Kujtojmë më 11 mars një grup martirësh të fesë katolike, vrarë nga komunisët te Zalli i Kirit, në periferi të Shkodrës, më 11 mars 1948.
Që kujtimi i tyre të mos humbasë, por të bëhet shembull për breznitë e sotme e
ato të ardhshme, është detyrë, ti kujtojmë shembujt e ndritur të Fesë e të Atdheut,
sot ndërmjet tyre kujtojmë Imzot Frano Gjinin, Atë Mati Prendushin e Atë Çiprjan Nikën,
për të cilët tashmë ka filluar procesi dioqezan i beatifikimit.
Ishte data 11 mars 1948 kur shkodranët e tmerruar dëgjuan përsëri të shtëna mitralozi
te Zalli i Kirit. Flijoheshin këtë ditë për Krishtin e për Shqipërinë, përveç tre
meshtarëve të lartpërmendur, edhe Monsinjor Nikollë Deda bashkë me 12 besimtarë katolikë.
Imzot Frano Gjini:
Lindi në Shkodër në vitin 1886. Pasi kreu Kolegjin Saverian, vijoi studimet në Universitetin
Urbanian në Romë. Menjëherë pas shugurimit u kthye në Atdhe dhe filloi shërbimin meshtarak
si famullitar në Laç, Vlorë e Durrës. Më 1930 u emërua Ipeshkëv i Durrësit; dy vjet
më vonë - Ipeshkëv i Abacisë së Mirditës me selí në Orosh; më 1945, pas largimit të
delegatit apostolik, Imzot Nigris, nga Shqipëria, u emërua nga Selia e Shenjtë zëvendës-delegat
apostolik. Ishte e para herë që një shqiptari i besohej një detyrë kaq e lartë.
U arrestua në tetor 1946 me akuzën "agjent i Vatikanit" së cilës s'munguan t'i shtoheshin
edhe akuza të tjera. Gjeti në qeli pjesën kryesore të sivëllezërve në meshtari. Por
atij, si zevendës-delegat, iu bë një trajtim i posaçëm: mbi trupin tij komunistët
eksperimentuan të gjitha llojet e torturave, për ta bindur ta shkëpuste Kishën katolike
nga Selia e Shenjtë. Qëndroi si shenjtë, derisa e pushkatuan më 11 mars 1948, duke
ia këputur brohoritjen e fundit: "Rrnoftë Krishti mbret! Rrnoftë Shqipnia, edhe pa
ne!".
Selia e Tij nuk mbeti e zbrazët: pas Imzot Angelo Massafrës, që tani i prin kryedioqezën
metropolite të Shkodër-Pultit, Papa Gjon Pali II emëroi Imzot Kristofor Palmierin,
rregulltar nga Bitonto (Bari), Ipeshkëv të dioqezës së Rrëshenit.
Monsinjor Nikollë Deda:
Lindi në Shkodër më 1892. Mësimet e para e të mesme i kreu në vendlindje, pranë Kolegjës
Saveriane, të lartat- në Romë (Itali) e në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar më
1917: Shërbeu në Qelës (Pukë) e Hajmel. Gjatë këtyre viteve, për shërbim shembullor
meshtarak, iu dha titulli Monsinjor.
U arrestua në dhjetor 1946. E torturuan aq, sa kur i sollën në qeli një meshtar tjetër
e nuk e njohu ai, me një humor tragjik, i tha: "Mos harro se dikur kam pasë kenë Dom
Nikollë Deda".
E gjykuan me akuzat e zakonshme në një gjyq-farsë. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua
më 11 mars 1948.
Atë Mati Prendushi:
Lindi në Shkodër më 1882. Mësimet e para e të mesme i kreu në Shkollën françeskane;
të lartat, në Grac-Austri. Meshën e parë e çoi më 1904. Më 1911 ishte pranë Dedë Gjo'Lulit,
në sa ky shpaloste në majë të Deçiqit flamurin shqiptar, larë me gjakun e bijve të
vet. Jugosllavët e dënuan me vdekje si atdhetar i flakët, por më pas ia falën dënimin.
Shërbeu si famullitar në Bajzë, Gomsiqe, Tiranë e Shkodër, ku më 1943 qe provinçal
i fretënve.
U arrestua nga komunistët më 1946 e u dënua rishtas me vdekje, këtë radhë nga bashatdhetarët
e vet, i akuzuar si tradhtar i Atdheut. U pushkatua më 11 mars 1948 te Zalli i Kirit.
Atë Çiprjan Nika:
Lindi në Shkodër më 19 korrik 1900. Mësimet fillore e të mesme i kreu në Shkodër,
të lartat - në Austri. U shugurua meshtar më 1924. Më 1938 qe provinçal i fretërve;
nga viti 1943 deri më 1936 - guardian i kuvendit françeskan në Shkodër. U arrestua
më 1946 me akuzën e fshehjes së armëve në kishën françeskane, armë të vendosura aty
nga vetë sigurimi, histori që është shtjelluar gjërë e gjatë nga Nikë Stajka, i pranishëm
në këtë skenë kulmore të tragjedisë së Kuvendit të Gjuhadolit, në librin "Dera e Thyeme".
U pushkatua pa gjyq më 11 mars 1948.
Mbeti në kujtesën e atyre që e njohën, si meshtar shenjt, i përvuajtur, i kulturuar,
atdhetar, muzikant e shkrimtar i talentuar: përmbushte kështu të gjitha kushtet, të
cilat në Shqipërinë komuniste të çonin në pushkatim.
All the contents on this site are copyrighted ©. |