2015-03-02 18:20:00

Mark Palnikaj: A duhen hapur dosjet e sigurimit të shtetit në Shqipëri


Vazhdojmë bisedën rrethe çështjes së dosjeve të sigurimit të shtetit në Shqipëri. Kësaj radhe flasim me Prof. Ing. Mark Palnikaj, që në mikrofonin tonë jep një vështrim të tij për këtë çështje delikate e të rëndësishme, ja çfarë thotë në mikrofonin tonë..

Shkruan e pastaj pyet Mark Palnikaj: “Prej më se njëzet vitesh vazhdon në të gjitha llojet e mediave polemika nëse duhen hapur apo jo dosjet e sigurimit të shtetit. Kanë shfaqur mendime shumë persona me bindje të kundër politike, me formim profesional në nivele jo të barabarta, dhe gazetarët e mediave të ndryshme. Kemi dëgjuar që politikanët e akuzojnë njëri tjetrin si bashkëpunëtor të sigurimit me famë të keqe të regjimit komunist. Shumë shtete që kanë përjetuar regjime totalitare i kanë hapur dosjet sipas disa rregullave që ata kanë vendosur. Në Shqipëri vazhdon akoma diskutimi nëse duhen hapur apo jo këto dosje.

Para se të jap mendimin tim për këtë problem, më duhet të bëjë disa pyetjeve që lidhen me faktin nëse duhen hapur apo jo.

Kur u krijuan këto dosje dhe në çfarë rrethanash?
Kujt i shërbente krijimi i tyre?
Çfarë përfshihej në këto dosje?
Cilat ishin mënyrat e marrjes së informacionit që përfshihet në këto dosje?
Çfarë mendonin ata që i krijuan këto dosje në lidhje me publikimin e tyre?
Pse kërkojnë sot ata që kanë pushtetin të marrin bekimin e turmave për hapjen e tyre?
Kush do të përfitojë nga hapja dhe bërja publike e këtyre dosjeve?
Kush do të dëmtohet nga hapja e dosjeve?
Në fund, çfarë do të përfitojë publiku i gjerë dhe ata që u dëmtuan direkt nga ndjekja e sigurimit të shtetit?

Jam i bindur se njerëz të ndryshëm do të japin përgjigje të ndryshme këtyre pyetjeve por edhe unë po e jap versionin tim të përgjigjeve.

