2015-02-25 14:12:00

Raporti Amnesty: viti 2014, dramatik për miliona njerëz


Viti 2014 ka qenë “katastrofik për miliona njerëz, në kurthin e dhunës”. Është denoncimi i Raportit vjetor të Amnesty International, që merr në shqyrtim gjendjen në 160 vende e që e quan “të turpshme e të papërshtatshme, përgjigjen globale ndaj tmerreve të shteteve e të grupeve të armatosura”.

         Realiteti i paraqitur në raport është vërtet i trishtë. Flitet për miliona njerëz, në kurthin e dhunës së konflikteve, që nga Gaza, në Nigeri, në Siri, në Republikën Qendroafrikane, në Ukrainë e në Irak. Para kësaj gjendjeje, bashkësia ndërkombëtare qëndron duarkryq. Këtë vit, prania e OKB-së në botë mbush 70 vjet, por askujt nuk i bie ndërmend për festën, para valës së jashtëzakonshme të refugjatëve, shkaktuar nga krimet e dhuna e ushtruar nga shtetet, grupet e armatosura, të cilat po fitojnë gjithnjë e më shumë territor. Mjafton të kujtojmë të vetëquajturin Shtet Islamik, organizata terroriste si Boko Haram e Al Shabaab, apo gjendjen në Ukrainë, e cila po bën të fryjë mbi Evropë era e dikurshme e Luftës së Ftohtë.

Shifrat flasin qartë: 18, vendet ku janë kryer krime lufte, ose dhunime të tjera të “Ligjit të luftës”; së paku 35, vendet ku grupet e armatosura kanë kryer abuzime të çdo lloji; mëse 3400, refugjatët dhe emigrantët e mbytur në Mesdhe; 4 milion, refugjatët e ikur vetëm nga Siria, 95% e të cilëve strehohen në vendet fqinjë; 119, vendet ku qeveritë kanë kufizuar arbitrarisht lirinë e shprehjes. Amnesty International bën thirrje që gjithsesi, të mos përdoren taktika represive për të luftuar dhunën, sepse një përgjigje e tillë e shteteve vë në rrezik të drejtat e njeriut e nuk jep rezultate afatgjata, duke ushqyer më tej ekstremizmin. Amnesty u kërkon pesë vendeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të heqin dorë nga vetoja, kur diskutohet për dënimin e genocideve e të krimeve masive. Gjithashtu, kërkon ratifikimin e Traktatit për tregtinë e armëve nga ana e vendeve si SHBA-të, Rusia, Kanadaja dhe Izraeli, të cilat akoma nuk e ndërmarrin nismën, që do të kufizonte qarkullimin e armëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.