2015-03-11 13:54:00

Imzot Zenari: të krishterët e rrëmbyer në Siri të mos përdoren si mburoja njerëzore


Luftohet akoma në Siri e në Irak kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik. Ushtria irakiane po përpiqet të rimarrë në dorë Tikritin, ndërsa rebelët sirianë i bëjnë ballë ofensivës xhihadiste në kufi me Turqinë. Pikërisht kjo betejë e fundit, sipas Patriarkut të Babilonisë së kaldeasve, Louis Raphael Sako, po masakron njerëz, monumente e qytetërime. Mijëra familje ikin nga sytë këmbët, pa u ndihmuar nga askush. Pikërisht për këtë arsye, edhe sivjet, paratë që do të grumbullohen në të gjitha kishat katolike të Premten e Madhe do të jepen si ndihmë për Tokën Shenjte. Ndërkaq, rritet shqetësimi për qindra njerëzit e rrëmbyer nga ekstremistët islamikë muajin e kaluar, në veri të Sirisë. Ndër ta, së paku 50 familje të krishtera, që pjesërisht, mbahen akoma peng. Të dëgjojmë nuncin apostolik në Siri, imzot Mario Zenari:

         Përfunduan para disa ditësh bisedimet për 52 familje, që duhej të liheshin të lira me grupe, brenda 5 ditësh. Por tre autobusët e fundit, gjithnjë të shoqëruara nga Isis, para se të arrinin në destinacion, ranë në një pritë. Sipas lajmeve që kam unë, kanë marrë peng edhe njerëz të tjerë nga tre fshatra, për të mbuluar tërheqjen. Nuk është hera e parë që civilët përdoren si mburoje njerëzore. E po shkatërrohet edhe trashëgimia artistiko-kulturore. Do të ishte vërtet humbje e madhe.

         Në Siri ka një luftë civile, që vazhdon prej katër vjetësh, dhe një luftë me integralistët islamikë të Isis. Në jug, regjimi i al Asadit ka lëshuar fuçi-bomba me gaz toksik. Ç’po ndodh në terren?

         Konflikti është intensifikuar gjatë javëve të fundit. Edhe në Damask kanë shtënë me mortaja. Fatkeqësisht, në vitin e katërt të luftës civile, thirrjet për ndalimin e dhunës bien në vesh të shurdhër. Nisma e disa vendeve evropiane për t’ua ndaluar kthimin të ashtuquajturve “luftëtarë të huaj”, që nisen për të hyrë në radhët e Isisit, më bën të mendoj se mbyllen dyert e stallës kur buajt kanë ikur tashmë. Në të vërtetë, ajo që i ka sjellë shumë të këqia Sirisë, është ardhja e xhihadistëve nga vendet e Kaukazit, nga vendet e tjera arabe. Këta, duke mos e njohur realitetin dhe kontributin e të krishterëve, filluan të bënin kërcënime të veçanta e të krijonin probleme të rënda. Mendoj se mbyllja e kalimit për këta xhihadistë është një hap urgjent dhe i domosdoshëm. 








All the contents on this site are copyrighted ©.