2015-02-24 09:45:00

“Ruaje zemrën, me Papën drejt Pashkëve”


“Ne duhet të bëhemi të krishterë guximtarë”. Ja programi i skicuar nga Papa Françesku në faqen e parë të librit të vogël dhuruar besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për Engjëllin e Tënzot të së dielës I të Kreshmëve, me 22 shkurt 2015. Fillojmë kështu edhe ne, me tekstin e këtij libri të vogël, propozuar nga Papa Françesku, përgatitjen shpirtërore për festën e Pashkëve të Krishtit.

Të bëhemi guximtarë? Po si? Duke u nisur nga zemra, sepse nga fjala zemër (cuore, në gjuhën latine), vjen edhe fjala guxim (coraggio). Prandaj 30 faqet që na la dhuroi Papa titullohen: “Ruaje zemrën”.

Me këtë nxitje të ngrohtë e të drejtpërdrejtë, Papa Françesku dëshiron ta ftojë secilin nga ne, duke na u drejtuar me ‘ti’, të bëhemi të krishterë guximtarë në praktikimin e fesë në të cilën besojmë. Papa na këshillon t’i kushtohemi formimit të zemrës, për ta bërë të ngjashme me atë të Jezusit, Bariut të Mirë, të cilin e shikojmë në kapakun e librecit, marrë nga afresku i njohur i katakombave të Shën  Kalistit. Krishti paraqitet me një dele në sup e dy të tjera që kthejnë kokën drejt tij.

Kreshmët na drejtojnë vit për vit thirrje të bëjmë kthesë në udhën e jetës, duke u nisur nga zemra, sepse pikërisht në zemër luhet loja e zgjedhjeve konkrete, të përditshme ndërmjet së mirës e së keqes, ndërmjet mendësisë së botës e Ungjillit, indiferencës e dashurisë së krishterë, mbylljes egoiste e hapjes bujare të shpirtit për Hyjin e të afërmin. E kujton Papa në Mesazhin e këtij viti: “Dëshiroj të lutem me Ju, o Krisht, në këto Kreshmë”: “Fac cor nostrum secundum cor tuum”- “Bëj që zemra ime t’i përngjajë zemrës sate”(Lutje nga Litanitë e Zemrës së Krishtit). Atëherë do të kemi një zemër të fortë e të mëshirshme, vigjilente e bujare, që nuk mbyllet brenda vetes e nuk thithet nga vorbulla e globalizimit të indiferencës”.

Parë në këtë dritë libërthi i xhepit vë theksin mbi disa mësime të Jezu Krishtit, shkëputur nga kapitujt 5-7 të Ungjillit sipas Mateut (Lumturitë, të jeni të përsosur, falni, grumbulloni thesare në qiell, mos gjykoni, rregulli i artë, bëni vullnetin e Atit), të përmbledhura në urdhërimin e ri; “Duajeni njeri-tjetrin sikur unë ju desha juve! Prej këndej të gjithë do ta dinë se jeni dishepujt e mi”(Gjn 13,34-35).

Gjejmë këtu formulat themelore të fesë së dëshmuar, të kremtuar e të praktikuar: Besojmën (Simbol i Apostujve) dhe misteret kryesore të fesë; tri virtytet teologale (fe, shpresë, dashuri); shtatë sakramentet; dhjetë Urdhërimet Tënzot e pesë normat; veprat e mëshirës trupore e shpirtërore; katër virtytet kryesore e shtatë veset…

Burimi mbi të cilin mund të mbështetemi për shpjegimet, është Katekizmi i Kishës katolike.

Propozohen, pastaj, edhe dy praktika shpirtërore, trashëguar nga tradita e nga aktualiteti i pandryshueshëm: janë lectio divina ose mënyra për ta dëgjuar e për ta përvetësuar çka del nga goja e Hyjit, dhe rrëmimi mbrëmësor i ndërgjegjes. Këto dy praktika përshkruhen thjeshtë e qartë nga vetë Papa: e para, në tekstet e shkëputura nga Evangelii gaudium (nn 152-153), e dyta, në “Ruaje zemrën”, që të mos bëhet shesh ku shkojnë e vijnë të gjithë, përveç Zotit. Shumë e nevojshme, prandaj, të përtërihen këto dy praktika shpirtërore në Kohën e Kreshmëve, për t’i mësuar e edhe për t’i praktikuar, pastaj, ditë për ditë, gjithë vitin.

Dëgjimi i Fjalës së Zotit, ashtu si kremtimi i sakramenteve, posaçërisht i Eukaristisë të së dielës, përmbushen pastaj, plotësisht, në jetën tonë. Por,  pa harruar se duhet t’i bëjmë mirë llogaritë me mbylljet tona, sëmundjet tona, mëkatet tona. Duhet të reflektojmë nëse është afër apo larg Ungjilli nga jeta jonë, nga ajo, që mendojmë, që themi, që bëjmë. E është pikërisht mendimi i parë, që ndez në mua dëshirën për një zemër të re. Sepse këtu zë vend Sakramenti i rrëfimit, i pajtimit, për faljen e mëkateve. E faqet e fundit të librit të xhepit ndihmojë pikërisht në këtë drejtim,: pasi shpjegohet shkurtimisht pse duhet të rrëfehemi, si duhet të rrëfehemi e çfarë duhet të rrëfejmë, përmes tridhjetë e katër pyetjeve për të keqen e kryer e edhe për të mirën e bërë para syve të Zotit, të afërmit e të vetvetes, ofrohet rrëmimi i ndërgjegjes, i kurorëzuar nga Puna e Pendimit.

Ruaje mirë zemrën tënde! “Të kesh zemër të mëshirshme, nuk do të thotë të kesh zemër të ligshtë!”. Kush dëshiron të jetë i mëshirshëm, duhet ta ketë zemrën të fortë, të patundur, të mbyllur për tunduesin, por të hapur për Zotin. Zemër, ku mund të depërtojë lirisht Shpirti Shenjt, për t’i prirë në udhët e dashurisë, që të çojnë kah vëllezërit e motrat. Në fund, një zemër të varfër, që i pranon mungesat e veta e shkrihet për të tjerët” (Mesazhi i Papës për Kreshmët, 2015).








All the contents on this site are copyrighted ©.