2015-03-06 17:00:00

Papa: shtegtim në periferi të Romës


Veprimtaria e parë e rëndësishme e Papës, si zakonisht të dielave, ishte kremtimi i lutjes së Engjëllit të Tënzot në mesditë, nga dritarja e studios së tij mbi Sheshin e Shën Pjetrit, me pjesëmarrjen e  mijëra besimtarëve.

Përsëri në mes njerëzve të periferisë

Pasdite, veprimtaria e dytë: pas takimit me bashkësitë famullitare romake të Primavalle-s dhe të Pietralatës, sot Françesku shkoi për vizitë baritore në Tor Bella Monaca, ku kremtoi Meshën në Kishën e Nënës së Shëlbuesit, në të njëjtin elter, ku pati kremtuar edhe Shën Gjon Pali II, në prill të vitit 1988.

Shtegtim i Popullit të Romës, me ipeshkvin e vet

Vijoi, kështu, udhën e tij kreshmore e njëkohësisht, edhe udhën drejt periferive të Romës e të botës. Vizita bën pjesë në shtegtimin e Popullit të Romës së bashku me ipeshkvin e vet”, si e pati kujtuar Françesku ditën e zgjedhjes së Tij në fronin e Shën Pjetrit. I paraprin veprimtarive të dendura para Pashkëve, kushtuar plotësisht periferive, lagjeve ekonomikisht e shoqërisht më të varfra të qytetit, që kanë për ipeshkëv Atin e Shenjtë. Që nga fillimi i shërbesës papnore, Françesku ka vizituar dhjetë famulli, në Romë e në rrethina, duke u takuar me të rinj, të sëmurë, meshtarë të periferisë, veprimtarë baritorë… Madje ka shkelur edhe në kampin e emigrantëve eritreas, në barakopoli, pranë famullisë së Shën Mëhillit në Pietralata. 15 minuta lutje, përqafime, biseda me këta njerëz, që jetojnë në kushte nga më të rëndat, kushte që, të paktën për 15 minuta, i harruan fare, të ngrohur e të ndritur nga prania e Papës. Mes njerëzve më të ligshtë

Ndërsa sot, takimi i ri, me banorët e Tor Bella Monaca. Sapo arriti, rreth orës 15.30, Papa shkoi menjëherë në qendrën e pritjes Shën Giovanna Antida, për t’u takuar me të sëmurët, handikapatët e pleqtë, njerëzit e vemtuar, fëmijët e gjymtë, gjithnjë në kërkim të ushqimit e të ilaçeve, që tani kanë gjetur strehë në këtë qendër. Qendra  i ndihmon familjet e varfra me ushqime e veshmbathje. U jep si ndihmë ekonomike, ashtu edhe ndihmë shpirtërore, duke i mbështetur në rrugën e formimit të tyre fetar.

Me nëntëdhjetë e nëntë  delet pa vathë, për t’u  dhënë  gëzim e shpresë

Pritej shumë këtu, prandaj, takimi me Papën, që përhap gëzim e shpresë, pikërisht atje ku gëzim e shpresë ka pak e aspak. Sepse nuk ka të ardhme. Prej këndej,  në një letër të hapur, drejtuar Papës nga  Lucia Ercoli, kryetare e shoqatës Mjekësi solidare të Tor Bella Monaca, pasi njihemi me kushtet e vëshira të jetesës në këtë periferi romake, lexojmë. “Ejani, Atë i Shenjtë! Ejani në rrugët, në sheshet, në shtëpitë, në barakat! Ejani mes bijve të tu. Ejani në gjirin e nëntëdhjetë e nëntë  deleve pa vath pa mriz! Ejani për t’i ledhatuar, për t’u  dhënë  gëzim e shpresë!”.

Këtu arriti Papa rreth orës 16.00. E menjëherë u takua me të rinjtë, djemtë e kufirit a të Murettos, emër me të cilin njihen nga të gjithë banorët e lagjes, në kujtim të një serie televizive, që flet për problemet e përditshme të një grupi djelmoshash, të cilët mblidheshin pranë një muri në Sheshin romak Mançini, ku diskutonin për  gjëra nga më të ndryshmet, nga ato shkollore, tek ato shoqërore , si racizmi, dhuna, Sida, droga etj etj. Takimi u organizua para Kishës së Nënës së Shëlbuesit. Në përfundim, Papa hyri në shenjtërore, për të kremtuar Meshën, me pjesëmarrjen e besimtarëve një për shtëpi, pajisur me bileta, sepse kisha nuk zinte më shumë, Të tjerët, e ndoqën kremtimin  në oborr, ku ishin vendosur dy ekrane të mëdha. Para kremtimtit të meshës, u takua edhe me fëmijët e katekizmit, me ata që ndjekin qendrat ditore të famullisë, me këshillin baritor e animatorët. U ndalua edhe në rrëfyestore, ku rrëfei  tre besimtarë, të zgjedhur me short ndërmjet sa e sa të tjerëve, që kishin kërkuar ta merrnin Sakramentin e  e të zgjidhurit të mëkateve nga dora e Papës.

Famullia Tor bella Monaca

Famullia e Tor Bella Monaca shtrihet në pjesën lindore të Romës. I përket Prefekturës XVII, në zonën Torre Angela, Bashkia e 6-të. U themlua më 11 tetor 1985 ne dekretin e kardinalit mëkëmbës, Ugo Poletti dhe iu besua klerit dioqezan të Romës. Famullitar është don Francesco De Franco.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.