2015-03-03 14:13:00

U paraqit Rrjeti kishtar panamazonik, frymëzuar nga Papa


Nismë e re e Kishës Katolike për Amazonën: është Rrjeti kishtar panamazonik, Repam, që u paraqit dje në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Lindi në shtator 2014 nga një takim në Brazilia ndërmjet ipeshkvijve të rajonit të Amazonës, meshtarëve, misionarëve, laikëve, përfaqësuesve të Karitasit dhe organizatave katolike vendase, me pjesëmarrjen e Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes. Rrjeti, i frymëzuar nga fjalët e Papës Françesku në Ditën Botërore të Rinisë 2013 në Rio-de-Zhanejro e nga mësimet e Aparesidës, synon ruajtjen dhe shfrytëzimin me kriter të njërës prej mushkërive të fundit të Tokës, Amazonës, e cila sot kërcënohet nga shpyllëzimi e nga shpërdorimi i burimeve të saj natyrore. Kjo ndikon negativisht në jetën e popullsive indigjene, që bannojnë në zonë, shuma e të cilave arrin në rreth 30 milion vetë. Por prishja e ekuilibrit të Amazonës ndikon edhe në ekosistemin e gjithë botës. Për këtë arsye Kisha Katolike ka vendosur të angazhohet në vijën e parë të frontit ekologjik, për t’ua dorëzuar botën brezave të ardhshëm, ashtu si e ka krijuar Zoti.








All the contents on this site are copyrighted ©.