Më 23 shkurt, kalendari kishtar përkujton Shën Polikarpin e Izmirit, ipeshkëv e
martir, nxënës i Shën Gjonit Apostull.
Polikarpi, pra i njohu nga afër Shën Gjonin Apostull dhe apostuj të tjerët që e kishin
parë Zotërinë Jezus. Prandaj na paraqitet si dëshmitar i jetës apostolike dhe njeri
i traditës së gjallë, siç shkruan ai vetë në letrat drejtuar filipianëve e maqedonëve
të krishterë.
Polikarpi jetoi në heshtje e fshehtësi, duke mos pasur besim në forcat e veta, sepse
tepër plak dhe i lodhur. Por kur i erdhi koha të dilte haptas e publikisht, diti ta
mbrojë dhe kumtojë me një guxim të jashtëzakonshëm fenë e vet në Krishtin.
Fundin e tij e njohim nga një dokument, që mban datën e 23 shkurtit të vitit 155.
Është një tregim me vlerë të madhe historike, agjiografike e liturgjike.
I zvarritur para Prokonsullit Stacio Kuadratit- rrëfehet në dokument – Polikarpi u
ftua ta mohonte Krishtin, por ai u përgjigj me këto fjalë duke tundur kokën: “Që prej
86 vjetësh i shërbej e nuk më ka bërë kurrnjë të keqe: e si të blasfemoj kundër Mbretit
tim që më shëlboi?
- A e di se mund të të djeg përsëgjalli? – i tha Prokonsulli.
- Zjarri me të cilin më kërcënoni – përgjigji Shën Polikarpi – të djeg për një çast,
por pastaj kalon; unë ia kam frikë n zjarrit të amshuar të dënimit!”
E ndërsa digjej i gjallë në mesin e amfiteatrit të Smirnës (Izmirit të sotëm në Turqi)),
Polikarpi i lartonte Zotit një uratë të shkurtër, por nga zemra: “O Zot, qoftë lavdëruar
emri yt i adhuruar në shekuj të shekujve, nga Jezu Krishti, meshtar i amshuar e i
gjithëpushtetshëm – e qoftë i nderuar emri yt së bashku me Jezusin e Shpirtin Shenjt
sot e përgjithmonë e jetës!”.
E sakaq, trupi i pjekur nga zjarri u shndërrua në një grusht hi. Mbetën, siç vijon
të tregojë dokumenti i përmendur- vetëm pak eshtra, që u ruajtën si gurë të çmuar
dëshmie në Krishtin e Gjallë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |