2015-03-02 15:59:00

Françesku Kishave të Afrikës Veriore: “Ju falënderoj për guximin tuaj”


Faleminderit Kishës në Libi dhe të gjitha bashkësive të Afrikës Veriore për guximin e praninë paqësore në një zonë, ku kërkesat për më shumë liri e dinjitet po shprehen edhe me shpërthime dhune. Është një nga pohimet e Papës Françesku, gjatë audiencës me ipeshkvijtë e Cerna, organizëm episkopal veriafrikan, që përfshin prelatët e Marokut, Algjerisë, Tunizisë e Libisë, këto ditë për vizitë “ad Limina”, në Vatikan. “Ju jeni një nga periferitë e botës e jeni fytyra e zemra me të cilën Hyji arrin tek njerëzit e kësaj periferie!”. Atëror, vështrimi i Papës, në sa shikonte rreth tij njerëz, që kanë rrezikuar e vijojnë ta rrezikojnë jetën për të mbrojtur grigjën e vogël të Kishës në një zonë ku kumbimi i këmbanave ngatërrohet me të shtënat e artilerisë.

Guximi i libikëve

Edhe Afrika Veriore prej vitesh është bërë tokë, ku kërkohet më shumë liri ndërgjegjeje, më shumë dinjitet e, njëkohësisht, fushë beteje për ata që duan t’i imponojnë ndryshimet, duke vringëlluar armët. Prej këndej, një nga vlerësimet e para drejtuar ipeshkvijve veriafrikanë, ndërmjet shumë të tjerëve, ishin për Kishën libike, për guximin, besnikërinë, durimin që, theksoi Papa, po tregojnë kleri, rregulltarët e laikët, të cilët nuk luajtën nga vendi i tyre i misionit, pavarësisht nga rreziqet e panumërta, që i kërcënojnë. Ata, pohoi Françesku, janë dëshmitarë të vërtetë të Ungjillit. Ju falënderoj shumë dhe ju inkurajoj të vijoni përpjekjet tuaja në ndihmë të paqes e të pajtimit për gjithë zonën.

Të pranosh, për të bashkuar

Françesku ngulmoi gjatë mbi nevojën e dialogut ndërfetar për të ndërtuar, atje ku të tjerë shkatërrojnë. Fantazia e dashurisë së krishterë, pohoi, është në gjendje të hapë rrugë të panumërta për të çuar frymëmarrjen e Ungjillit në kulturat e kontekstet më të ndryshme shoqërore. Ilaçi më i frytshëm kundër çdo forme të dhunës, vërejti, është edukimi për zbulimin dhe pranimin e larmive, parë si pasuri e fekonditet. Themelore, vijoi Papa duke folur me ipeshkvijtë veriafrikanë, është që laikët të formohen vazhdimisht, të bëhen të aftë për dialog ekumenik e ndërfetar. E këtu Papa përfitoi nga rasti për të kujtuar 50-vjetorin e Institutit Papnor të Studimeve Arabe e Islamike (Pisai), themeluar në Tunizi, pa harruar edhe punën e bërë në këtë fushë nga Instituti Ekumenik “Al Mowafaqa”, me seli në Marok.

Dashuria e krishterë u tregon njerëzve Zotin

Arma tjetër e pagabueshme e Kishës së takimit e të dialogut është dashuria konkrete për gjithkënd, pa asnjë dallim. Françesku i falënderoi ipeshkvijtë veriafrikanë sepse, vërejti, shpesh, me mjete të përvuajtura, dëshmojnë dashurinë e Krishtit e të Kishës për të varfërit, të sëmurët, të moshuarit, gratë nevojtare, të burgosurit, duke përfshirë këtu edhe emigrantët e shumtë që kërkojnë një vend kalimi ose banimi në viset veriafrikane.  Edhe në njohjen e dinjitetit njerëzor, pohoi Papa, e në punën për rizgjimin e ndërgjegjeve, përballë një drame kaq tronditëse njerëzore, tregohet dashuria e Zotit për secilin prej tyre. E, një përshëndetje të përzemërt, Françesku ua drejtoi edhe studentëve të Afrikës sub-sahariane.

Shikoni Shenjtorët!

Papa foli edhe për nevojën e formimit të përhershëm të klerit, duke shprehur kënaqësinë për ndihmesën që dhanë rregulltarët e rregulltaret posaçërisht gjatë  Vitit të jetës së kushtuar: bëjeni të ndrisë, u kërkoi atyre, bukurinë dhe shenjtërinë e thirrjes suaj! Modelet, nga të cilat mund të frymëzoheni, nuk mungojnë, sigurisht, nënvizoi Papa, duke kujtuar, më pas, dy të mëdhenjtë: Ciprianin e Agostinin, për të vijuar me Charles de Foucauld, të cilit më 2016 i kujtohet njëqind vjetori i vdekjes e duke arritur deri në ditët tona, kur shumë rregulltarë, që punuan në këto vise, dhanë gjithçka, deri në flijimin e jetës për Zotin. Françesku përfundoi duke theksuar, me kënaqësi se, në vitet e fundit, në Algjeri u restauruan shumë shenjtërore të krishtera. E shtoi: “Duke i mirëpritur të ‘gjithë’ me dashamirësi e pa prozelitizëm, bashkësitë tuaja dëshmojnë se duan të jenë Kishë me porta të hapura e gjithnjë ‘në dalje’”. 

 

 

 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.