2015-02-24 15:43:00

Albert Akshija në 90 vjetorin e ditëlindjes


Kujtojmë Albert Akshinë (Shkodër, 24. 02. 1925 - Romë 30.11.2013), emër shumë i njohur nga emigrantët paskomunistë në Itali e gazetar i radios “Rai International”, në 90 vjetorin e  ditëlindjes.
Prej kohësh miqtë e shumtë të tij pyesin njëri-tjetrin: “Ç’u bë Alberti? S’e shikojmë më në takimet për Shqipërinë e me shqiptarët. Nuk e dëgjojmë më të flasë në mbrojtje të të drejtave të tyre, si gjithmonë”. 
Qenë mësuar ta shikonim gjithnjë në krye të punëve, miqtë e tij shqiptarë e të huaj, sepse Alberti kishte shumë miq e, në radhë të parë, arbëreshët dhe emigrantët, që punonin sa mundnin për atdheun e rrethuar nga telat me gjemba, prej nga vinin gjithnjë lajme nga më tragjiket. Edhe për të. 

Alberti ishte bir i Fran Akshisë e Gjyliana Margjinit, motër e të mirënjohurit profesor Kolë Margjini, që dha aq shumë për Shqipërinë e Kosovën e që mori si shpërblim burgun e vdekjen. I ati vdiq shpejt, duke e lënë djalin jetim e gruan e re, vetëm. Prandaj e ëma u detyrua të martohej përsëri. Burri i dytë, Gaetano Chiarella, italian, sapo kishte humbur gruan e parë, motër e profesor Injac Zamputti-it. Atëhere Alberti nisi të shkojë dendur në shtëpinë e hallës, zonjës Maria Akshija Kadarja, grua e Zef Kadares. Zefi, që i zuri vendin e babait, i lindur në Shkodër, në vitin 1892, shërbeu si prefekt nga Elbasani, në Korçë e Gjirokastër e, më pas, si shef i zyrës sekrete të Ministrisë së Jashtme zogiste. Ishte njeriu, që urrehej më shumë se kushdo nga Enver Hoxha, sepse më mirë se kushdo tjetër ia njihte të kaluarën prej spiuni të rëndomtë, atij që do ta përuronte sundimin pikërisht me zhdukjen fizike të të gjithë atyre, që mund t’ia nxirrnin në shesh të palarat, jo të pakta. Zef Kadarja ishte figurë shumë e njohur ndërmjet viteve 1925, kur lindi Alberti, e 1945. Pikërisht në këtë vit, më 13 prill, u pushkatua së bashku me 17 personalitete të tjera, pasi kishte luajtur rol të dorës së parë në një periudhë të gjatë të historisë së Shqipërisë.
Prej këndej, Alberti, që e ndoqi kudo pas, pati rastin të njihej  nga afër me ngjarjet e atyre viteve aq, sa mund të konsiderohej burim tejet i çmuar për historianin e kohës. Iku, pa e ‘shfletuar’ kush, duke lënë një zbraztësi të ndjeshme. 
 Bir i një familjeje me njerëz të  shquar një herë, të përndjekur, të burgosur e deri të pushkatuar më pas, pati fat të zi - e të bardhë njëkohësisht. Të zi, sepse e jetoi gjithë tragjedinë e familjes nga larg, e të bardhë pikërisht sepse ishte larg, në Itali për studime, kur familja, e mbetur në Shqipëri, i ngjitej majës së Kalvarit të vet. Në atë kohë studionte në Kolegjin ndërkombëtar “Maria Luigia” të Parmës. Deshi të kthehej, por i çuan fjalë të mos luante nga vendi e të priste bashkimin me familjen: me nënën, motrën Evalda, Gaetano Chiarella-n, italianin me të cilin qe martuar e ëma pas vdekjes së babës Fran e djalin e tij, Sandron.
Vijoi, prandaj, të jetonte në Itali, ku nisi të punojë si gazetar në “Rai International” punë që e shfrytëzoi fuqimisht për të mbrojtur fatet e Shqipërisë e të Kosovës. Nuk mund të mos i kujtojmë thirrjet dhe intervistat në mbrojtje të të drejtave të Shqipërisë e të Kosovës, posaçërisht atë, dhënë Radios radikale më 12 tetor 1992, që mund të dëgjohet edhe sot e kësaj dite përmes internetit. Ishte gjithnjë i rrethuar nga miq, emrat e të cilëve shkruhen në radhët e para të historisë së Kishës e të kulturës shqiptare. Pati lidhje të ngushtë me atë Zef Valentinin, me Monsinjor Eleuterio Fortinon, Dom Zef Shestanin, atë Daniel Gjeçajn, dom Prenkë Ndrevashajn, monsinjor Zef Oroshin, atë Vinçenc Malajn, kur ishte student në Romë, me imzot Nikë Prelën, dom Lush Gjergjin e meshtarë të tjerë. E pastaj, me personalitetet e kulturës, Ernest Koliqin, Petro Vuçanin, Martin Camajn, Nermini Vlora Falaskin, Ibrahim Kodrën, profesor Italo Fortinon, Katia Zuccaro-n, Lin Delinë, Mikel Gjokën, Gjon Kolndrekajn e deri tek më të rinjtë, shumë prej të cilëve i ndihmoi konkretisht në rrugën e tyre të meshtarisë e të kulturës. Pa kujtuar këtu të huajtë, edhe personalitete shtetërore. Qe tejet i lidhur me Demokracinë Kristiane të Italisë. Takohej personalisht me liderët e saj, si Piccoli, Fanfani, Andreotti e të tjerë, të cilët i pati njohur me tragjedinë e Shqipërisë, duke i nxitur të interesoheshin për fatet e saj të ardhshme. Në përgjithësi, ishte njeri jashtëzakonisht komunikativ. Hynte në bisedë me gjithkënd, ishte i gatshëm të dëgjonte ankimet e gjithkujt, e edhe të mundohej t’i jepte  përgjigje konkrete halleve e telasheve të njerëzve, që kishin fatin ta njihnin.
