2015-03-12 15:50:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: rrëfimi


Të dashur dëgjues, duke u përpjekur të kuptojmë fjalët që dëgjojmë në Kishë, sot, do të flasim për “rrëfimin” e do të shpjegojmë se cili është ai që i fal mëkatet: prifti me të cilin rrëfehemi, apo Zoti?

         “Vetëm Zoti i fal mëkatet” thuhet në Katekizmin e Kishës Katolike, por për ta kuptuar mirë Sakramentin e Pendesës e të Rrëfimit, duhet të kemi parasysh se çdo fyerje që i bëjmë Zotit kalon përmes një fyerje që i bëjmë njeriut. Është domethënës fakti se gjykimi i mbramë është përshkruar nga Jezu Krishti si një lloj provimi mbi aftësinë tonë për të dashur të afërmin: “Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë” (Mateu 25,31-46).

         Ashtu si mëkati kundër Zotit bëhet përmes sjelljes që kemi ndaj njeriut, ashtu edhe falja na vjen nëpër të njëjtën rrugë. Ndërmjetësim njerëzor, që ka gjetur shprehjen e tij më të lartë te Jezusi, i cili i ka dhënë fytyrë e zë faljes së Zotit. Mision, që Jezu Krishti ia ka besuar Kishës së vet: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen” (Gjoni 20,23).

         “Lajmi i mirë” është ky: mëkati nuk e dominon historinë; nuk ka asnjë mëkat që nuk mund të falet e mëkatari të shëlbohet; mëshira e Zotit ndalet vetëm para refuzimit të vetëdijshëm. Jezusi nuk përcaktoi një ritual të saktë për t’i kërkuar falje Zotit. Bashkësia e krishterë, sipas përvojës e nevojës së vet, përcaktoi ritin me të cilin të gjithë ata, që janë të ndërgjegjshëm se e kanë thyer besëlidhjen e Pagëzimit me Atin Qiellor, bashkohen sërish me Zotin e me vëllezërit në fe. Pendesa e sakramentet pra, nuk janë të nevojshme për Zotin, por për ne. Zoti nuk ka nevojë për sakramentet për t’iu dhënë dashurinë e tij njerëzve e për t’i falur. Jemi ne, ata që kemi nevojë t’i shprehim e t’i ushqejmë ndjenjat tona të brendshme, përmes sjelljeve të jashtme.

         Për meshtarin thuhet se është “i shuguruar”, pasi Hyji i beson detyrën e rëndësishme për t’i dhënë fytyrë e zë misionit, që Jezusi i ka besuar Kishës. Mision ndërmjetësimi, që, pas reformës liturgjike të Koncilit II të Vatikanit, shprehet qartë në lutjen e faljes së mëkateve, të cilën meshtari e shqipton duke vendosur duart. Pra, është krejt Kisha, korp i dukshëm i pranisë së Krishtit në botë, e cila, përmes ministrit të shuguruar, u jep besimtarëve faljen e Zotit dhe pajtimin e plotë me bashkësinë e të pagëzuarve.

         Sakramenti i Rrëfimit nuk ka asgjë të përbashkët me bisedën private me psikoanalistin, apo me drejtorin e policisë, kur duhet të pohojmë një faj të rëndë. Koncili parashikon edhe rrëfimin publik të të penduarve, por nuk duhet harruar se pendimi i vërtetë bëhet në shpirt. Nëse nuk jemi penduar me të vërtetë, asgjë nuk vlen riti i jashtëm i rrëfimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.