2015-02-27 18:52:00

Atë Fares: ushtrimet shpirtërore me Bergoglion, të jashtëzakonshme


Papa Françesku tha sot Lutjen e Engjëllit të Tënzot me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, pasi qëndroi një javë në Ariccia, pranë Romës, për ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve, së bashku me Kurien Romake. Kardinajtë dhe Ati i Shenjtë u përgatitën shpirtërisht për Pashkët në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor të etërve paolinë, ku dëgjuan predikimet e karmelitanit, atë Bruno Secondin. Tema e sivjetme ishte “Shërbëtorë e profetë të Zotit të Gjallë” e predikatari paraqiti një reflektim baritor mbi Elinë profet. Si u përjetua ky çast shpirtëror me Papën Françesku? Të dëgjojmë jezuitin argjentinas, atë Diego Fares, mik i Jorge Mario Bergoglio-s:

         E njoh Papën Françesku-Bergolion që prej 40 vjetësh! Që kur më pranoi në noviciatin e Shoqërisë së Jezusit, në vitin 1976. Personalisht, më ka mësuar si të shoqëroj të tjerët në Ushtrimet Shpirtërore. Më kujtohet – unë isha student – sa më befasoi kur ai, që u predikonte ushtrimet shpirtërore vjetore studentëve të “Colegio Maximo”, më kërkoi të shoqëroj tre shokë të mi me ndihmën e tij, sepse ishim shumë. Iu përgjigja pozitivisht, me kusht që ata të flisnin me mua e unë me rektorin, për ta azhornuar mbi ndonjë problem e për t’i thënë si ecte puna. E kështu, Bergoglio jepte temat për lutjen, dëgjonte shumë vetë që i drejtoheshin atij, ndërsa unë, një herë në ditë, dëgjoja këta tri shokët e mi. Në mbrëmje takohesha me Bergoglion dhe diskutonim së bashku. Kështu, fillova të bëja udhëheqësin shpirtëror, që kur isha student. E këto gjëra nuk mësohen nga librat, por nën udhëheqjen e një mësuesi shpirtëror, siç ishte Bergoglio për të gjithë ne. Ushtrimet Shpirtërore janë pjesë e misionit tonë, ç’kanë më për zemër jezuitët.








All the contents on this site are copyrighted ©.