2015-03-06 17:36:00

Papa: dje kryesoi Meshën në Kishën romake të Gjithë Shenjtorëve


Dje, më 7 mars, në orën 18.00, Papa Françesku kremtoi Meshën në  famullinë romake të Gjithë Shenjtorëve, në Rrugën Appia e Re. Kujtoi, me këtë kremtim, një Meshë tjetër. Atë që pati kremtuar në të njëjtën Kishë, pesëdhjetë vjet më parë, Papa Pali VI. Ishte Mesha e parë që kremtohej në gjuhën italiane, e jo latine, sipas normave të reja liturgjike, përcaktuar nga Koncili II i Vatikanit. Vizita papnore përkoi edhe me 75-vjetorin e vdekjes së Luigi Orinoe-s (12 mars 1940), një nga arsyet për të cilat, ashtu si 50 vjet më parë, Papa u ftua të kremtojë në Kishën e Gjithë Shenjtorëve. Kështu e dha eprori i përgjithshëm i orioninëve, don Flavio Peloso, lajmin për vizitën e Papës në këtë famulli, më e lashta nga të gjitha në lagjen e populluar Appio. Më 1908, Piu X ia pati besuar famullinë vetë don Orione-s, duke e dërguar në atë, që asokohe a pati quajtur “Patagonia romake”, për shkak të nevojave të panumërta materiale e shpirtërore të popullatës, që banonte në këtë zonë.

Një turmë besimtarësh në festë

Një turmë besimtarësh në festë e priti me entuziazëm Papën. Përbëhej nga  besimtarë të famullisë e  orioninë, ardhur nga Roma e mbarë Italia. Në radhët e para, handikapatët e strehuar në Shtëpitë e Don Oriones dhe 20 gra të pastreha, mikpritur në Qendrën e Famullisë.

Frytet e Koncilit II të Vatikanit

Ishte vizitë e shkurtër, me kremtimin e Meshës në orën 18.00 e përshëndetjen papnore drejtuar familjes orionine, që kremtoi 75-vjetorin e vdekjes së Shenjtit themelues.  Mesha e kremtuar nga Papa Françesku, në vendin e në ditën e Meshës së parë të reformës litugjike, kremtuar nga paraardhësi, Pali VI, ishte akt publik për njohjen e rëndësisë që pati në mbarë Kishën katolike  përtëritja liturgjike e pas Koncilit II të Vatikanit. Për të gjithë, kjo vizitë flet vetë për afërsinë bijnore, plot dashuri për papën Françesku e për shërbesën e tij në Kishë.

Ndërmjet turmës, shumë shqiptarë

Kujtojmë se Kisha  romake e Gjithë Shenjtorëve njihet mirë edhe nga emigrantët  e parë shqiptarë, katolikë e jo, që vërshuan në Itali e në Romë, pas shembjes së diktaturës. Në këtë Kishë, që nga vitit 1996, nisën të  kremtohen Meshët e para në gjuhën shqipe e të mblidhen qindra shqiptarë sa për Meshën e  së dielës, aq edhe për t’u takuar e për të shkëmbyer dy fjalë në gjuhën amtare. Mbetet, prandaj, në kujtesë të atyre që e ndoqën këtu shumë herë liturgjinë e së dielës. Pastaj, duke nisur nga 1 gushti i vitit 2004, me një dekret të Vikariatit të Romës, bashkësia katolike shqiptare nisi të mblidhet në Kishën San Giovanni della Malva”(Shën Gjoni i Malvës), për meshë, lutje e veprimtari të tjera fetare. Nuk ishte çudi, prandaj, që në kujtim të meshëve të para, më 7 mars në Kishën e Gjithë Shenjtorëve ishin të pranishëm edhe shumë shqiptarë. Rast i bukur, ky, për t’i shtrënguar dorën Papës, që e vizitoi dhe e bekoi personalisht Atdheun e shqiptarëve.

 

 

 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.