2015-03-11 14:02:00

Papa: roli i gjyshërve në familje: “Poetë të lutjes”


“Shoqëria ka prirjen t’i përjashtojë të moshuarit, po Zoti nuk i përjashton kurrë, i thërret ta ndjekim në çdo stinë të jetës”. Kështu u shpreh sot Papa në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë së cilës vijoi reflektimin kushtuar gjyshërve, nisur të mërkurën e kaluar, duke u përqendruar posaçërisht mbi vlerën dhe rëndësinë e rolit të tyre në familje.

Familjet duhet t’i pranojnë njerëzit e moshuar me mirënjohje, duke marrë prej tyre dëshminë e urtisë, aq të nevojshme për breznitë e reja. Kjo është porosia e Papës së moshuar, që sot u bë zë i gjithë moshatarëve.

Edhe unë jam në moshën e gjyshërve

Edhe unë i përkas kësaj breznie. Kur isha në Filipine, filipinasit, banorët e Filipineve, populli filipinas më përshëndeste me fjalët “Lolo Kiko”, domethënë “Gjyshi Françesk”. E pra, fatkeqësisht, shoqëria e sotme ka prirjen t’i shikojë pleqtë si hedhurina, t’i përjashtojë nga jeta e përditshme. Shoqëria po, por jo Zoti:

“Zoti nuk përjashton kurrë. Ai na thërret ta ndjekim pas në çdo moshë të jetës, sepse edhe mosha e shtyrë e ka një hir, një mision, një thirrje të vërtetë nga Zoti. Vetë mosha e shtyrë është thirrje. Nuk është ende çasti t’i tërheqësh rremat nga varka, nuk mbaron këtu lundrimi".

Pleqëria na jipet për t’u lutur: lutja e pleqve është dhuratë

Duke reflektuar për fragmentin ungjillor të Lukës, kushtuar paraqitjes së Jezusit në Tempull nga Maria e Jozefi, në çastin kur Simeoni e Ana, pleq të jashtëzakonshëm, e harruan barrën e moshës e zbuluan, në Krishtin Fëmijë, një forcë të re, një detyrë të re: atë të falënderimit e të dëshmimit për këtë Shenjë të Hyjit, Papa i ftoi besimtarët të bëhen “poetë të lutjes”. Kemi nevojë, theksoi, për pleq që luten, sepse mosha e shtyrë na jepet pikërisht për këtë, e  urata e tyre është dhanti e madhe. Lutja e pleqve, e gjyshërve, është dhuratë për Kishën, është pasuri! Një injeksion urtie edhe për mbarë shoqërinë njerëzore; posaçërisht për atë, që është tepër e zënë me punë, tepër e pushtuar nga nxitimi, tepër hutuar.

Shembulli i Benediktit XV

INë këtë perspektivë, një mendim për paraardhësin e tij: “Të shikojmë Benediktin XVI, që zgjodhi kalimin në lutje e në dëgjimin e Hyjit në hapat e fundit të jetës”.  

Pleqtë, shembull besnikërie bashkëshortore

Duke u ndaluar tek Dita e të moshuarve, kremtuar vitin e kaluar në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku kujtoi jo vetëm histori nga jeta e pleqve, që u shërbejnë të tjerëve, por edhe nga jeta e bashkëshortëve që, me kalimin e viteve, lidhen me njëri–tjetrin aq, sa të arrijnë në kremtimet fatlume të 50 a 60 vjetorit të martesës.

Atëhere Papa ftoi të reflektohet për këtë periudhë të jetës, që të shikohet  me sy tjetër, madje të rishikohet, sepse shoqëritë tona nuk janë gati, shpirtërisht e moralisht,  ta vlerësojnë si duhet moshën e bardhë. Edhe përshpirtëria e krishterë  është  zënë paksa në befasi,  prej këndej, duhet përvijuar përshpirtëria e të moshuarve, mbasi një herë e një kohë nuk ishte normale të kishe kohë të lirë, ndërsa sot është shumë më tepër. Nga ana tjetër pleqtë, duke u lutur, mund ta falënderojnë Zotin për dhuratat e marra, duke e mbushur, kështu, zbraztësinë e mosmirënjohjes, që i rrethon:

“Mund të ndërmjetësojmë për shpresat e breznive të reja e t’i japim dinjitet kujtesës dhe flijimeve të brezinve të kaluara. Ne mund t’u kujtojmë të rinjve ambiciozë se jeta, pa dashuri, është jetë shterpë. T’u themi të rinjve, që kanë frikë, se mund ta mposhtin ankthin e së ardhmes. Mund t’u mësojmë të rinjve tepër të dashuruar me vetveten, se gëzimi është më i madh kur jep, sesa kur merr”.

Inkurajimi i të rinjve

Gjyshërit e gjyshet formojnë atë, që Papa e quajti “korale e përhershme e  shenjtërores së madhe shpirtërore”, në mbështetje të bashkësisë, që punon e lufton në fushën e betejës për jetën. Lutja, pastaj, e pastron vazhdimisht zemrën, duke parandaluar rrezikun që të bëhet gur nga mëria dhe egoizmi:

“Sa i mbrapshtë është cinizmi i plakut, që ka humbur ndjenjën e dëshmisë, që i përbuz të rinjtë e nuk ua përçon urtinë e jetës! E sa i bukur, inkurajimi i plakut, që i lë të riut, në kërkim, trashëgimin më të çmuar: kuptimin e fesë e të jetës”.

Kisha ta sfidojë kulturën e hedhurinës, për përqafimin e të rinjve e pleqve

Ky është, pra, misioni i gjyshërve, thirrja e  pleqve, sipas Papës, sepse, shpjegoi, fjalët e gjyshërve kanë diçka të posaçme, tërheqëse, për të rinjtë. Vetë Françesku, siç tregoi, i ruan në Breviar fjalët, që i shkroi gjyshja ditën e shugurimit të tij meshtarak:

“Sa do ta dëshiroja një Kishë, që e sfidon kulturën e hedhurinës me gëzimin e një përqafimi ndërmjet të rinjve e pleqve!”.

Gjatë përshëndetjeve përfundimtare në gjuhë të ndryshme, Papa, ndërmjet tjerëve, përshëndeti në mënyrë të posaçme shtegtarët nga Koreja, duke theksuar se e kujton gjithnjë vizitën që bëri gushtin e kaluar në vendin aziatik. Ndërsa shtegtarët italianë, duke u kujtuar 500-vjetorin e lindjes në Avila të Shën Terezës së Jezusit, i nxiti, në këtë kohë kreshmore, të angazhohen për ndërtimin e një shoqërie me masën  e njeriut në të cilën, përfundoi, ka vend për mirëpritjen e gjithkujt, posaçërisht kur është i moshuar, i sëmurë, i varfër, i pambrojtur, i brishtë.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.