2015-03-04 16:10:00

Françesku: e ulët, t’i përjashtosh të moshuarit


“Një qytetërim, që nuk ka vend për njerëzit e moshuar, mbart në gji virusin e vdekjes”. Papa Françesku e mori përsëri nën mbrojtje moshën e tretë, kundër kulturës së hedhurinës, gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke folur për gjyshat, Françesku vuri në dukje se në shoqëritë e sotme shpesh mungon  solidariteti për njerëzit e moshuar, që janë thesar i vërtetë vlerash. E për këto vlera të stinës së bardhë në jetën njeriut, Papa do të flasë në katekizmin e ardhshëm, siç e kujtoi ai vetë.

Të plakesh e të flakesh tutje nga shoqëria e “fitimit”, që nuk di ç’të bëjë me ngadalësinë e pleqve e me nevojat e tyre të panumërta. Të jesh i shkuar në moshë, e të shikohesh shtrembër, si barrë e padurueshme.

Françesku e trajtoi me pasion të veçantë këtë temë, shumë të dashur, që rikthehet vazhdimisht në porositë e shërbesës së tij, si Kryebari i Kishës Katolike. Kujtoi progresin njerëzor, që e zgjat jetën, pa menduar fare se kjo jetë duhet ruajtur, duhet mbrojtur, duket respektuar, pikërisht atëherë kur bëhet më e brishtë. Ua zgjat jetën e pastaj ua kthen shpinën pleqve. Pa pyetur fare për dhimbjen, që sjell një trajtim i tillë. E pa menduar aspak se nuk janë barrë, por pasuri, madje rezervë e urtisë dhe e përvojës së një populli e, prej këndej, mospërfillja e tyre është mort për shoqërinë:

“A ka një qytetërim vëmendje për të moshuarin? Ka vend për plakun? Ky qytetërim do të ecë përpara, nëse do të dijë të respektojë urtinë, dijen e pleqve. Ndërsa shoqëria, që nuk gjen vend për pleqtë, që i shikon si hedhurina, sepse i krijojnë probleme, ka në gji virusin e vdekjes!”.

Përjashtimi i të ligshtëve

I papranueshëm, për Papën, mendimi se plaku, është “njeri krejt pa vlerë”, që nuk prodhon më: barrë për shoqërinë e për të vetët. Prej këndej, përdori fjalë shumë të ashpra kundër prirjes të padenjë, që i detyron pleqtë të hiqen zvarrë, pa të drejtë të marrin pjesë në shoqëri, pa lejen për të thënë mendimin e tyre:

“Ka diçka të poshtër në këtë sjellje të kulturës së hedhurinës. Pooo, u mësuam t’i flakim tutje njerëzit, që nuk na hyjnë më në punë. Nuk duam të mendojmë se edhe ne na vjen dita e ligështisë, e moshës së thyer. Kemi frikë nga kjo moshë, nga kjo ligështi. E duke e pasur këtë frikë, nuk bëjmë tjetër, veçse të shtojmë në shpirtin e të moshuarve ankthin, mendimin e hidhur se janë bërë të padurueshëm e se duhen braktisur në fatin e vet”.

Mëkati i braktisjes

Familjet dhe shoqëritë, që i shikojnë kështu pleqtë e pleqërinë, kanë një mangësi të madhe. Përkundrazi, kanë një thesar të vërtetë ata, që i vlerësojnë e i trajtojnë me gjithë dashurinë e merituar. Pa ia lejuar vetes mendimin se pleqtë, në dimrin e jetës, ndoshta nuk janë në gjendje të japin shumëgjë si shpërblim. Pëveç dashurisë, që nuk u shteron kurrë. Por aty ku nuk ka dashuri, ngriti zërin Papa, sa me lehtësi vihet në gjumë ndërgjegjja!

Më kujtohet sesi, kur vizitoja shtëpitë e pushimit, ndalesha e shkëmbeja dy fjalë me secilin nga të moshuarit. Bëja biseda të kësaj natyre: “Ju, si po jeni? E fëmijët e tu?”. “Mirë, faleminderit”. “Po, sa fëmijë keni?”. “Shumë”. “Vijnë ndonjëherë t’ju vizitojnë?”. “Po, vijnë, vijnë, gjithnjë”. “E kur erdhën herën e fundit?”. Më kujtohet një plakë, që gjegji: “Bah, për Krishtlindje”. Ishte muaji gusht. Tetë muaj pa i parë fëmijët. Pa asnjë vizitë. Tetë muaj braktisje! Ky quhet mëkat mortar, kuptuat?

I moshuari jemi ne

Françesku, i ndërperë nga duartrokitjet e stuhishme të turmës, kujtoi pohimin e Papës Benedikti: “Cilësia e një qytetërimi gjykohet edhe nga mënyra si i trajton të moshuarit’. E përfundoi duke u kujtuar të krishterëve se pleqtë janë burra e gra, etër e nëna, që ishin para nesh, që ecën në të njëjtën udhë, që banuan në të njëjtën shtëpi, që luftuan të njëjtën luftë të mirë për një jetë të denjë”.

Kisha nuk mund e nuk do t’i përshtatet mendësisë së botës, që i shikon shtrembër të moshuarit, domethënë vetveten, aq më pak indiferencës e përbuzjes ndaj moshës së shkuar: “Duhet ta rizgjojmë në zemrën e njerëzimit ndjenjën e mirënjohjes, të vlerësimit, të dashamirësisë, që e bëjnë plakun ta ndjejë veten gjymtyrë e gjallë e bashkësisë, ku kalon ditët e fundit të jetës. Plaku nuk është i rënë nga ndonjë planet tjetër. Plaku jemi ne, pas pak, sepse koha kalon si uji. Ndonëse nuk duam ta mendojmë. E nëse nuk mësohemi t’i trajtojmë mirë pleqtë, i njëjti trajtim na pret, herët a vonë”.

Krishti, diell, në një kohë errësire

Pastaj Papa përshëndeti, ndërmjet tjerësh, pedagogët e Universitetit Papnor Salezian, që përkujtojnë dyqind vjetorin e lindjes së Shën Gjon Boskos. E përfundoi me një lloj lutjeje, dalë nga zemra, drejtuar të gjithëve:

“Të dashur miq, uroj që koha jonë plot hije të ndriçohet gjithnjë nga dielli i shpresës, që është Krishti. Ai na premtoi të rrijë gjithnjë me ne e na tregon përherë praninë e Tij mes nesh. Ne na takon detyra ta kumtojmë e ta dëshmojmë dashurinë e Tij, që na shoqëron çdo çast. Mos u lodhni duke ia besuar veten Krishtit e duke e përhapur Ungjillin e Tij në çdo skaj e skutë të jetës”.

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.