2015-02-27 17:45:00

Papa lutet për të krishterët e persekutuar në Siri, Irak e në botë


Papa dhe Kuria Romake i përfunduan Ushtrimet Shpirtërore, mbajtur në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor, në Ariccia. I përfunduan me kujtimin e dramave të të krishterëve të  dëbuar, të ikur, të keqtrajtuar e të masakruar, posaçërisht në zonën siro-irakiane. E nuk mund të përfundonin ndryshe: gjithë këta të krishterë, të vdekur e të gjallë, peshojnë rëndë në zemrën e Françeskut. Prandaj Papa, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë në atë që, në fillim të ushtrimeve e quajti “shkretëtirë”, në ngjasim të shkretëtirës ku Krishti u tundua për 40 ditë  nga djalli, u lut për ta vazhdimisht. E martirët e rinj të krishterimit ishin në qendër të vëmendjes edhe në Meshën, që përmbylli javën në Ariccia, kaluar duke medituar për ngjarjet e jetës së profetit më të madh, Elisë, propozuar nga karmelitani atë Bruno Secondin, të cilin Papa e falënderoi:

“Në emër të të gjithëve, edhe timin, dëshiroj të falënderoj atin, punën e tij ndërmjet nesh gjatë ushtrimeve. Nuk është e lehtë t’u  japësh ushtrime meshtarëve, eh? Jemi pakëz të ndërlikuar të gjithë, por ju ia dolët mbanë të mbillni”. Historia e Elisë ishte temë e re për ushtrimet e Kuries. Prandaj e zgjodha, sqaron Atë Secondin. Më tërhoqi posaçërisht gjallëria, që përshkon fjalët dhe veprat e profetit, gjë që e nxit predikatarin ta shikojë këtë figurë si pikë të fortë mbështetjeje për meditimet:  “Elia është profet që ecën, që e jeton misionin e tij  kufijve. Shtegton deri në Sinai, deri në Liban. Prej këndej, është profet gjithnjë për udhë. M’u duk shumë i përshtatshëm pikërisht për këtë çast e për këtë papni: figura e një profeti, më të madhit ndër profetë, që e jeton misionin gjithnjë në endje, duke përballuar papritmas takimin me Hyjin, thirrjen për besëlidhje, për besnikëri. Prej këndej, m’u duk një figurë shumë interesante dhe mendova ta vë në qendër të vëmendjes”.

Ngjarjet  e jetës së Elisë, vijon atë Secondin, janë simbolike. Tregojnë ç’do të thotë për njeriun të takojë Hyjin e të shikojë si përmbyset mënyra si e kuptonte jetën. Nga hapat e para jasht fshatit të tij e deri tek lufta dhëmb për dhëmb me idhujtarët e hyjit Baal; nga ideja e ndihmës që dha për ngadhënjimin e Hyjit, tek ravgimi pa cak në shkretëtirë, gjithnjë ndërmjet dëshpërimit e shpresës, hap pas hapi Elia kryen një shtegtim lirie, transparence shpirtërore: “Kjo do të thotë të nisesh nga jashtësia, të dalësh nga fshati, të hysh në brendësi të vetes sate, të takohesh me Hyjin e edhe të ndeshesh me atë, që është identitet i rremë i përvojës  së fesë, për t’u shndërruar pak nga pak nga një Zot, tejet i ndryshëm nga ai, që kishim në kokë, që  mendonim se ishte në fshatrat tona, ndërsa është dikund tjetër. E gjithë kjo, për ta pastruar në thellësi atë që jetojmë, që kemi jetuar e për të kuptuar thellësisht se i përkasim Atij”.

Elia jeton në situata, që i kërkojnë t’i mbrojë të varfrit nga synimet e njerëzve, të cilët duan të përfitojnë prej tyre. Zemra e re, që i dha Zoti, e bën të gatshëm, pohon atë Secondin, për solidaritet, e angazhon për drejtësinë. Në skenën fundit e shikojmë mes grupeve të vogla të dishepujve, që quhen “bij të profetëve” e ai, njeri guximtar, por nopran, rrethohet tani nga atmosfera e vëllazërisë: “Kur ngjitet drejt qiellit, e lëshon simbolin klasik,  mantelin, që nuk bie përdhe, sepse e merr dishepulli i tij, Elizeu e shkon të bashkohet me grupet e tjera. E ata nuk e lënë kurrë më të bjerë atë mantel. I fton gjithnjë të hapin rrugë të reja, të përballojnë sfidat, padrejtësitë dhe manipulimet që u bëhen të varfërve, djersës së tyre, për të rikrijuar gjithnjë udhë vëllazërie”.

Në përfundim, urimi i Papës:“Zoti  premtoftë të mbijnë e të rriten këto farë që ju i hodhët në shpirtin tonë e u uroj të gjithëve, duke nisur nga vetja, të dalim prej këndej me një copëz nga manteli i Elisë, në dorë e në zemër. Faleminderit, Atë!”.

Tani Papa është kthyer në Vatikan e, me të, edhe të gjitha veprimtaritë e ndërprera, deri tek kremtimet e mëdha të Pashkëve të Ringjalljes, kah të cilat vijojmë të ecim, duke përshkuar me lutje, pendesë e agjërim, rrugën tonë kreshmore.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.