2015-03-10 12:23:00

Françesku: Zoti më jep ndjesën, por do që ta jap edhe unë


Për t’i kërkuar ndjesë Zotit, duhet të ndjekim mësimin, që na jep “Atyna”: të pendohemi me sinqeritet për mëkatet, duke ditur se Zoti na ndjen mëkatet tona gjithmonë dhe, duhet të falim edhe ne të tjerët me të njëjtën zemërgjerësi. Papa Françesku reflektoi sot mbi një argument, lidhur me periudhën kreshmore që po kalojmë, në homelinë e meshës së mëngjesit kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan.

“Kërkoj ndjesë” jo “më fal”

Zoti është i gjithëpushtetshëm, nënvizoi Ati i Shenjtë, por edhe Ai i Lumi ndalet para një zemre, që e mban portën mbyllur, pa falur askënd. Në Ungjillin e ditës nga Mateu 18,21-35, Jezu Krishti na mëson të falim “70 herë 7”. Por, gjithçka nis nga mënyra se si ne vetë i kërkojmë ndjesë Hyjit. Azaria profet, si tregon Libri Danielit 3,25.34-43  kërkon mëshirë për mëkatet e popullit të vet, i cili vuante për shkak se i kishte braktisur ligjet e Zotit. Azaria, vuri në dukje Papa, nuk proteston, nuk ankohet para Zotit për vuajtjet, por kupton fajin e popullit të vet e pendohet:

“Të kërkosh ndjesë është diçka tjetër nga kërkimi i faljes. Gaboj? Më fal, gabova! … Mëkatoj? Është diçka tjetër, që s’ka të bëjë me të parën. Mëkati nuk është gabim i thjeshtë. Mëkati është idhujtari, është adhurim i idhullit, idhullit të kryelartësisë, të kotësisë, të parasë, të ‘vetvetes’, të mirëqenies… Shumë idhuj kemi. Prandaj, Azaria nuk kërkon falje: kërkon ndjesë”.

Jepja ndjesën kujt të ka bërë keq

Ndjesa duhet kërkuar me sinqeritet, me zemër e, me zemër i duhet dhënë atij, që të bën keq. Këtë na mëson Jezusi me lutjen e “Atynës”:

“Jezusi na mëson ta lusim kështu Atin Qiellor: ‘Na i fal fajet tona, ashtu si i falim ne fajtorët tanë’. Nëse nuk jam në gjendje të fal, nuk jam në gjendje as të kërkoj ndjesë. ‘Por, more atë, unë shkoj të rrëfehem…’. ‘E çfarë bën para se të rrëfehesh?’. ‘Po, mendoj për gjërat, që i kam bërë keq’. ‘Po mirë’. ‘Pastaj, i kërkoj ndjesë Zotit e premtoj të mos i bëj më’. ‘Shumë mirë. E pastaj shkon tek meshtari? Po më parë të mungon diçka: a i ke falur të gjithë ata, që të kanë bërë keq?’”.

Të vetëdijshëm për mëkatin 

Me një fjalë, përmblodhi mendimin e vet Papa Françesku, falja e Zotit kërkon faljen për të tjerët:

“Këtë na mëson Jezusi mbi faljen. Së pari: të kërkosh ndjesën nuk është njëlloj si të kërkosh faljen e thjeshtë; do të thotë të jemi të vetëdijshëm për mëkatin, për faktin se jemi bërë idhujtarë, me shumë idhuj. Së dyti: Zoti na e jep gjithnjë ndjesën, gjithnjë. Por na kërkon që edhe ne t’ua japim të tjerëve. Nëse unë nuk e jap ndjesën, në një farë mënyre, ia mbyll portën ndjesës së Zotit. ‘Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.