2015-03-04 16:07:00

Carrasco De Paula: duhet bërë më shumë për mjekimin paliativ


“Asistenca për të moshuarit dhe mjekimi paliativ” është tema e asamblesë së përgjithshme të Akademisë Papnore për Jetën, që fillon nesër e deri më 7 mars në Vatikan. Të premten, konferenca do të jetë e hapur për publikun. Objektivi i debatit është afrimi i shkencës me fenë, në shërbim të të gjithë atyre, që ndihmojnë të moshuarit ose pacientët nën mjekim paliativ. Të dëgjojmë kryetarin e Akademisë Papnore, ipeshkvin Ignacio Carrasco de Paula:

         Sëmundjet kronike kërkojnë gjithnjë asistencë. Janë patologji që nuk shërohen e që shoqërojnë shumë të moshuar deri në fund të jetës. Ndokush mund të mendojë se janë sëmundje, që e lënë të sëmurin pa shpresë. Mund të ndodhë, por pikërisht këtë duhet të shmangim. Jeta, edhe në moshë të shtyrë, ka gjithnjë të ardhme. E këtë të ardhme duhet ta kuptojmë, ta kapim e ta dëshirojmë. Kur asistojmë të sëmurë pa shërim, duhet të kemi gjithnjë parasysh se janë njerëz me një jetë të gjatë pas shpine. Duhen konsideruar si të urtë, si dijetarë, njerëz me përvojë, të cilët janë në gjendje, shumë më tepër nga ç’presim ne, të interpretojnë drejt edhe përvojën e re të këtij çasti veçanërisht delikat.

         Sipas jush, a përdoren drejt mjekimet paliative, pra, ilaçet për të lehtësuar dhimbjen e pacientit?

         Mjekimet paliative janë realitet i kohëve të fundit. Kanë lindur në një epokë kur kujdesi për etikën është i madh. Në përgjithësi, nuk mund të ankohemi për mënyrën si përdoren. Problemi i vërtetë është rritja e vazhdueshme e numrit të të moshuarve, të cilët kanë nevojë jo vetëm për shoqërim, por edhe për mjekim specifik, që lehtëson simptomat e plakjes. Nga pikpamja shpirtërore është e rëndësishme të përcaktojmë një baritori të programuar për të moshuarit. Kur njeriu është i ri, sëmundja i vjen e papritur, por në rastin e të moshuarve, është e mundur të parashikohet një punë baritore specifike për ta shoqëruar drejt fundit të jetës, nëse ka sëmundje kronike.








All the contents on this site are copyrighted ©.