2015-03-04 16:25:00

Tozo: epërsia e ekologjisë njerëzore në Enciklikën e ardhshme të Françeskut


“Njerëzimi nuk do të jetojë në paqe, derisa të zhduket nga faqja e dheut  uria, derisa të bashkëjetojnë ata, që shtrohen për ditë në sofra të begata, me ata që, në prag të portave të tyre, ose në skajin tjetër të Planetit, vdesin nga uria”. Është një nga tezat, që mbrohet në dokumentin “Toka e Ushqimi”, realizuar nën kujdesin e Këshillit Papnor Drejtësi e Paqe, dalë këto ditë nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV). Për të e për Enciklikën e ardhshme të Papës Françesku me temën e ekologjisë, flet, në mikrofonin tonë, imzot Mario Toso, sekretar i Këshillit Papnor “Drejtësi e Paqe”:

Përgjigje: - Në bazë të  botimit të vëllimit “Toka e Ushqimi” janë shumë arsye. Së pari, fakti se uria, pavarësisht nga prodhimet e mjaftueshme ushqimore për të gjithë, vijon të shkatërrojë jetë njerëzore në të katër anët e botës. Qindra miliona njerëz vijojnë të vuajnë nga mungesa e ushqimit; më se dy milionë ushqehen në mënyrë të pamjaftueshme. Së dyti, urgjenca për ta përballuar në të ardhmen e afërt shtimin e prodhimit ushqimor, duke respektuar ambientin. E së treti, ky është një problem që ndiqet prej vitesh nga Këshilli Papnor, i cili reflekton prej kohe për shpërndarjen më të mirë të tokës dhe sfidën e reformës agrare, gjithnjë në dobi të mbarë familjes njerëzore. Së katërti, nuk duhen lënë mbanesh kritikat, të cilat kanë të bëjnë me investimet në kontrollin e tokës nga land grabbing (akaparim i tokës), që e blejnë dhe e shesin tokën sipas interesave të tyre, duke dëbuar bashkësi të tëra bujqish e duke katandisur në mjerim miliona njerëz, në emër të fitimit.

Pyetje: - Pritet shumë Enciklika e Papës, që i kushtohet pikërisht temës së zhvillimit të qëndrueshëm e të ekologjisë. Ç’fryte mund të sjellë një dokument i këtij tipi?

Përgjigje: - Pa dyshim enciklika e një Pape mund të ndihmojë për t’i shikuar temat ekologjike e ato të zhvillimit të qëndrueshëm mbi bazën e një mendimi e të një humanizmi të ri. Mund të ndriçojë e të ndihmojë t’i shikosh bukurinë, mirësinë, të vërtetën mbi gjithësinë, vetë gjithësinë, sidomos, si vepër e Zotit e si “shtëpi e përbashkët” për familjen e popujve të sotëm e të ardhshëm. Thënë me fjalë të tjera, Enciklika, në rrethanat e sotme kulturore, të prirura për dije të palidhura, të mbështetura mbi ideologji neoindividualistike,  neomaterialistike, që kërkojnë liri pa caqe, mund të ofrojë një mënyrë të re të kapjes së problemit, mënyrë unitare, e cila e pranon Transhendencën, vëllazërinë e solidaritetin e, prej këndej, çon kah  drejtësia shoqërore. Mund të ofrojë një planifikim, të udhëhequr nga parimi i ndarjes universale të pasurive, mund të bindë për epërsinë e ekologjisë njerëzore, mbi atë ambientale, për përshpirtërinë, që synon ta vërë njeriun në qendër të vëmendjes e për ndarjen e përbashkët, por pa harruar edhe përballimin me guxim të problemeve, aftësitë profesionale, risitë, frymën krijuese, duke marrë pjesë, kështu, në vetë veprën krijuese të Krishtit. Disa fryte do të piqen ngadalë. Pa harruar se sot shikojmë një mori frytesh, që mungullojnë në pemën vigane të botës afariste, frymëzuar nga Caritas in veritate. Gjithsesi, do të duhen, sigurisht, disa vjet, për të folur mbi fryte që do të prodhohen nga Enciklika e ardhshme!

 

 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.