2015-03-06 17:27:00

Papa: gjyshi i lidhur në kuzhinë, sepse ndotej kur hante


Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa u tregoi besimtarëve historinë e një gjyshi, që e kishin lidhur në kuzhinë, sepse ndotej, kur hante.

“Një herë, kur isha fëmijë, tha Papa në audiencë, gjyshja na tregonte historinë e një gjyshi plak që, kur hante, ndotej, sepse i dridhej dora e nuk mund ta çonte lugën me supë te goja. E supa i derdhej sakaq. I biri vendosi ta largonte nga sofra. I përgatiti një sofër tjetër, të vogël, që të mos bënte figurë të keqe para miqve, kur i vinin për dreka e darka. Pak ditë më vonë pa të birin me dërrasa, çekan e gozhda në dorë . Ç’po bën - e pyeti. - Një sofër, baba, që ta kem gati për ty, kur të plakesh. Fëmijët janë shumë më të ndjeshëm se ne, kujtoi Papa.

Gojëdhënë ndërkombëtare, kjo, që  kalon nga breznia në brezni, edhe në viset tona.

Madje urtia popullore shqiptare i shton edhe më: “Na ishte një herë një familje që, si të gjitha familjet, kishte nënë, babë, fëmijë, e natyrisht, edhe gjysh. Gjyshi një ditë prej ditësh u plak shumë, shumë. Nuk ulej më në sofër por hante pranë vatrës. E shpesh thyente pjatën e i vunë prandaj, një pjatë prej druri. E një ditë prej ditësh, plaku u rëndua aq, sa s’mundi më as të hajë. Atëherë i biri e hodhi mbi kurriz e, duke marrë me vete edhe djalin,  u ngjit me të në majë të një mali, buzë një gremine. E i tha të birit: “Ndihmomë pakë ta flakim në fund, që të mos dalë më i gjallë që atje”. “Dale, ia ktheu fëmija, më lërë të shikoj mirë, që  të mos gaboj, kur të të vijë ora jote për t’u rrokullisur në fund të honit”.

Babai u ndje keq. I kishte dhënë të birit një mësim, që do të përsëritej. E, që të mos ndodhte kjo, e mori përsëri në shtëpi plakun e e kujdesi, ashtu si do të dëshironte të kujdesej për të i biri, në orën e ftohtë të stinës së bardhë, kur nuk të punon këmba as dora, por vijon të të punojë, madje edhe më fort, zemra”.

Kjo, urtia e popujve, nga bjeshkët tona, në Argjentinë…

 








All the contents on this site are copyrighted ©.