2015-02-24 14:27:00

Qindra kaldej e asirë, pengje të Isisit në Siri


        I vetëquajturi Shteti Islamik vazhdon të mbjellë terror në Siri. Qindra kaldej, ndërmjet të cilëve gra e fëmijë, janë marrë pengje pas sulmit në dy fshatra. Kushti për lirimin e tyre është dorëzimi i disa xhihadistëve, në dorën e luftëtarëve kurdë. Digjet edhe një kishë katolike nga më të lashtat në vend. Gjithashtu, Shteti Islamik ka marrë në dorë dy fshatra të të krishterëve asirë në rajonin e Khabour-it. Lajmin e jep për shoqatën “Ndihmë për Kishën që vuan”, arkimandriti Emanuel Youkhana, i cili konfirmon se janë marrë peng nga xhihadistët dhjetra familje, ndërsa një 17-vjeçar, i quajtur Milad, është vrarë. Ipeshkvi i vendit bën thirrje të mbrohen 35 fshatra të krishterësh, të cilët janë në rrezik jete. Për ironi të fatit, të krishterët asirë të zonës së Khabour-it jetojnë aty që nga viti 1933, kur ikën nga masakra e Simeles, shkaktuar nga Mbretëria e atëhershme e Irakut, e cila vrau rreth 3 mijë vetë.

         Ndërkaq, në Libi, qeveria e Al Thani-t, me seli në Tobruk, e njohur nga bashkësia ndërkombëtare, deklaroi se ka ndërmend të mos marrë më pjesë në bisedimet me ndërmjetësues OKB-në. Kjo qeveri akuzon Turqinë se mbështet milicitë filo-integraliste, të cilat kanë vendosur në Tripoli një qeveri paralele me atë të Al Hassi-t, qeveria tjetër në dypushtetin e Libisë. Por, nëse bisedimet nuk vazhdojnë, vështirësohet marrja e vendimit për ndërhyrjen e Kombeve të Bashkuara. Nga ana e saj, Franca, pasi vuri në dispozicion të luftës kundër Isis-it aeroplanmbajtësen “Charles de Gaulle”, për herë të parë, u sekuestroi letërnjoftimin dhe pasaportën gjashtë aspirantëve xhihadistë, që po niseshin për në Siri e Irak. Po kështu, edhe në Spanjë, u arrestuan katër vetë, anëtarë të një rrjeti xhihadist.








All the contents on this site are copyrighted ©.