Këto dosje, në fillim janë krijuar me të dhëna operative nga organi i zbulimit ushtarak i luftës pastaj mbas çlirimit, nga strukturat e organizuara të ministrisë së brendshme. Shërbimi i fshehtë është një domosdoshmëri për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore në çdo shtet të botës. Është një organizëm që e ka çdo qeveri qoftë totalitare ose edhe shtetet më demokratike të botës. Mbas mbarimit të luftës së dytë botërore dhe largimit të gjermanëve nga vendi ynë, në Shqipëri u vendos në pushtet një qeveri e kontrolluar nga Partia Komuniste Shqiptare. Kjo qeveri nuk pranoi asnjë parti tjetër për të bashkëqeverisur mbasi partitë shqiptare që ishin në atë kohë të formuara në Shqipëri, akuzoheshin nga komunistët si bashkëpunëtor me pushtuesit, me të drejtë apo pa të drejtë këtë nuk po e diskutojmë. Vendet perëndimore si Anglia dhe Amerika me të cilët komunistët kishin qenë në koalicion gjatë luftës, në fillim filluan kritikat për regjimin e vendosur në Shqipërinë e pasluftës dhe më vonë ato nuk e njohën qeverinë e Shqipërisë duke mos e pranuar në OKB deri në vitin 1955. Përveç këtyre masave, është e njohur dhe e faktuar me fakte se qeveria Amerikane dhe ajo Angleze, në bashkëpunim me disa shtete të tjera organizuan grupe të armatosura për rrëzimin me dhunë të qeverisë shqiptare. Kjo ka vazhduar deri në vitin 1953 duke organizuar, armatosur dhe dërguar në Shqipëri persona nga mërgata shqiptare dhe duke u mbështetur edhe në personat e pakënaqur nga regjimi i vendosur të cilët ishin me banim në Shqipëri. Në këto kushte ka filluar intensifikimi i hetimit për bashkëpunim këto grupe të armatosura dhe me shtetet nga niseshin këto grupe për në vendin tonë.
Krijimi i dosjeve në regjimin komunist në Shqipëri ka patur shumë arsye por arsyeja kryesore ka qenë sigurimi i vazhdimësisë së regjimit komunist në vend. Sigurimi i shtetit kishte detyrë mbrojtjen e shtetit dhe të pushtetit. Shtetin e mbronte nga armiqtë e jashtëm në kuadrin e luftës së ftohtë, ndërsa pushtetin nga armiqtë e brendshëm. Detyrë tjetër e shërbimit të fshehtë shqiptar që identifikohet si sigurimi i shtetit, ka qenë mbajtja nën kontroll e masave të gjera kundër çdo tentative për ndryshime politike dhe për ndryshimin e regjimit në Shqipëri dhe haptas me të gjitha mënyrat e informimit është publikuar rreziku “Nga armiku i jashtëm, në bashkëpunim me armiqtë e brendshëm”. Mbas vitit 1953, armiku i jashtëm e ka zvogëluar veprimtarinë e tij por rreziku më i madh i kanosej regjimit nga pakënaqësia e masave dhe nga ai që quhej “Armiku i brendshëm” dhe fronti kryesor i luftës ka qenë ky “armik”. Krijimi i dosjeve kundra këtyre “armiqve” i ka shërbyer zgjatjes së jetës së atij regjimi. Por ky qëllim është kamufluar edhe me interesa kombëtare, duke e paraqitur si mbrojtje e “lirisë dhe rendit socialist nga imperializmi amerikan dhe socialimperializmi sovjetik”.
Në këto dosje përfshiheshin të dhëna personale mbi të gjithë aktivitetin e të gjithë qytetarëve të shtetit tonë që kishin sado pak forcë për të kundërshtuar regjimin në fuqi qoftë edhe me gojë. Sigurimi i shtetit dhe organizmat e ndryshme shoqërore dhe partiake duhet të informonin me saktësi për gjendjen morale dhe politike në çdo njësi të vendit si fshat, lokalitet, ndërmarrje ekonomike, shkolla, institucione, ushtri, arsim, kulturë, art dhe çdo qelizë e jetës shoqërore. Publikisht shumë gjëra nuk dihen por mbas vitit 1990 disa persona që kanë vepruar në atë kohë në dobi të sigurimit të shtetit kanë hapur gojën dhe kanë treguar ndonjë episod. Psh zgjedhjet zyrtarisht ishin të fshehta por shumë njerëz në atë kohë kanë dhënë vota kundra. Mbas hapjes së kutive, kur ka patur vota kundra, janë deklaruar një ose dy vota kundra kurse të tjerat janë plotësuar me fletëvotimi të tjera. Ka qenë detyrë e organizmave të atij shteti që me çdo kusht të identifikoheshin personat që kishin votuar kundër. Në dosje futeshin të dhëna gjithfarësh për jetën dhe aktivitetin e atij që ndiqej. Pastaj në rast nevoje, këto të dhëna përdoreshin në gjyqet e manipuluara kundra personit që ndiqej.
Mënyra e marrjes së informacionit ka qenë nga format më të ndryshme, me mjete përgjimi teknike dhe me spiunë që përgjonin natë e ditë çfarë fliste njëri dhe çfarë fliste tjetri. E rëndësishme për këtë pikë është të shënohet se metodat e marrjes së informacioneve kanë qenë të paligjshme edhe në bazë të ligjeve të asaj kohe. Njëra nga format e marrjes së të dhënave ka qenë edhe përdorimi i dhunës nga hetuesit. Edhe në atë kohë, punonjës të rangjeve të larta kanë reaguar kundra përdorimit të dhunës për marrjen e dëshmive nga qytetarët që akuzoheshin për vepra që kurrë nuk i kishin kryer. Po përmendi rastin e publikuar në qarkoren e shpërndarë në vitin 1982 për dënimin me vdekje nga Gjykata e Tiranës të një burri që akuzohej për vrasjen e gruas së tij. Mbas Torturave në hetuesi për një vit me radhë ai kishte pohuar se e kishte vrarë gruan e tij. Kur hetuesit e pyesnin ku e kishte hedhur trupin ai u është përgjigjur herë këtu herë atje por trupi nuk po gjendej. Pa u gjendur trupi i viktimës si rregull nuk mund të bëhej ekzekutimi i personit. Mbas një kalvari vuajtjesh që ka zgjatur rreth dy vjet, gruaja është gjendur e martuar dhe me fëmijë në një fshat të një rrethi në jug të vendit. Personi është liruar nga burgu, i janë bërë disa kompensime në para, është bërë publik rasti dhe janë marrë disa masa sa për formë. Por vuajtjet shpirtërore dhe fizike të njeriut të masakruar padrejtësisht nuk mund të kompensoheshin. Kjo merret me mend fare lehtë nga cilido. Pra marrja e informacionit ka qenë me të gjitha mjetet, ligjore dhe jo ligjore, normale dhe të jonormale, me bashkëpunim dhe me dhunë. Janë angazhuar për marrjen e informacioneve njerëzit e afërt, vëllai, motra, gruaja, kunata, miku, shoku i punës dhe i dhomës dhe çdo lloj forme tjetër sipas parimit makiavelist “qëllimi justifikon mjetin” pa zbatuar asnjë kriter njerëzor ose humanitar.
Ata që i krijuan këto dosje mendonin se ato nuk do të publikoheshin asnjëherë dhe deri diku ata e besonin këtë. Kontribuesit për krijimin e këtyre dosjeve ndaheshin në tre kategori: a) në ata që mendonin seriozisht se po i shërbenin shtetit dhe të mirës së kombit b) në ata që ishin rekrutuar pa dëshirën e tyre dhe me forma të ndyra c) në ata që jepnin informata për servilizëm dhe për fitime personale. Këta kanë qenë njerëzit më të rrezikshëm dhe më të paskrupull.
Tani lind pyetja pse ata që kanë në dorë publikimin ose jo të këtyre dosjeve kërkojnë “bekimin e turmave” ose legjitimimin e hapjes së tyre? Nga viti 1992 deri sot rotacioni i pushtetit është kryer katër herë dhe dosjet janë parë nga të dyja krahët e politikës. Ata që kanë në dorë publikimin ose jo të tyre e dinë fort mirë rrezikshmërinë shoqërore dhe sociale të këtij veprimi por ata kërkojnë tua lënë në dorë të tjerëve këtë gjë. Kjo në fakt është një hile e turpshme. Dje qytetari është survejuar në kundërshtim me ligjin me normat njerëzore duke u kërcënuar seriozisht jeta dhe e ardhmja e tij dhe e familjes nga veprime të papërgjegjshme të një shteti totalitar. Sot po ky qytetar rrezikohet të publikohen të dhëna personale mbi jetën dhe veprimtarinë  e tij të cilat nuk i sjellin atij asnjë të mirë. Pra një shtet që tashmë quhet demokratik, rrezikon ta dëmtojë qytetarin por në një mënyrë tjetër. Kam njohur një mësues që e kishin spiunuar dhe e kishin rrezikuar për ta futur në burg. Mbas vitit 2000 gjeti një mik dhe mundi të shikonte dosjen e tij. Para se ta shikonte dosjen ai pati deklaruar se “Për një djalë e shoh dosjen time”. Kur ja treguan dosjen dhe pa çfarë ishte shkruar për të, kush e kishte spiunuar dhe çfarë deponimesh ishin bërë ai është shprehur “Për një djalë e dua të mos e kisha parë atë dosje”. Atëherë përse kërkojnë politikanët dhe pushtetarët publikimin e dosjeve kur një gjë të tillë nuk e kërkojnë ata që janë përndjekur dhe janë dëmtuar nga këto dosje? Unë besoj se ata e bëjnë këtë për të përfituar për vete dhe për të dëmtuar kundërshtarët e tyre politikë, për ti kërcënuar dhe për ti spostuar si kundërshtarë.
Nga bërja publike e dosjeve na thuhet se do të përfitojnë të gjithë. Disa persona, edhe nga vende jashtë Shqipërisë që nuk kanë të bëjnë fare me këto dosje shprehen se “duhet të dalë në dritë e vërteta”, “duhet të dimë se çfarë ka ndodhur” etj. Është e lehtë të thuash se duhet të dalë në dritë e vërteta por kujt i shërbejnë këto të vërteta? Atyre që janë dëmtuar nga këto dosje? Atyre që kanë spiunuar dhe shpifur duke dëmtuar të tjerët?

