2015-03-05 12:24:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: të moshuarit në Bibël


Papa Françesku ia kushtoi katekizmin e audiencës së djeshme të përgjithshme të moshuarve e premtoi se do ta vazhdojë edhe javën e ardhshme. Prandaj, në emisionin e sotëm, po shqyrtojmë se ç’vend zënë të moshuarit në Bibël e ç’rëndësi u jep atyre Shkrimi Shenjt, prej nga niset edhe ftesa e Papës për të mos i mënjanuar të moshuarit nga jeta jonë e përditshme.

         “Nderoje njeriun e vjetër”, thuhet që në Librin e Levitikut (19,32). Vlerësimi për të moshuarin shndërrohet në ligj në Shkrimin Shenjt: “Ngrehu në këmbë para flokthinjurit… druaje Hyjin tënd”, shkruhet po aty. Edhe më: “Nderoje babain tënd dhe nënën, sikurse të urdhëroi Zoti, Hyji yt, që ta kesh jetën të gjatë e të kalosh mirë përmbi tokë”, shkruhet në Librin e Ligjit të Përtërirë (5,16). Një këshillë tejet delikate në favor të prindërve, sidomos në moshën e tyre shumë të shtyrë, gjendet në kapitullin e tretë të Siracidit(1-16), i cili përfundon me një pohim veçanërisht të rëndë: “Ç’zë të keq i sjell vetes, ai që e braktis babën, i mallkuar prej Hyjit është ai, që e fyen t’ëmën”. Sa larg prirjes së sotme për t’i injoruar të moshuarit, për t’i mënjanuar, “duke edukuar” kështu brezat e rinj që t’i braktisin prindërit e tyre pleq. Ndërkaq, të rinj, të rritur e të moshuar, kanë nevojë për njëri-tjetrin.

         Historitë e patriarkëve janë mëse të qarta për këtë. Kur Moisiu sheh kaçubën në flakë, Zoti i paraqitet me fjalët “Unë jam Hyji i atit tënd Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit”(Dal 3,6). Zoti e lidh emrin e vet me atë të pleqve të urtë, që përfaqësojnë ligjshmërinë dhe garancinë e fesë së Izraelit. Bijtë, të rinjtë e takojnë – madje mund të themi “e marrin si dhuratë” – Zotin gjithnjë e vetëm përmes etërve, përmes të moshuarve. Në frazën që cituam, çdo patriark përmendet me shprehjen “Zoti i …(këtij apo atij patriarku)”, për të nënvizuar faktin se secili prej tyre kishte përvojën e vet personale të fesë. Këtë përvojë ua linin të rinjve e kjo përvojë ishte arsyeja për të cilin e ndjenin veten gjithnjë të rinj në shpirt e ishin të qetë para vdekjes. Duket paradoksale, por është pikërisht trashëgimia, që lë i moshuari, ajo që përvijon të tashmen. Është kujtesa historike e botës, siç thotë psalmisti (Ps 43[44], 2): “etërit tanë na e treguan, veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, në ditë të kahershme”.

         Fuqia e Zotit mund të shfaqet edhe në moshë të shtyrë, pavarësisht nga kufizimet e vështirësitë e të moshuarve. Siç thuhet në Letrën e parë drejtuar Korintasve: “Hyji zgjodhi të marrët në sy të botës për t’i turpëruar të mençurit dhe të dobëtit, …për t’i turpëruar të fortët; dhe jo bujarët e botës e të përbuzurit i zgjodhi Hyji, …në mënyrë që asnjë njeri të mos mburret para Hyjit” (1 Kor 1, 27-29). Plani shëlbues i Zotit vepron edhe kur trupi nuk është më i ri, por i dobët, shterpë e pa fuqi. Pikërisht nga kraharori pothuaj shterpë i Sarës e nga trupi njëqindvjeçar i Abrahamit lindi Populli i zgjedhur (shih Rom 4, 18-20). E nga kraharori shterpë i Elizabetës e nga një i moshuar me shumë vite mbi supe si Zakaria, lindi shën Gjon Pagëzuesi, pararendësi i Krishtit. Edhe kur është më i dobët, i moshuari, me plot arsye, mund ta konsiderojë veten mjet të historisë hyjnore të shëlbimit. Sepse siç thotë Zoti, pikërisht të moshuarit: “Japin fruta edhe në pleqëri, janë të kërthndeztë e plot shëndet, për të shpallur se Zoti është i drejtë”(Ps 91[92], 15-16), e siç premton Ai i Lumi: “Do t’u dhuroj jetë të gjatë, do t’ua tregoj shëlbimin tim”(Ps 90[91], 16).

 

(Marrë nga dokumenti i Këshillit Papnor për Laikët “Dinjiteti i të moshuarit dhe misioni i tij në Kishë e në botë”, 1 tetor 1998, Vatikan)








All the contents on this site are copyrighted ©.