2015-03-10 14:31:00

Papa do të shkojë në Argjentinë në vitin 2016


Papa Françesku do të shkojë për herë të parë në Argjentinë, pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, në vitin 2016, me kusht që të gjendet mënyra për të caktuar një datë të përshtatshme, në mes të udhëtimeve të tjera. Kështu deklaron vetë Ati i Shenjtë për gazetën “Carcova News”, që botohet nga të rinjtë e një famullie në periferi të Buenos Ajresit. Intervista u regjistrua nga famullitari, José Maria di Paola, i njohur si “atë Pepe”, janarin e kaluar në Shtëpinë e Shën Martës.

Realiteti shihet më mirë nga periferia

         Me rastin e përvjetorit të dytë të papnisë së Françeskut, që kremtohet më 13 mars, gazeta vë në dukje edhe një herë temat e dashura për Horhe Mario Bergoljon, të mirënjohura në këtë periferi të kryeqytetit argjentinas, e cila bën pjesë në të ashtuquajturat “villa miseria”. Të rinjtë e pyesin Papën ç’mendon për fanatikët, që kërcënojnë jetën e tij, por Ati i Shenjtë përgjigjet se jeta është në duart e Zotit e se nuk e ka ndërmend të kufizojë vizitat e udhëtimet. “Realiteti – thekson – shihet më mirë nga periferia se nga qendra, sepse nëse dalim nga qendra e largohemi prej saj, zbulojmë më shumë gjëra”.

Në zgjedhje të mos hyjnë interesa financiare

         Përsa u përket sugjerimeve për politikanët argjentinas, në vitin e zgjedhjeve të përgjithshme, Papa Françesku, pa u ndalur në ndonjë temë të veçantë, nënvizon metodologjinë, e cila vlen edhe për vende të tjera. U kërkon të gjithëve të paraqesin një platformë të qartë zgjedhore, ku secili të thotë ç’ka ndërmend të bëjë konkretisht nëse zgjidhet. Sidomos, ipeshkvi i Romës uron që fushata zgjedhore të jetë falas, jo e financuar. “Sepse – thekson Papa – në financimin e fushatës zgjedhore hyjnë në lojë interesa të shumta, që pastaj paraqesin llogarinë”. Natyrisht, pranon Ati i Shenjtë, ka gjithnjë nevojë për të financuar manifestimet, televizionin, por mbledhja e fondeve duhet bërë në mënyrë transparente.

Prindërit t’u transmetojnë fenë fëmijëve

         Për të rinjtë e periferisë, ku ekziston problemi i drogës e i trafikantëve, Papa Françesku u kërkon prindërve t’u transmetojnë atyre vlerat e vërteta, si përkatësia në vatrën familjare, dashuria e sidomos feja. I fton të gjithë të mbajnë në xhep një Ungjill të vogël, për t’u kujtuar për praninë e Zotit në jetën e secilit. Jo vetëm kaq, por të bëjnë gjeste dashurie për të tjerët, t’i ndihmojnë, t’i dëgjojnë, jo thjesht të mbledhin informacion. Të mësojmë t’i shtrëngojmë dorën tjetrit, jo ta njohim përmes internetit. “Dashuria virtuale nuk ekziston”, përfundon Papa.








All the contents on this site are copyrighted ©.