Unë mendoj se nuk do tu shërbejë asnjërës nga palët. Këto dosje do të shërbejnë të tjerëve për qërim hesapesh politike por në asnjë mënyrë atyre njerëzve që janë dëmtuar nga këto dosje. Askush nuk ka folur deri sot për të shpërblyer ata që janë marrë më qafë nga këto dosje ogurzeza. Në qoftë se ndonjërit nga këto spiunllëqe i është mohuar e drejta e shkuarjes në shkollë, e marrjes së një vendi pune apo diçka tjetër, çfarë do ti shërbejë fakti që do të dijë se kush paska qenë shkaktari. Sot është hequr me ligj dënimi me vdekje edhe për krimin e vrasjes, kërkohet të falen gjaket nga familja e të vrarëve atyre që kanë vrarë njerëz të pafajshëm. Dhe kur të merret vesh se kush ta ka bërë të keqen duhet të hakmerresh? Jo, kjo nuk ndodh. Në një farë mënyre unë “dosjen” time deri diku e kam parë por konkluzioni ka qenë se ato gjëra duhet me ja faturue kohës, regjimit totalitar që e ka krijuar një precedent të tillë, injorancës, mungesës së kulturës. Dhe dashur pa dashur “ju kam dhënë amnisti” të gjithëve dhe kam qenë i detyruar të bashkëjetoj gjatë këtyre 25 viteve me persekutorët e mi. Mendoj se asnjë i dëmtuar nga dosjet e sigurimit të shtetit nuk do të fitojë gjë nga publikimi i tyre.

