2015-03-08 15:54:00

Udha e Kryqit në Koloseum


Papa Françesku i kërkoi imzot Renato Corti-t,  ipeshkëv nderi i Novarës, të përgatisë tekstet për meditimet e Udhës së Kryqit që, sipas traditës, do të kremtohet në Koloseum, të Premten e Madhe, më 3 prill. Imzot Corti, 79 vjeç, kryesoi Ushtrimet Shpirtërore për Kurien Romake në ditët e fundit të Gjon Palit II. E pyetëm prej nga u frymëzua për meditimet e këtij viti:

Përgjigje: - U frymëzova nga fjalët e para, që lexoi Françesku, kur u bë Papë. Sepse ishte dita e festës së Shën Jozefit e ai foli për Shenjtin, si rojtar, si kujdestar i Marisë e i Jezusit. Mora, sidomos, një frazë të posaçme, në të cilën pohohet se Kryqi është maja e ndritshme e dashurisë së Hyjit, që na mbron e na ruan. Më duket se edhe ne jemi të thirrur të bëhemi rojtarë të njeriut, për dashuri të Zotit. Kjo temë kujtohet edhe në Letrën e Shën Palit drejtuar Efezianëve, kur flet për përmasën e dashurisë hyjnore: gjerësinë, gjatësinë, lartësinë e thellësinë e dashurisë së Hyjit për njeriun. Këto përmasa, në një farë mënyre, pasqyrohen në stacionet e ndryshme. Ndërsa në zhvillim, ndalohem posaçërisht tek mënyra si na ruan Hyji: mendoj për Fjalën e Zotit si rojë, për Eukaristinë si rojë, faljen si rojë, dhuratën e shpresës. E kujtoj edhe ndonjë fakt të rëndë, që ekziston e që është mohimi i rojës, si për shembull, e keqja që mund t’u bëhet të rinjve, braktisja e të varfërve, harresa e themeleve të paqes, që na i kujtoi Papa Gjoni XXIII: e vërteta, drejtësia, liria e dashuria.

Pyetje: - Temat e aktualitetit, në meditimet tuaja?

Përgjigje: - Flas qartë për pikat e nxehta, për shembull për dënimin me vdekje, që duhet ndaluar; për torturën, që duhet shlyer nga faqja e dheut; për sjelljen çnjerëzore ndaj të pafajshëmve, që mbyten mizorisht; për fëmijët ushtarë, trafikun e njerëzve. Por kujtoj edhe përvojën e mrekullueshme të atyre, që përhapin shpresën nëpër botë: për motrat misionare, që mbledhin fëmijët e braktisur apo të miturit e shfrytëzuar si ushtarë e i rikthejnë në jetë, duke u dhënë përsëri dinjitetin e humbur. Këto janë shenjat e Mbretërisë së  Hyjit, që vjen.

Pyetje: - Si e sa janë të pranishëm, në tekstet tuaja, shqetësimet për fatin e të krishterëve të persekutuar në vise të ndryshme të botës?

Përgjigje: - Unë po e provoj këtë përvojë shpirtërore. Provoj se kjo situatë ndërkombëtare, kaq e vështirë dhe e errët për të ardhmen, na bën ne, të krishterët, ta kuptojmë më qartë se Ungjilli është prijësi më i mirë për njeriun e se nuk ka gjë në botë që mund ta mbrojë aq, sa takimi me Jezu Krishtin, fat vërtet i madh, ky.

Pyetje: - A ka ndonjë risi në formën  e konceptimit të këtyre meditimeve?

Përgjigje: - Unë vendosa të vihem në kundrimin e Jezusit, ndërsa përshkon Udhën e Kryqit e të depërtoj ndër mendimet e Tij, në këto çaste. Dëshiroj të shpreh Zotin, duke ia dhënë pikërisht Atij fjalën. E pastaj, është edhe një aspekt plotësues: i jepet fjala njerëzve, që marrin pjesë në Udhën e Kryqit, domethënë ne, prej këndej përdor vetën e parë njejës e edhe atë shumës. Nuk ka asgjë përshkruese, gjithçka është përpjekje për t’u vënë në vend të tjetrit, për të marrë pjesë gjallërisht në ngjarjet, që i ndodhin tjetrit.  








All the contents on this site are copyrighted ©.