2015-03-06 16:17:00

Dialogu ndërfetar, në qendër të bisedimeve të Papës me Aliyev


Papa Françesku priti sot presidentin e Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, që shoqërohej nga bashkëshortja. Më pas presidenti azerbajxhanas u takua edhe me sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së tij, kardinalin Pietro Parolin dhe zëvendës-sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Antoine Camilleri.

“Gjatë bisedimeve të përzemërta, njofton Salla vatikanase e Shtypit, u shpreh kënaqësia për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Posaçërisht u prekën temat që kanë të bëjnë me jetën e bashkësisë katolike në vend. U fol edhe për disa nisma në fushën kulturore, duke vënë në pah vlerën e dialogut ndërkulturor në botën bashkëkohore, për të favorizuar paqen. Më pas u shkëmbyen mendime edhe për ngjarjet e fundit të aktualitetit rajonal e ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e bisedimeve për zgjidhjen e konflikteve si dhe të edukimit,  për përgatitjen e kushteve të bashkëjetesës paqësore ndërmjet popullsive dhe grupeve të ndryshme fetare”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.