Do të dëmtohen të gjithë nga publikimi i këtyre dosjeve. Ata spiunë që nuk kanë vdekur sot jetojnë midis nesh. Hiqen sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe ndjehen të frikësuar dhe të kërcënuar çfarë do të ndodhë me ta. Disa, bile shumë prej tyre, po e vazhdojnë zanatin e vjetër në shërbim të shërbimeve të sotme të fshehta të shtetit tonë. Janë përdorur dje nga diktatura, po përdoren edhe sot për të spiunuar. Për këtë ka të dhëna sa të duash megjithëse gjithçka mundohet të bëhet e fshehur nga publiku. Do të dëmtohen edhe personat që janë spiunuar dhe kanë vuajtur nga këto dosje. Do të bëhen publike të dhëna të vërteta ose fallso për jetë e tij private dhe të të afërmve të tij. Asnjë lloj kompensimi nuk do ti jepet për dëmet e shkaktuara. Do të ballafaqohet me ata që kanë dashur ti bëjnë keq me ose pa të drejtë. Do të shtohen armiqësitë deri brenda familjes. Në njerëzit me horizont kulturor të ngushtë do të nxisë urrejtje dhe ndjenjë hakmarrjeje duke hapur armiqësira pa fund.
Publiku i gjerë nuk do të fitojë asnjë gjë nga bërja publike e këtyre dosjeve. Cili nga ne që jetojmë në Shqipëri do të përfitonim qoftë edhe vlerën e një cigareje duhan në qoftë se informohemi se çfarë është thënë para më shumë se 25 vitesh për njërin apo për tjetrin? Dikush mund të përgjigjet përfitimi është moral, jo material. Unë do ti përgjigjesha atij që thotë kështu se gjithçka mund të gjesh në ato dosje, por në asnjë rast nuk do të mund të gjendet asnjë lloj morali por vetëm imoralitet i pafund.

Mark Palnikaj, Tiranë me 17 shkurt 2015








All the contents on this site are copyrighted ©.