Njeri kulture, jetoi i rrethuar nga librat e veprat e artit. Ishte gjithnjë në kërkim të botimeve të rralla, të vjetra e të reja, që lidhehsin me  shqiptarët e Shqipërinë, në shqip e në gjuhë të huaja. Krijoi, kështu, një bibliotekë vërtet të pasur, mbledhur me ëndrrën për ta nisur në Shqipëri ku, për fat të keq, nuk arriti kurrë, për një mori arsyesh. 
 Biblioteka e Albertit ‘u shkri si krypa në ujë”, si dikur ajo e Bogdanit të madh e si shumë e shumë biblioteka të tjera, që u mblodhën për t’i dhënë “pakëz dritë Shqipërisë, gjithnjë të përhumbur terrinash”. 
Me bibliotekën shkoi edhe një koleksion tejet i pasur me fotografi krejt të panjohura, me vlera të rralla historike. Punoi shumë edhe për ta bërë të njohur në botë misionin e madh të Nënë Terezës, kur në Shqipëri ndalohej të hynte deri emri i saj. Por a mund t’i ndalojnë telat me gjemba valët e radios? Kujton, në një intervistë, piktori Zoi Shyti, artist i njohur, që iku nga Shqipëria për t’u vendosur në Amerikë, ku realizoi në cikël shumëplanësh pikturash për Nënë Terezën: “Kur punoja si korrespondent e gazetar i Zërit të Amerikës, në vitin 1985, më kërkoi në telefon zoti Albert Akshija, nga Roma. M’u lut të shkruaj diçka për Nënë Terezën, për konkursin ndërkombëtar, organizuar nga Dom Lush Gjergji në Ferizaj të Kosovës. I premtova e dhe mbajta fjalën. I dërgova poezinë “Nëna e Dhimbjes”, fryt i frymëzimit të çastit. Një muaj më pas Alberti më telefonon përsëri e më lajmëron se poezia ime kishte zënë vendin e parë në atë konkurs. Atij i kishte pëlqyer aq, sa ma recitoi në telefon.1 Prej këndej, edhe frymëzimi për të pikturuar ciklin me tabllo të mëdha kushtuar Nënë Terezës”.
 Shumë bëri Alberti edhe për emigrantët, që  shkelën të parët në Itali, pa rënë ende diktatura. Ishte ai, që u siguroi një banesë në Romë, për t’u lehtësuar hapat e para në tokën e huaj. E po, ai që kërkonte punë për ta, ku e si mundte. Këtë duhet ta kujtojnë mirë shumë nga ata, të cilët i ndihmoi në çaste tejet të vështira. Në këtë kohë u mor edhe me çështjen e familjes Popa, që shpërtheu e para rrethimin, duke i hapur rrugën ikjeve në masë nga oborret e ambasadave, në vendet, të cilat i përfaqësonin. 
Ai, që hyri në historinë e emigracionit shqiptar të Italisë me angazhim të madh qytetar, që ishte i gjithëpranishëm, ku flitej për Shqipërinë e shqiptarët, shkoi në heshtje të plotë, aq sa deri miqtë e tij vijuan gjatë të pyesin: “Ç’u bë Alberti?”. 
Besonin se po kalonte qetë-qetë vitet e fundit të jetës së tij të trazuar, ndoshta në Shqipëri.
Po Alberti kishte thyer femurin e qe detyruar të mbyllej në Klinikën Morlupo. Ditët e mbrame i kaloi në shtëpinë e tij romake, i rrethuar me kujdes e dashuri nga e motra, Evalda Chiarelli Margjini. Motra nuk iu nda që nga vdekja e bashkëshortes Roza, edhe ajo mike e shqiptarëve, e deri në frymën e fundit, në klinikën Marlupo, e në banesën e fundme, në Varrezën Laurentino, në Romë, ku u varros pranë familjarëve. Një tjetër shqiptar, që do të kishte dëshiruar të pushonte në paqe në tokën amtare. Ashtu si miqtë e tij të ngushtë të emigracionit, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Lin Delija,  mbeti në mërgim.
 
Një tjetër mik i Programit Shqip të Radio Vatikanit, nuk është më. Prej këndej, nuk mund të mos i mblidhnim sot këto iskra, si peng nderimi për njeriun, jeta e të cilit do të meritonte një libër. Nuk është, prandaj, aspak  e lehtë ta tregosh me dy fjalë në një skicë përkujtimore.

1 “cfr Zoi Shyti, artisti qe i bindet fatit dhe jeton me shpresa për të nesërmen








All the contents on this site are copyrighted ©.