2015-02-24 08:36:00

Më 24 shkurt kalendari kujton Shën Sergjin e Bakun, martirë


Më 24 shkurt Kisha përkujton Shën Sergjin dhe Shën Bakun, murgjër e martirë të Cezaresë së Kapadokisë. Në epokën e persekutimeve të Dioklecianit, të dyve iu pre koka më 24 shkurt, të një viti të papërcaktuar mirë,  me urdhrin e guvernatorit  të Armenisë e të Kapadokisë, Sapriço, i cili duke u gjendur në Cezare, urdhëroi të mblidhen para tempullit pagan të gjithë të krishterët e qytetit për t’i detyruar ta nderonin kultin e Jupiterit. Në mesin e turmës doli edhe Sergji, një gjykatës i plakur, i cili prej kohe e kishte lënë detyrën e tij në fushën e drejtësisë për të jetuar shpirtërisht Ungjillin e Krishtit si oshënar. 

Prania e Shën Sergjit shkaktoi një fenomen të papritur, atë të fikjes së zjarreve që ishin përgatitur për flijime të kultit pagan. Për këtë fenomen të çuditshëm iu ngjit faji të krishterëve, të cilët me refuzimin e tyre e irrituan zotin. Atëherë doli para Sergji dhe shpjegoi se arsyeja e pafuqisë së hyjnive pagane duhej kërkuar shumë më lartë, në gjithëpushtetin e Zotit të vërtetë e të vetëm, që adhurohet nga të krishterët. Sergji arrestohet e dënohet para guvernatorit, i cili me gjykim të shpjet e dënoi me prerjen e kokës. Dënimi u ekzekutua menjëherë: ishte data 24 shkurt. Trupi i martirit, i bartur prej të krishterëve, u varros në shtëpinë e një gruaje të përshpirtshme e besimtare. Më vonë, reliket u transportuan në Spanjë, në qytetin e Andaluzisë, Ubeda.

 Gati të harruar nga burimet hagjiografike greke e bizantine, Sergji e Baku patën popullaritet në botën Perëndimore, falë edhe tregimit të hollësishëm mbi martirizimin e tyre për shkak të pohimit e të dëshmimit të fesë në Krishtin.
 Siç përmendem, reliket e Shën Sergjit qenë mbartur në Spanjë, në qytetin Ubeda, ndërsa kulti i dy martirëve u përhap me shpejtësi në shumë vise të Lindjes por edhe në viset shqiptare në përgjithësi e në Shqipëri në veçanti, ku për nder të këtyre shenjtorëve u ndërtua një Kishë me vlera të mëdha historike dhe kulturore pranë kuvendit benediktin të Sergjit e Bakut në breg të lumit të Bunës, në fshatin Shirq, emri i të cilit fshat vjen vetë nga ai i Shenjtit Sergj.








All the contents on this site are copyrighted ©.