2015-03-03 15:38:00

Kryeipeshkvi i Tunizit: mund të vijë Is, po ne do të rrijmë me të krishterët


Ndërmjet pjesëmarrësve në takimin e ipeshkvijve të Afrikës Veriore me Papën Françesku, në përfundim të vizitës së tyre “ad Limina Apostolorum”,  ishte edhe imzot Ilario Antoniazzi, kryeipeshkëv i Tunizit. Ta dëgjojmë komentin e tij, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Për ne ishte çast tepër i rëndësishëm e, njëkohësisht, edhe  inkurajues. Papa u prek jashtëzakonisht nga dëshmia e imzot Martinellit, i cili i tha se do ta vijojë misionin në Libi derisa atje të mbetet qoftë edhe një i krishterë i vetëm. E ai do të jetë i fundmi! Si në dialogun me ne, ashtu edhe në pyetjet, që na drejtoi, Papa e theksoi shumë çështjen e emigrantëve,  sidomoss të atyre, që nisen nga Veriu i Afrikës, nga dioqezat tona, për të arritur në Spanjë - ata që nisen nga Maroku - ose në Itali, apo edhe në vende të tjera. Ishte i mirëinformuar për gjendjen e tyre. E dinte si nisen, si arrijnë, si jetojnë në burgje, ata që vihen në pranga; ç’bëjmë ne e ç’bën Kisha vendase për ta. Na e tha qartë se jemi Kishë e mikpritjes, duke folur për Kishën e Veriut Afrikan.  E kjo vijon të jetë Fjala e gjallë e Ungjillit. Ndoshta nuk mund të flasim shumë, por pak rëndësi kanë fjalët. Rëndësi ka dëshmia, ka dashuria jonë e krishterë për njerëzit. E kjo dashuri është dëshmia më e mirë; është  më i miri predikim, që mund të mbajmë. Papa na inkurajoi shumë, duke na thënë: “Rrini aty. Lutja juaj e vuajtja juaj, që është dëshmi jete, ka shumë më tepër rëndësi, sesa fjala, që mund të thoni, sepse Krishti nuk vepron përmes fjalës suaj, por përmes jetës suaj!”.

Pyetje: - Gjendja e të krishterëve në Veriun e Afrikës është tejet e vështirë. Ç’po ndodh në viset, ky kryeni misionin tuaj aq të vështirë, e fisnik, njëherësh?

Përgjigje: - Kemi Libinë, ku situata është tragjike e ku të krishterët që kanë mbetur me ipeshkvijtë tanë jetojnë me rrezik të përditshëm mbi kokë. Por Afrikë Veriore është edhe Maroku,  janë edhe Algjeria e Tunizia, ku dëshmia jonë bazohet mbi jetën tonë, ku nuk mund të bëjmë asnjë prozelitizëm e ku i gjithë apostullimi ynë është i mbyllur brenda kishave. Pa harruar se kemi të krishterë, që ne i quajmë kalimtarë. Jemi Kishë mikpritëse: mikpresim dhjetra mijëra të krishterë: studentë, që vijnë të studiojnë në universitetet tona; punëtorë, që vijnë të punojnë përkohësisht. E ajo, që të bën më shumë përshtypje, është se këta njerëz në kalim, kur kthehen në viset e tyre, thonë: “Mësuam shumë e kthehemi krishterisht më të pasur, sepse jetuam edhe me një popull mysliman, që praktikon fenë e vet, është i bindur në besimin në një Zot të vetëm, si yni, e na mësoi shumë ta vëmë Zotin në qendër të jetës”.

Pyetje: - A ka rrezik që Is të arrijë edhe në Tunizi?

Përgjigje: - Mund të themi se deri tani situata është e qetë e nuk ka asnjë rrezik. Por ata janë në kufirin me Libinë. Më shumë se nga Is, që shikojmë në Tv, kemi frikë nga një Is, që hyn fshehurazi, si përmes kufirit, ashtu edhe përmes detit e organizon celula, të cilat mund të krijojnë rreziqe për të ardhmen.

Pyetje: - Papa Françesku foli edhe për rëndësinë e dialogut ndërfetar… posaçërisht me Islamin.

Përgjigje: - Është bazal, sepse ne, si të krishterë, jetojmë me një bashkësi myslimane, që është e qetë, që na e njeh punën në ndihmë të saj, përmes Karitasit, shkollave, veprave. Shumë shpesh ftohemi në takimet islamo-kristiane e edhe ne organizojmë takime të kësaj natyre. Ka shumë rëndësi t’i njohim e të na njohin. Duhet ta njohim Islamin, sepse myslimanët janë njerëz vërtet të këndshëm, të mirë, që e duan paqen, që bashkëpunojnë me ne. E të shkojmë atje me frikë, është gjëja më e keqe, që mund të bëjmë.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.