2015-03-08 15:38:00

Françesku falënderon të gjitha gratë, në festë!


Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në këtë Kohë Kreshmësh, Papa i porositi besimtarët të qëndrojnë pranë njerëzve, që kalojnë çaste të vështira. Më pas, me rastin e festës së 8 marsit, u drejtoi përshëndetjen e tij të përzemërt të gjitha grave të botës, që përçojnë nga breznia, në brezni, aftësinë për ta parë botën me syrin e butë e të ëmbël të nënës, duke i  falënderuar vëllazërisht ato, që punojnë në Kishë.

Gjatë këtyre Kreshmëve, porositi Françesku duke iu drejtuar mijëra besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, të mos e harrojmë njeriun, që vuan. Të jemi gjithnjë pranë tij.

Më pas, kujtimi i festës së 8 marsit, pasuar nga urimi i përzemërt:

“Përshëndetje të gjitha grave, të cilat përpiqen çdo ditë të ndërtojnë një shoqëri më njerëzore e më mikpritëse. E një falënderim vëllazëror atyre, që e dëshmojnë Ungjillin në njëmijë mënyra, duke punuar në Kishë”. Rast i përshtatshëm, kjo Ditë, shtoi Françesku, për të pohuar rëndësinë dhe nevojën e pranisë së grave në jetë:

“Një botë, në të cilën gratë shtypen e ndrydhen, është botë shterpë, sepse gratë jo vetëm sjellin jetë, por përçojnë edhe aftësinë për të shikuar përtej, për ta kuptuar botën, parë me sy të tjerë, për t’i ndjerë gjërat me zemër më krijuese, më të durueshme, më të butë, më të ëmbël”.

Në qendër të katekizmit të Papës, episodi i dëbimit të tregtarëve nga tempulli, sipas faqes së Ungjillit të së dielës. Sjellje kjo, që u la mbresa të thella si njerëzve të pranishëm, ashtu edhe dishepujve, të cilët e pyesin Jezusin për domethënien e këtij gjesti profetik, i cili kuptohet vetëm në dritën e Pashkëve të Zotit. Jezusi u përgjigjet: “Rrënojeni këtë tempull, e unë do ta rindërtoj në tri ditë”, duke pasur parasysh tempullin e gjallë të korpit të vet, që do të shkatërrohej nga vdekja në kryq, por edhe do të rikthehej përgjithnjë ndërmjet të gjallëve në të tretën ditë. Është kumti i parë i vdekjes dhe i ringjalljes së Krishtit:

“E Krishti i ngjallur është pikërisht vendi i takimit universal - i të gjithëve – ndërmjet Hyjit e njerëzve!”.

Prej këndej, ftesa për të ecur në botë si Jezusi e për të qenë shenjë e dashurisë së Tij për vëllezërit, posaçërisht për më të ligshtët e më të varfërit:

“Po të jemi dëshmitarë të këtij Krishti të gjallë, shumë njerëz do ta takojnë në ne, në dëshminë tonë. Por - ta pyesim veten – a ndjehet Zoti si në shtëpi të vet në jetën tonë? A e lejojmë të na e spastrojë zemrën e t’i flakë që aty idhujt: lakminë, zilinë, mendësinë e botës, smirën, urrejtjen, zakonin për t’i përgojuar e për t’i shpërralluar të tjerët?”.

Secili, sqaroi Françesku, mund t’i përgjigjet vetvetes, në heshtje, në zemër të vet, pa frikë se do t’i hyjë kush në kamxhik”: “Jezusi nuk e përdor kurrë kamxhikun. Spastron me butësi, me mëshirë, me dashuri. Mëshira është mënyra që përdor për të bërë pastrimin e  zemrave”. T’ia hapim portën, që t’i pastrojë sadopak edhe zemrat tona, porositi Françesku. Ta lëmë të hyjë në jetën tonë, në familjen tonë, në shpirtin tonë!








All the contents on this site are copyrighted ©.