2015-02-25 17:09:00

Siri. Imzot Zenari: vend i mbytur në gjak


“Siria tashmë është krejtësisht e mbytur në gjakun e të krishterëve, e jo më pak, edhe të besimtarëve të feve të tjera”. Kështu shprehet imzot Mario Zenari, nunc apostolik në Damask, duke kujtuar rrëmbimin e dhjetra të krishterëve nga ana e milicëve të Is, në veri-lindje të vendit. Atentatet e ndeshjet vijojnë edhe në Irak. E ndërsa Libia është krejtësisht jashtë kontrolli, shtyhen për një datë të pacaktuar bisedimet me ndërmjetësimin e OKB-së për stabilizimin e situatës në vend.

Janë 150, jo 90, si thuhet, të krishterët asirianë të rrëmbyer në Siri nga Shteti i vetëshpallur Islamik në Tell Tamr, pranë Al-Hasakës, kryeqendër e zonës veri-lindore me të njëjtin emër, në kufirin ndërmjet Turqisë dhe Irakut. Dëshmitarët flasin edhe për vrasjen e disa prej pengjeve. Në zonë, që nga e diela, vijon sulmi i kurdëve peshmerga, të mbështetur nga goditjet ajrore të koalicionit ndërkombëtar, nën udhëheqjen e SHBA-ve. Imzot Mario Zenari, nunc Apostolik në Damask, i intervistuar nga televizioni i ipeshkvijve italianë Tv2000, e quajti Sirinë “vend i mbytur në gjak”, gjë që e mbush me dhimbje, aq më tepër kur shikon se po goditen të gjitha pakicat fetare. Prelati konfirmon se të krishterët e veri-lindjes, të ikur nga frika e xhihadistëve, kanë arritur në Al-Hasaka. Një dyndje e re, kjo, drejt Kahmishli, më në lindje të vendit. E ndërsa në Siri vijon edhe ndeshja ndërmjet fraksioneve të brendshme e kundër regjimit të Asadit me dhjetra viktima ditë për ditë, Iraku u trondit dje nga një valë atentatesh: 23, të vdekurit. Ndërkaq, në qytetin Sadia, në provincën irakiane të Diyala-s, u rikthyen 110 familje të ikura nga tërbimi i xhihadistëve të Is.

Gjithnjë më dramatike edhe situata në Libi, ndërsa data për bisedimet,  ndërmjetësuar nga OKB-ja për stabilizim, shtyhen. Nga Parisi, kryeministri italian Renzi, në takimin me presidentin Hollande, pohoi se tani për tani nuk parashikohet ndonjë operacion i paqeruajtësve në Libi. Në këtë skenar, kryeministri libik Abdullah al Thani, denoncon se në vend nuk janë vetëm terroristët e Is, por edhe milicët islamikë të Boko Haram, që po pushtojnë veriun e Nigerisë.

Mbi situatën dramatike të të krishterëve në Siri, të sulmuar nga milicët e Is, dëgjuam, me telefon, imzot Jacques Behnan Hindo, kryeipeshkëv siro-katolik i Hasaké-Nisibi:

Përgjigje: - Comme chrétiens dans la région…

Si të krishterë në zonë, jemi 125- 130 mijë. Në këtë çast janë shpërndarë nga pak kudo, por shumica janë në Hassakèe të Kahmishli... Shumë kanë emigruar, sepse nuk kanë mundur t’i përballojnë katër vjet lufte! Rreth 20-25% janë emigrantë… Por nuk mund të flitet për shifra të sakta, sepse  njerëzit vijojnë të ikin çdo ditë. E rruga e vetme për të ikur është të nisen me avion nga Kahmishli për në Damask; rrugët e tjera janë të bllokuara. Turqia i ka bllokuar të gjitha rrugët: lejon të kalojnë vetëm kamionët e trupave të Is, naftën e vjedhur nga Siria, grurin, pambukun… Këto, po, mund të kalojnë. Vetëm njerëzit e tmerruar, që duan të shpëtojnë kokën, jo!

Pyetje: - Jeni në shënjestër të xhihadistëve e, ndoshta, kjo bëhet pengesë edhe për arritjen e ndihmave humanitare…

Përgjigje: - Il y a une chose que je voudrais dire…

Dua të them diçka.: Kryqi i Kuq ndihmon, duke i dërguar para Gjysmëhënës së Kuqe, por Gjysëmhëna e Kuqe nuk u jep asnjë kacidhe të krishterëve! Ndihmon vetëm me fjalë, kur flitet në televizon, për të bindur opinionin se ka ndihmuar kush e di sa njerëz, pa dallim feje! Po në të vërtetë të krishterët nuk po marrin asnjë ndihmë. E kam thënë në një kanal arab e tani po e përsëris edhe këtu: duhet që Kryqi i Kuq ta dijë këtë! Më falni nëse po e ngre paksi tepër zërin, por kjo më dëshpëron, më ngjall neveri!








All the contents on this site are copyrighted ©.