2015-03-11 10:48:00

“Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve. Eukaristia


Rubrika “Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve, arrin sot në kulmin e fesë sonë: na kujton Eukaristinë, më i rëndësishmi nga të shtatë Sakramentet, nga të cilat deri tani kemi kujtuar Pagëzimin e Krezmimin.

 

 “Misteri i fesë!”. Kjo shprehje, e shqiptuar menjëherë pas fjalëve të shugurimit, na kujton meshtarin, kur shpall misterin e kremtuar dhe shpreh mrekullimin e vet për shndërrimin e bukës dhe të verës në trupin e në gjakun e Krishtit, një realitet që mendja e kufizuar njerëzore nuk arrin ta përfshijë. Eukaristia, “misteri më i lartë i fesë”, është “përmbledhja e gjithë fesë së krishterë”. Feja e Kishës është eukaristike, ushqehet në sofrën eukaristike, në takimin me Zotin e ngjallur.

Në librecin ndihmës të Françeskut për udhën tonë kreshmore, shkruhet kështu për Eukaristinë:

“Është vetë flijimi i Korpit dhe i Gjakut të Zotit tonë Jezusit, sakrament që Ai e themeloi për të përsëritur në shekuj, deri në kthimin e dytë, flinë e Kryqit, duke ia besuar kështu, Kishës së vet, në përkujtim të vdekjes dhe ringjalljes së Tij. Është shenjë e unitetit, lidhje e dashurisë, gosti e Pashkëve, në të cilën merret Krishti, shpirti mbushet plot me hir e jepet premtimi i jetës së amshuar. Jezu Krishti është i pranishëm në Eukaristi në mënyrë të pashoqe e të pakrahasueshme. Në mënyrë të vërtetë, reale, lëndore: me Korpin e me Gjakun e vet. Me Shpirtin e Hyjninë e vet. I pranishëm në mënyrë sakramentale, nën dukjen eukaristike të bukës e të verës. Krishti, një i vetëm, Hyj e njeri. Eukaristia është gostia e Pashkëve, sepse Krishti, duke rikremtuar sakramentalisht Pashkët e Tij, të ofruara si bukë e si pije, na bashkon me vetveten e ndërmjet nesh, në flijimin e vet”.  

 








All the contents on this site are copyrighted ©.