2015-03-09 14:55:00

“Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve. Pagëzimi


Vijojmë rubrikën “Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve. Duke shfletuar librin ndihmës të Françeskut për udhën tonë kreshmore, arrijmë tek shtatë Sakramentet, që nisin me  Pagëzimin.

Pagëzimi është sakramenti i parë, që marrin. Përmes tij lindim për një jetë të re, sepse në shpirtin tonë vepron vetë Zoti, nëpërmjet Birit të Tij. Me ujin e pagëzimit bëhemi bij në shpirt të Atit. “Të gjithë pagëzohemi në një të vetmin Shpirt Shenjt” (1 Kor 12,13). E nga kjo vjen edhe porosia e Krishtit, drejtuar Kishës mbarë, duke përshëndetur Apostujt pas ringjalljes: “Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!” (Mt 28,19):

Lexojmë në doracakun e Papës për Pagëzimin:

“Pagëzimi shlyen mëkatin e rrjedhshëm, të gjitha mëkatet personale e edhe dënimet, pasojë e mëkatit; na bën të marrim pjesë në jetën hyjnore trinitare, përmes hirit shenjtnues, hirit të shfajsimit; na bën bij të Zotit e gjymtyrë të Kishës së Tij; na bën të marrim pjesë në meshtarinë e Krishtit e përbën themelin e bashkimit të të gjithë të krishterëve. Na jep pa kursim virtytet teologale e dhuratat e Shpirtit Shenjt. I pagëzuari i përket përgjithnjë Krishtit: është i vulosur me vulën e pashlyeshme të Zotit”.

E, nuk duhet harruar se gjuha e shkruar shqipe fillon  pikërisht me Formulën e Pagëzimit, datuar 1462: “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”, që gjendet në një qarkore shkruar latinisht nga Kryeipeshkvi i Durrësit, imzot Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.