2015-03-09 14:06:00

Letër e Papës për të krishterët e fshehur në Japoni


Nga 14 deri më 17 marsin e ardhshëm, Kisha japoneze do të kremtojë 150 vjetorin e daljes së të krishterëve të fshehur, besimtarë që, pas 250 vjet persekutimi, fituan, më në fund, të drejtën ta dëshmonin lirisht fenë e tyre. Me këtë rast do të shkojë në Nagasaki kardinali Orlando Quevedo, kryeipeshkëv i Kotabatos, në Filipine, i dërguar i posaçëm i Atit të Shenjtë për këtë rast. Papa i shkroi një letër, që do ta shoqërojë në këtë mision.

Është ftesë drejtuar besimtarëve për të marrë pjesë në festën e Kishës japoneze, por edhe shprehje e nderimit për martirët e shumtë, që dhuruan jetën, për të jetuar Kisha në viset e tyre. Papa Françesku, duke dhënë Bekimin Apostolik për kremtimet e ardhshme në Japoni, kujton dëshminë e shumë të krishterëve japonezë, që e mbajtën të gjallë flakën e fesë në shekujt e errët: histori, kjo, nga e cila mund të mësojmë shumë të gjithë, siç e pati nënvizuar Papa edhe në audiencën e përgjithshme të 15 janarit:

“Është shembullore historia e bashkësisë së krishterë në Japoni. Ajo pësoi një persekutim gjakatar në fillim të shekullit XVII. Qenë të shumtë martirët, anëtarët e klerit u dëbuan e mijëra besimtarë u mbytën. Në Japoni nuk mbeti asnjë meshtar. Të gjithë u detyruan të largohen”.

E kjo ndodhte në vitin 1597, 50 vjet pas arritjes së jezuitëve një herë e, pastaj, françeskanëve e domenikanëve, ngaqë diktatori besonte se pas apostullimit fshiheshin orvatjet për pushtime ushtarake. Që asokohe të krishterët u bënë “kakure”, që në japonisht do të thotë “të fshehur”, besimtarë katakombesh. Duke mos pasur më meshtarë, baballarët nisën t’i pagëzonin vetë fëmijët e familjarët zunë vendin e meshtarit në transmetimin e fesë nga breznia në brezni. Shumë vdiqën, të mbytur in odium fidei: ndërmjet tyre, 26 martirët e Nagasakit e 188 të tjerë, që flijuan jetën gjatë valës së dytë të persekutimit, ndërmjet viteve 1603 e 1639: gra, fëmijë, familje të tëra. Po bashkësia i bëri ballë kësaj situate, duke i maskuar simbolet pas atyre budiste e duke rilindur për një jetë të re vetëm në vitin 1865, kur Japonia ia rihapi portat misionarëve francezë të cilët, të Premten e Madhe kremtuan Mundimet e Zotit para dhjetëmijë besimtarëve, të dalë nga heshtimi shekullor, siç kujtoi Papa:

“Mbijetuan falë hirit të Pagëzimit të tyre! Kjo është e madhe: Populli i Hyjit transmeton fenë, pagëzon fëmijët e shkon përpara. E ruajtën, edhe pse fshehurazi, frymën e bashkësisë, sepse Pagëzimi i kishte bërë një korp i vetëm në Krishtin: ishin të izoluar, të fshehur, por gjithnjë gjymtyrë të Popullit të Hyjit, anëtarë të Kishës”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.