2015-03-06 12:39:00

Shenjtorët e javës


E diel më 8 mars, Kisha katolike kremton te dielën e 3-të te Kreshmëve. Gjithnjë  më 8 mars kalendari përkujton  Shën Gjonin e Zotit, themelues i Kongregatës Fatebenefratelli, pajtor qiellor i të sëmurëve e i punonjësve të spitaleve.

Liturgjia e festës së tij na kujton se shijimi i të mirave të kësaj bote jo vetëm që nuk na i siguron të mirat e jetës së amshuar, por përkundrazi, na rrezikon t’i humbasim. Fati në jetën tjetër të pasosur qiellore, varet nga mënyra e përdorimit të të mirave të kësaj bote që Zoti na ka dhuruar.

Të hënën më 9 mars, kalendari kishtar përkujton Shën Françesken romake, themeluese të Oblateve të Tor’ de Speki, dyzet Martirët e Sebastes dhe Shën Katerinen e Bolonjës.

Liturgjia na kujton se mbretëria e Zotit realizohet në mënyra të ndryshme. Në se e humbasim, faji nuk është i Zotit, por yni, që s’ ditëm ta fitojmë.

Të martën më 10 mars, kalendari kishtar përkujton Shën Simpliçin, papë dhe Shën Gjonin Ogjilvič, meshtar jezuit e martir.

Liturgjia e ditës na kujtojnë se vëmendja e Jezusit për mëkatarët e shkandullon njeriun, i cili e mban veten të drejtë. E prandaj shëmbëlltyra e Djalit plëngprishës nuk e vë theksin mbi këtë qëndrim, por mbi gëzimin për shpëtimin e birit të humbur e të rikthyer tek ati.

Të mërkurën më 11 mars, sipas kalendarit kishtar përkujton Shën Maksimilianin, martir e Shën Inoçencin, papë.

Liturgjia e ditës na kujtojnë se udha që çon drejt shëlbimit kërkon edhe nga ne, si nga Naamani, të shndërrohemi, të harrojmë mburrjen e vetëdashjen e ta lëshojmë plotësisht e përvuajtërisht vetveten në dorë të Zotit.

Të enjten më 12 mars, kalendari përkujton Shën Sabinin, martir; Shën Patricien; Shën Kristinen martire e Shën Leandrin, ipeshkëv të Seviljes.

Liturgjia e ditës na kujton se kur i lutemi Zotit të na falë, ai i Lumi na tregon një rrugë paradoksale: do të falemi, vetëm në se edhe ne falim atë që kemi pranë.

Të premten më 13 mars, kalendari përkujton Shën Matilden, mbretëreshë dhe i Lumin Plaçido Rikardi, murg.

Liturgjia e ditës na kujtojnë se të jesh i krishterë nuk do të thotë vetëm t’u bindesh urdhërimeve të Tënzot. Kryesisht duhet të dëgjosh Krishtin, që është Rruga, e Vërteta e Jeta dhe ta zbatosh Fjalën e tij.

Të shtunën më 14 mars, kalendari përkujton Shën Zakarinë papë; Shën Luizen de Marijak, bashkëthemeluese të Bijave të dashurisë e Shën Klementin Hofbauer, meshtar redentorist.

Liturgjia e ditës na kujton rëndësinë e dëgjimit të fjalës së Zotit e të ballafaqimit me të, sa herë që, si farisenjtë, tundohemi të gjykojmë njerëz e ngjarje.

Të dielën e ardhshme më 15 mars, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 4-të të Kreshmëve, e po më 15 mars, kalendari përkujton edhe Shën Hilarin e Shën Tacianin, martirë të Akuilesë. Liturgjia na kujtojnë se Zoti ka fjalët e jetës.








All the contents on this site are copyrighted ©.