Më 7 mars, përkujtojmë Atë Luigjin Paliq, në përvjetorin e martirizimit të tij për Fe e Atdhè.
Atë Luigji lindi në Janjevë, dioqeza e Shkupit, më 14 prill 1878. Prindërit Toma
e Paulina e pagëzuan me emrin Mati. Që i vogël u thirr nga Zoti për rrugën rregulltare
në radhët e fretërve të vegjël françeskanë. Studioi në Shkodër, Troshan e Itali, ku
më 23 shtator 1896 veshi zhgunin e Shën Françeskut. Kushtet e përkohshme i bëri më
23 shtator 1897, të përjetshmet, më 8 dhjetor 1901.
Mbas meshës së parë, më 20 prill 1903, nisi misionin si bari i shpirtrave në Baz,
10 orë larg Lezhës, e njëkohësisht mblodhi lëndën që i nevojitej për ndërtimin e Kishës
së re të fshatit Gllogjan.
Nga fundi i shkurtit 1913 malazezët filluan persekutimin e shqiptarëve katolikë, duke
nxjerrë si pretekst dorëzimin e armëve. Bariu trim u kap e u burgos në burgun e Gjakovës,
në sa vizitonte besimtarët e shpërndarë në fshatra të ndryshme, për t'i përforcuar
në fenë e të parëve, e cila ishte në rrezik. I kërkuan ta mohojë publikisht këtë fe.
E dërmuan me shuplaka e me shkopinj, e pështynë, e fyen, pastaj e nxorën para një
gjykate, që e ngarkoi me shpifje. Së fundi, me 52 të burgosur të tjerë, e nisën rishtas
për Pejë.
Pater Luzi ishte gjysmë i zhveshur, i mbuluar me plagë. Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje
treguan më pas se ai nuk mund të ecte më. Atëherë nisi të hiqej zvarrë, i ngacmuar,
i pështyrë, i shtyrë nga ushtarët. I mungonte vetëm Kryqi, për t'i përngjarë plotësisht
Krishtit. Një pop i bëri thirrjen e fundit të ndërronte fenë, në se nuk donte të humbiste
jo vetëm kokën, por dhe shpirtin, i cili do t'i digjej në fund të skëterrës. Ai s'u
përkul, nuk u thye as nga mundimet e as nga premtimet. U tregoi atyre njerëzve të
armatosur deri në dhëmbë se për të feja e populli i tij vlenin më shumë se vetë jeta.
E mbytën më 7 mars 1913, duke e shporuar me bajoneta e kështu e bënë edhe më të ngjashëm
me Krishtin e i falën një martir të ri Kishës katolike në Shqipëri.
Gazetat evropiane të kohës, si e përshkruanin këtë ngjarje të shëmtuar, shkruanin:
"Nuk mund të mendohet që një punë e tillë të ngjasë në Evropën e shekullit XX". Gjithsesi
askush nuk e luajti gishtin për t'ia prerë rrugën tragjedive të tilla, për t'i dhënë
fund martirizimit të të krishterëve në trojet shqiptare. Pas Atë Luzit, mbytur barbarisht
nga serbët, do të binin në fushën e betejës për mbrojtjen e Ungjillit të Krishtit
disa qindra të tjerë. E Evropa, rishtas me gojë hapur, sikur trojet shqiptare të mos
ishin pjesë e saj, do të çuditej duke parë si në Kolosetë moderne bijtë e Krishtit
vijonin ta dhuronin pa kursim gjakun për Kishën e tyre, për popullin e tyre, për Atdheun
e tyre e, pse jo, edhe për një Evropë më të krishterë, më të mirë! Shumë bujë bëri
vdekja e tij. E shumë hetime e bisedime diplomatike shkaktoi. Më në fund, më 7 tetor
1913, në praninë e Kolonelit austro-hungarez Schueler, përfaqësuesit të qeverisë malazeze
Spasojeviç, Imzot Lazër Mjedës dhe një turme pafund me rregulltarë e besimtarë, u
bekua guri i parë i Kishës së re në Gllogjan. Të nesërmen, më 8 tetor 1913, e njëjta
turmë u mblodh afër Janoshit, te varri i Atë Luzit, mbi krye të të cilit ishte vendosur
një Kryq hekuri me këtë mbishkrim: "P. Aloysius Paliq, ndërroi jetë në vitin e Hyjit
1913" . Ky varr, ku kryeipeshkvi imzot Lazër Mjeda çoi meshën e parë për shpirt të
martirit, është kthyer prej kohe në vend shtegtimi e në të ardhmen urojmë të kthehet
në një altar të ri. Martiri fitoi. E po kujtojmë se Atë Luigj Pali është në listën
e 40 martirëve shqiptarë, çështja e të cilëve ka kaluar në Kongregatën përkatëse të
Selisë së Shenjtë në Vatikan, për të vijuar procedurën deri në pritje të miratimit
e të shpalljes së tyre shenjtorë martirë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |