2015-03-03 14:18:00

Sot, u varros Nemtsov, opozitor historik i Putin


Ambasadorë të huaj, dy zv.kryeministra e një ministër rus, por sidomos mijëra qytetarë, nderuan sot kreun e opozitës, Boris Nemtsov, i cili u vra në një atentat pranë Kremlinit, të premten mbrëma. Para Qendrës “Sakarov” për të drejtat e njeriut, në Moskë, u formua një radhë prej një kilometri, me njerëz të heshtur, që pritën orë e orë për të vendosur një trëndafil a një karafil mbi arkivolin e njërit prej simboleve të disidencës në epokën e presidentit Putin.

         Nga dreka, arkivoli doli nga salla e homazheve në krah të njerëzve, që thërrisnin “Heronjtë nuk vdesin”. Boris Nemtsov u varros rreth orës vendase 15.30 (13.30 në trojet shqiptare), në Troyekurovskoye, po aty ku prehet gazetarja Ana Politkovskaja, edhe ajo, vrarë para shtëpisë së vet për arsye politike. Me orë para arkivolit të hapur, ish-gruaja, vëllai, të bijtë dhe e ëma e moshuar pritën e përcollën eksponentë qeveritarë, por jo vetë presidentin Putin e as kryeministrin Medvjedjev. Edhe e fejuara e re e Nemtsov u kthye në Ukrainë, pasi u pyet nga policia, pa marrë pjesë në funeral. Të pranishëm, ambasadorët e përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe ambasadori amerikan. Shoku i betejave politike, Aleksei Navalny, u mbajt për 15 ditë në burg, i akuzuar për cënim të rendit publik në manifestimin e së dielës në Moskë, pa mundur t’i jepte Nemtsov lamtumirën e fundit.

         Ndërkaq, hetimet vazhdojnë, me shumë mungesa, duke filluar nga fakti që, ashtu siç thonë miqtë e opozitarit të presidentit Putin, Nemtsov ruhej nga policia, e cila s’ka mundësi të mos e dijë kush i vinte rrotull për ta vrarë. E fejuara ukrainase, top model, dëshmoi se nuk e ka parë vrasësin. Ndërsa presidenti amerikan Obama deklaroi se kjo vrasje është shenjë e keqësimit të gjendjes së të drejtave të njeriut në Rusi.








All the contents on this site are copyrighted ©.