2015-03-01 14:44:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: në Siri e Irak mizori e padurueshme


 Nuk duhet t’i harrojmë ata, që vuajnë në Siri e Irak për shkak të një mizorie të padurueshme. Të lutemi për viktimat e Venezuelës, ku po jetohen çaste të forta tensioni. Janë këto, thirrjet e Papës gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, përqendruar tek Shndërrimi i Jezusit. Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot kujtoi situatën dramatike në Siri e Irak, ku vijojnë dhuna, rrëmbimet, padrejtësitë e të gjitha natyrave kundër të krishterëve e edhe grupeve të tjera.

“Duam t’i sigurojmë ata, që po pësojnë në këto situata, se nuk i harrojmë, po jemi gjithnjë pranë e lutemi me ngulm që të marrin fund sa më shpejt mizoritë e padurueshme, me aq shumë viktima në gjirin e tyre. Së bashku me anëtarët e Kuries  Romake e kremtova me këtë ndjet Meshën  Shenjte, në përfundim të Ushtrimeve Shpirtërore, të premten e kaluar. Në të njëjtën kohë ju kërkoj të gjithëve, sipas mundësive të secilit, të përpiqeni për t’i lehtësuar vuajtjet e vëllezërve në provë, shpesh vetëm për shkak të fesë, që  dëshmojnë”.

Mendimi i Atit të Shenjtë shkoi, më pas, edhe në Venezuelë, vend që, ditët e fundit, ishte teatër protestash të reja kundër qeverisë, shtypur nga policia, që i kushtuan jetën një djali 14 vjeçar: “Lutem për viktimat e, posaçërisht, për djalin e vrarë pak ditë më parë në San Cristobal. I nxis të gjithë ta refuzojnë dhunën e të respektojnë dinjitetin e çdo njeriu dhe shenjtërinë e jetës njerëzore. Inkurajoj të rifillohet një udhë e re, për të mirën e vendit, duke rikrijuar hapësira takimi dhe dialogu të sinqertë e konstruktiv. Ia besoj këtë Komb të dashur ndërmjetësimit amtar të Zojës së Koromotos”.

Kujtojmë se në këtë të Diel II të Kreshmëve, Kisha na tregon cakun e udhës së kthimit, pjesëmarrjen në lumninë e Krishtit. Papa Françesku u ndalua tek episodi i Shndërrimit të Jezusit para Pjetrit, Jakut e Gjonit, që morën porosinë hyjnore: “Dëgjojeni! Dëgjojeni Jezusin. Ai është Shëlbuesi: ndiqeni! E të dëgjosh Jezusin do të thotë të pranosh logjikën e misterit të Tij të Pashkëve, të vihesh për udhë me Të, që ta bësh jetën dhuratë dashurie për të tjerët, me bindje të plotë ndaj vullnetit të Hyjit Atë, me shkëputje nga sendet e botës e me liri të thellë shpirtërore. Duhet, me fjalë të tjera, të jesh gati për ta humbur jetën tënde”(cfr Mk 8,35), duke e dhuruar, që të gjithë njerëzit të shëlbohen e të takohemi gjithë bashkë në lumturinë e amshuar”.

Udha e Jezusit, shtoi Papa, na çon gjithnjë kah lumturia: “Mos e harroni: udha e Jezusit na çon gjithnjë në lumturi. Do të jetë ndërmjet kryqi, do të jenë provat, por në fund, gjithnjë, na pret lumturia. Na e premtoi lumturinë e do të na e japë, nëse do të ecim udhëve të Tij”.

“Me Pjetrin, Jakun e Gjonin, përfundoi Papa, ngjitemi edhe ne sot mbi malin e Shndërrimit e ndalemi për të kundruar Fytyrën e Jezusit, për ta bërë tonin mesazhin e Tij e për ta vënë në jetë; sepse dhe ne mund të shndërrohemi nga Dashuria. Dashuria është e aftë të shndërrojë gjithkënd e gjithçka: dashuria i shndërron të gjithë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.