2015-03-09 13:44:00

Papa: stili i Hyjit është heshtja, jo shfaqja


Hyji vepron në përvujtëri e në heshtje, stili i tij nuk është të japë shfaqje: këtë theksoi Papa në Meshën e sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Në Ungjillin e ditës Jezusi i qorton banorët e Nazaretit për mungesë feje: në fillim, kujtoi Papa, e dëgjonin me admirim, por pastaj shpërtheu inati, nisën ta përbuznin, ta shpërfillnin:

“Në këtë çast, kur turma e dëgjonte me kënaqësi Jezusin, ndërmjet saj ishin edhe nja dy a tre vetë, të cilëve nuk po u pëlqente fare fjala e Tij e ndoshta-ndoshta ndonjë gjuhëgjatë u ngrit e tha: ‘Po ky, për çka vjen e na flet? Ku mësoi ky, për të na i thënë këto gjëra? Të na e tregojë një herë diplomën!  Në ç’universitet studioi? Ky s’është tjetër, veçse i biri i zdrukthëtarit, të cilin e njohim fare mirë të gjithë’. Kështu thanë nja dy a tre e  kaq u desh që në turmë të shpërthente tërbimi e më pas, edhe dhuna. E dëbuan, atëhere, jashtë qytetit, e çuan deri në zgrip të malit, ku niste gremina e deshën ta  flaknin në hon”.

Leximi i parë fliste për Naamanin, komandant i ushtrisë sire, i gërbulur, Profeti Elizè e këshilloi të lahet shtatë herë në lumin Jordan, për t’u shëruar. Atëherë edhe ai u tërbua, nga që priste ndonjë gjest shumë më të madh, sesa një lagie të thjeshtë në ujin e lumit. Por pastaj, duke dëgjuar këshillat e shërbëtorëve, bëri atë, që i tha Profeti e gërbula u zhduk. Si banorët e Nazaretit, ashtu edhe Naamani, shpjegoi Papa, donin të shikonin shfaqje, por stili i Hyjit të mirë nuk është të japë shfaqje. Hyji vepron në përvujtëri. Në heshtje. Në sende të vogla. Kjo, nënvizoi Françesku, nis që nga Krijimi, kur Zoti nuk merr shkopin magjik, por e krijon njeriun me baltë. Është stil, që përshkon gjithë historinë e shëlbimit:

“Kur deshi ta çlirojë popullin e vet, e çliroi për fenë e besimin që kishte në një njeri, Moisiun. Kur deshi të binte qyteti i fuqishëm i Jerikos, e bëri këtë me anën e një prostitute. Edhe për kthimin e samaritanëve, shtiu në punë  një mëkatare tjetër. Kur e nisi Davidin të luftojë kundër Golisë, shumëkujt iu duk marrëzi: Davidi i vogël, i armatosur vetëm me bahre, përballë një luftëtari të pathyeshëm deri atë çast. Davidi i vogël, i armatosur vetëm me gurë zalli, përballë viganit të mbërthyer në hekur, me shpatë të mprehtë… Kur u kumtoi Mbretërve dijetarë se kishte lindur një Mbret, Mbreti i madh, kë shkuan e gjetën ata? Një foshnjë mbi kashtë, në grazhd! Gjërat e thjeshta, përvujtëria e Hyjit, ky është stili hyjnor, kurrë shfaqja, dukja, zhurma”.

Papa kujtoi edhe tundimet e Jezusit në shkretëtirë: edhe këtu, shikojmë tundimin për të dhënë shfaqje! Shejtani e fton të hidhet nga maja e tempullit që, duke parë mrekullinë, njerëzit të besonin në të. Por Zoti nuk vepron kurrë kështu. Zoti zbulohet në thjeshtësi, në përvujtëri.

Na bën mirë në këto Kreshmë, përfundoi Papa Françesku, të mendojmë sa na ka ndihmuar Zoti gjatë jetës sonë, si na ka bërë të ecim përpara, e do të shikojmë se këtë e bëri gjithnjë përmes gjërave të vogla:

“Kështu vepron Zoti: bën gjëra të thjeshta. T’i flet heshturazi zemrës. Kujtojmë sa herë i kemi dëgjuar këto gjëra gjatë jetës sonë: përvujtëria e Zotit e stili i tij; thjeshtësia e Zotit e stili i tij. E edhe në kremtimin liturgjik, në sakramentet, është bukur të shohim përvujtërinë e Zotit e jo shfaqjet e kësaj bote. Na bën mirë ta përshkojmë me mendje jetën tonë e të meditojmë për të gjitha çastet kur Zoti na vizitoi me hirin e tij, e gjithnjë me këtë stil, që na e kërkon edhe ne: stil i përvuajtur”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.