2015-03-05 13:11:00

Papa: mendësia e botës nuk na lë t’i shikojmë të varfërit e plagët e tyre


Mendësia e botës e errëson shpirtin, duke na bërë të paaftë t’i shikojmë të varfërit, që jetojnë pranë nesh e plagët e tyre: kështu mund ta përmbledhim homelinë e sotme të Papës, mbajtur gjatë Meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës.

Duke komentuar shëmbëlltyrën e pasanikut të pangopur, veshur me petka  purpuri e liri nga më të zgjedhurat, që shtronte ditë për ditë sofra  të begata, Papa vërejti: “Për të nuk thuhet se ishte i keq”. Madje, ishte fetar, sipas mënyrës së vet. Ndoshta edhe lutej nja dy tri herë në vit e, sigurisht, shkonte në Tempull, për të flijuar e u jepte shuma të majme priftërinjve . E ata, me ligështinë e tyre klerikale, ia ruanin vendin e nderit.  Por ama nuk kujtohej asfare se te porta e tij zhgërrahej lypsi i varfër, Lazri, i uritur, plot me plagë, simbol i gjallë i njeriut nevojtar. Papa shpjegoi, më pas, gjendjen e të pasurit: “Kur dilte nga shtëpia, eh, jo... ndoshta makina me të cilën dilte i kishte qelqet të errëta, për të mos parë jashtë.... ndoshta, por nuk e di me siguri. Çka di me siguri, është se shpirtin, sytë e shpirtit, i kishte të mjegulluar, për të mos parë. Ai shtihej sikur nuk shihte. Shikonte vetëm brenda jetës së vet e s’i bëhej fare vonë për njeriun, që vdiste ngadalë në prag të portës së tij”.

Pasaniku nuk ishte i keq, por i sëmurë. Kishte lëngatën e mendësisë së botës. E kjo mendësi i shndërron shpirtërat, i bën njerëzit ta humbasin vetëdijen e realitetit: jetojnë në një botë artificiale, të bërë enkas për vete. Mendësia e botës e mpin shpirtin. Prej këndej, i pasuri nuk kishte sy për të parë realitetin.

E realiteti është ai i shumë e shumë të varfërve, që jetojnë pranë nesh: “Shumë njerëz e mbartin barrën e jetës me vështirësi, por nëse unë  i shikoj me syrin e botës, nuk arrij kurrë t’i kuptoj. Me zemrën e botës nuk mund të kuptohen kurrë nevojat e të tjerëve. Mund të shkosh në kishë, mund të lutesh, mund të bësh shumë gjëra. Po Jezusi, gjatë Darkës së Mbrame, në lutjen drejtuar Atit, ç’i lypi? ‘Të lutem, o Atë, ruaji këta dishepuj, që të mos bien në kurthin e botës, të mos mendojnë me mendjen e botës’. Duket mëkat i lehtë, por është më shumë se mëkat: është gjendje mëkatare e shpirtit”.

Në këto dy histori, pohoi Papa, shikojmë dy gjykime: një mallkim, për njeriun, që i beson botës, e një bekim, për atë, që i beson Zotit: “Pasaniku e ka zemrën larg Zotit. Shpirti i tij është i shkretë, tokë e thatë, gurishte, ku askush nuk mund të jetojë, sepse njerëzit që jetojnë për botën, janë gjithnjë vetëm. Me egoizmin e tyre. Një njeri i tillë e ka zemrën të sëmurë, të kapur fort pas sendeve të botës, prej këndej, vështirë se mund të shërohet. Vërejmë, pastaj, se i varfëri  ka emër: quhet Lazër. I pasuri nuk e ka, sepse njerëzit, që jetojnë sipas mendësisë së botës, e humbasin emrin, janë vetëm një numër mes turmës së kamur, që nuk ka nevojë për asgjë. Këta njerëz mbeten pa emër”.

Në shëmbëlltyrë njeriu i pasur, kur vdes, shkon në mundimet e skëterrës e i lutet Abrahamit të dërgojë ndonjë nga të vdekurit për t’u treguar familjarëve, ende mes të gjallëve, ç’i pret në botën e të vdekurve. Po Abrahami gjegjet se po të mos dëgjojnë Moisiun e Profetët, nuk do t’u mbushet mendja as se një ditë do të ringjallen prej të vdekurve. Papa theksoi se të pasurit duan të jetojnë në mënyrë të jashtëzakonshme. E pra në kishë gjithçka është e qartë. Jezusi foli shumë qartë: kjo është udha! E në fund, një fjalë ngushëlluese:

“Kur ai, qyqari, me mendësinë e botës, në mundime, i kërkon Lazrit të vijë aty, ku po shkrumbohet e t’i sjellë një pikë ujë, si përgjigjet Abrahami? Abrahami është figura e Zotit, e Atit. Si përgjigjet? ‘Bir, mos harro, njerëzit me mendësinë e botës e kanë humbur emrin’, edhe ne, nëse e kemi një mendësi të tillë, jemi tashmë njerëz pa emër. Por nuk jemi jetimë. Deri në fund të fundit, deri në çastin e mbramë, jemi të sigurt se e kemi një Atë, që na pret. T’ia besojmë vetveten. Bir! Na thotë ‘bir’, në mes të kësaj bote e të mendësisë së saj. ‘Bir’. Nuk jemi jetimë!” . 








All the contents on this site are copyrighted ©.