2015-03-03 15:32:00

Françesku: bamirësi, jo shenjtëri për sy e faqe


Nëse njeriu mësohet të bëjë mirë, Hyji ia fal bujarisht çdo mëkat. Çka nuk fal, është hipokrizia, shenjtëria sa për sy e faqe. E theksoi Papa në homelinë e sotme, gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Papa vuri ballë për ballë njerëzit që shtiren si shenjtorë, që edhe para qiellit shqetësohen më shumë të duken, sesa të jenë, e mëkatarët e shenjtëruar të cilët, si pendohen për të keqen e bërë, mësojnë të bëjnë një të mirë më të madhe. Duket qartë e pa kurrfarë dyshimi se cili prej tyre i pëlqen më shumë Zotit, pohoi Papa, që i vuri këto dy kategori njerëzish në qendër të meditimit të sotëm.

Fjalët e Leximit nga Libri i Izaisë, shpjegoi në fillim, janë njëkohësisht urdhër e ftesë, që vjen drejtpërdrejt nga Hyji: “Pushoni së bëri keq, mësojuni të bëni mirë!”, duke mbrojtur jetimët e vejushat! Me një fjalë, shpjegoi Françesku, ata që nuk i kujton askush. Ndërmjet tyre, shtoi Papa, janë edhe të moshuarit e braktisur, fëmijët që enden rrugëve, në vend që të ndjekin shkollën  e  edhe ata, që nuk dinë të bëjnë as shenjën e Kryqit. Pas urdhërit e ftesës, është gjithë thirrja për pendesë, për kthim në rrugën e Zotit:

“Po si mund ta bëjmë këtë kthesë? Mësojuni të bëni mirë! Të pendoheni! Ndyrësia e zemrës nuk mund të hiqet, ashtu si hiqet një dangë mbi petk: shkojmë në një dyqan  ku pastrohen rrobat e dalim krejt të pastër... Njollat e zemrës hiqen “duke bërë”: duke ndryshuar rrugë, duke u larguar nga rruga e së keqes e duke ecur në rrugën e së mirës. “Mësojuni të bëni mirë!”, domethënë ecni në rrugën e bamirësisë. E si mund ta bëj të mirën? Thjesht! Punoni për drejtësinë, ndihmojeni të shtypurin, kërkoni të drejtën për jetimin, mbrojeni kauzën e vejushës. Kujtojmë se në Izrael më të varfërit e më nevojtarët ishin jetimët e vejushat: mbrojani të drejtën, shkoni atje, ku kullojnë gjak plagët e njerëzimit, ku ka më shumë britma e dhimbje… E kështu, duke bërë mirë, do ta lash zemrën! E premtimi për një zemër të larë, domethënë të falur, vjen nga vetë Zoti, që nuk i llogarit mëkatet e njeriut, që e do konkretisht të afërmin: “Nëse ti e bën këtë, nëse ecën kësaj udhe, në të cilën po të ftoj - na thotë Zoti - edhe po të jenë mëkatet tua flakë të kuqe, do të bëhen të bardha si bora’. Një farë teprimi! Zoti e tepron: po është e vërtetë. Zoti na jep dhuratën e faljes së Tij. Zoti fal bujarisht. Nuk thotë kurrë: ‘Unë po të fal deri në një shenjë vendi, pastaj shohim e bëjmë…’. ‘Jo, jo! Zoti fal gjithnjë, gjithçka! Gjithçka!’. Por nëse ti dëshiron të falesh, duhet të nisesh në rrugën e së mirës, të bësh mirë. Kjo është dhurata!”.

Ndërsa në Ungjillin e ditës shikojmë një grup njerëzish dinakë, nga ata që, vijoi Papa,  flasin drejtë e rrinë shtrembër. Të gjithë, vijoi, jemi dinakë e gjithnjë e gjejmë një udhë, që nuk është e drejta, e gjejmë një kleçkë, për t’u dukur të drejtë para syve të botës: e kjo është udha e hipokrizisë:

“Këta njerëz bëjnë sikur ndërrojnë rrugë, por në zemër të tyre ka veç mashtrim: janë gënjeshtarë! Është gënjeshtër e gjallë, zemra e tyre… Nuk i përket Zotit; i përket babait të të gjitha gënjeshtrave, rrenave, mashtrimeve: djallit! E kjo është shenjtëri sa për sy e faqe. E shtirë. Jezusit i pëlqenin njëmijë herë më shumë mëkatarët, sesa këta soj hipokritësh. Pse? Mëkatarët e pranonin se janë plot njolla mëkati: “Largoju nga unë, o Zot, se jam mëkatar i madh”, i pati thënë një herë Pjetri. Po asnjërin nga këta nuk e dëgjojmë kurrë të flasë kështu për vete. Përkundrazi, i dëgjojmë të thonë: “Të falënderoj, o Zot, se nuk jam mëkatar, po jam i drejtë”. Hipokrizi!  

Në javën e dytë të Kreshmëve duhet të meditojmë tri fjalë. Ftesën për kthesë, dhuratën që na jep Zoti, faljen e madhe dhe kurthin, pendesën mashtruese e ecjen në rrugën e hipokrizisë.Kthesë, falje, pa hipokrizi!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.