2015-03-06 13:09:00

Të krishterët, më të persekutuarit në botë: takim i mercedarëve në Nemi


“Të krishterët, më të persekutuarit në botë”. Ky është titulli i konferencës, që fillon sot e përfundon të dielën në Nemi, pranë Romës. Organizuar nga Urdhëri i Mercedarëve, në takim reflektohet për dramën e persekutimeve fetare në botë, veçanërisht në Lindjen e Mesme, Indi e Afrikë. Kujtojmë se mercedarët lindën në vitin 1218 pikërisht me synimin për të ndihmuar vëllezërit e krishterë, skllevër të saraçenëve. Themeluesi i tyre, Pietro Nolasco, ishte tregtar laik, që mori me vete edhe shokë të tjerë e si të krishterë përdorën jo vetëm pasuritë, por edhe jetën e tyre për t’i çliruar e për t’i ndihmuar vëllezërit e persekutuar. Përgjegjësi i baritorisë së mercedarëve të Provincës së Romës, atë Giuseppe Celano, famullitar i kishës së Zojës së Mercedes në kryeqytetin italian, shpjegon, në mikrofonin tonë, se në fund të konferencës, do të ketë një nismë në favor të Irakut. Për çfarë është fjala:

         Eprori ynë provincial, atë Franco Podda, i dërgoi një e-mail imzot Bashar Matti Warda, kryeipeshkvit kaldeas të Erbilit, duke i komunikuar vullnetin tonë për të nisur një binjakëzim me kryedioqezën e tij, për t’u qëndruar afër mijëra refugjatëve të krishterë të persekutuar, që kanë lënë papritmas shtëpitë e tyre për të ikuar nga dhuna e Isis. Jemi në pritje të përgjigjes së tij, që do të na sqarojë edhe më tej gjendjen e vuajtjen e shumë vëllezërve tanë, veçanërisht të fëmijëve, me atë fytyrë krejt të përhumbur. Përmes ndërgjegjësimit për realitetin e persekutimeve sot, takimi dëshiron të jetë mjet për të nxitur angazhimin e bashkësive mercedare në favor të vëllezërve të persekutuar në Erbil.








All the contents on this site are copyrighted ©.