2015-02-27 14:59:00

Patriarku Younan: genocid të krishterësh në Siri, të tradhtuar nga vendet demokratike


Shifra e të krishterëve, marrë peng nga terroristët e Shtetit Islamik në verilindje të Sirisë, ka arritur në 350 vetë e disa prej tyre janë vrarë. Ndërkaq, së paku 3 mijë të krishterë ikin nga fshatrat e sulmuara e të masakruara. Shumë prej tyre janë siro-katolikë, siç pohon në mikrofonin tonë, Patriarku i Kishës siro-katolike, Ignace Youssif III Younan:

        Është situatë dramatike! Ndër të krishterët, civilët, qindra njerëzit që janë marrë peng, rreth njëzet janë vrarë me siguri. Ky është genocid! U kërkojmë vëllezërve e motrave tona në Evropë, sidomos katolikëve, katolikëve të vërtetë, të mendojnë për vëllezërit e motrat e tyre në Lindjen e Mesme, që po vuajnë persekutimin. E bëjmë thirrje edhe për drejtësi. Bashkësia ndërkombëtare – OKB-ja, SHBA-të, Bashkimi Evropian – fatkeqësisht, na kanë tradhtuar! Po përpiqen vetëm për interesat e tyre ekonomike në fushën e naftës. Janë aleatë me sisteme e qeveri nga më integralistet në botë, ku nuk ka as liri fetare, as liri civile; ku gruaja nuk ka gati asnjë të drejtë. Me të vërtetë, po i harrojnë parimet e tyre demokratike.

         Si mund të ndalohen xhihadistët?

         Para së gjithash, duke ndaluar armatimin e të ashtuquajturave “opozita të moderuara”: nuk ka opozita të moderuara në Lindjen e Mesme! Derisa të mos kemi një ndarje të qartë ndërmjet fesë e politikës, nuk do të kemi kurrë një opozitë të vërtetë, demokratike e të moderuar. E gjithë kjo është vetëm iluzion!

         Papa po vazhdon të lutet për të krishterët e persekutuar në Siri e në Irak…

         Ashtu është! Ne i jemi shumë, shumë mirënjohës Atit të Shenjtë. Që nga fillimi i papnisë u ballafaqua me dramat e Lindjes së Mesme, ku ka persekutime, vrasje e dëbime. Kemi besim se Papa do të vazhdojë ta mbrojë kauzën e më të brishtëve, të atyre që injorohen nga vendet, të cilat shohin vetëm naftën si shpëtim për ekonominë e tyre. Popujt e Bashkimit Evropian dhe ata të Amerikës Veriore duhet të mendojnë se po tradhtohen të njëjtat parime e vlera, mbi të cilat janë themeluar edhe vendet e tyre. Ati i Shenjtë thotë kudo se njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por edhe nga çdo fjalë, që del prej gojës së Zotit. Kjo do të thotë nga fjalë paqeje e të vërtete.








All the contents on this site are copyrighted ©.